Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 01 Mars 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.01drejtoria new

Durrës / Arrestohet një shtetas me qëllim ekstradimi drejt Mbretërisë së Bashkuar. Drejtoria Vendore e Policisë Durrës në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana arrestuan një person i cili kërkohej nga autoritetet britanike që prej vitit 2018. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunim me ZQK Interpol Tirana, finalizuan me sukses Operacionin Policor të koduar “EAGLE“ , ku u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimi i shtetasit shqiptar.   E. S., 23 vjeç, lindur në Kukës dhe banues në Xhafzotaj – Shijak . Autoritetet gjyqësore britanike kanë përcjellë kërkesën për lokalizimin dhe arrestimin e këtij shtetasi, në bazë të Urdhër Arrestit të datës 05.01.2018 të Gjykatës së Magjistratëve në Westminster/Mbretëri e Bashkuar, e cila ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest me burg” për veprën penale “Vrasje”, parashikuar nga Kodi Penal Britanik. Prokuroria e Përgjithshme dhe Ministria e Drejtësisë po kryejnë të gjitha procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Mbretërisë së Bashkuar. Ky është rezultati i parë pas Marrëveshjes dypalëshe, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe Irlandës së Veriut, ratifikuar me Ligjin nr. 93/2017 që plotëson Konventën Evropiane të Ekstradimit të vitit 1957.

Tiranë / Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme, ku në rrugën “Mihal Popi” shpërtheu dera e jashtme e banesës së një shtetasi nga një sasi lënde e dyshuar plasëse. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i dyshuar. Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr.2, identifikuan dhe shpallën në kërkim, shtetasin: A. B., 58 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas mbrëmjen e djeshme, rreth orës 21:10, në rrugën “Mihal Popa”, dyshohet të ketë vendosur në derën e jashtme të banesës së një shtetasi një sasi lënde plasëse nga shpërthimi i së cilës u shkaktuan vetëm dëme materiale. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Shkatërrim i pronës me eksploziv” parashikuar nga neni 152 i Kodit Penal.

Tirane /Policia lokalizon dhe kap një shtetas të shpallur në kërkim për veprën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”. Shërbimet e Policisë së Komisariatit Nr.3, lokalizuan dhe kapën, shtetasin në kërkim: L. C., 35 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Tiranë Ky shtetas vuante dënimin në IEVP Peqin, pasi ishte i dënuar me 9 vite burg për veprën penale “Prodhim dhe shitje lëndësh narkotike”. Në datën 09 nëntor 2018 ka marrë leje nga burgu për të shkuar në shtëpi (në Tepelenë) dhe nuk është kthyer në institucion në datën e përcaktuar. Veprimet e mëtejshme në lidhje me këtë shtetas do kryhen nga Komisariati i Policisë Tepelenë.

Sarandë / Policia ka arrestuar 2 shtetas për drejtimin e automjeteve në mënyrë të parregullt. Arrestohet shtetasi D.G, 39 vjeç, banues në fshatin Borsh, pasi u kap në aksin rrugorë Borsh-Himarë duke drejtuar pa leje drejtimi një motomjet pa targa. Arrestohet shtetasi F.M, 41 vjeç, banues në Borsh, pasi ky shtetas u kap në vendin e quajtur "Ura e Borshit" duke drejtuar një motomjet pa targa dhe pa leje përkatëse.

Sarandë / Policia ka arrestuar në flagrancë 3 persona për vjedhje në bashkëpunim. Më datë 28.02.2019, shërbimet e policisë kanë bllokuar një automjet tip Benz, brenda të cilit u gjetën të vjedhura gjedhë në një stallë në fshatin Bistricë. Policia ka arrestuar në flagrancë drejtuesin e mjetit dhe dy persona të tjerë, konkretisht B.O, R.O, Sh.A të moshave 55, 20 dhe 58 vjeçarë të cilët kanë asistuar për kryerjen e vjedhjes në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 72 shtetas, nga këta: 16 janë të arrestuar, 3 të ndaluar, 51 ndiqen në gjendje të lire dhe 5 janë shpallur në kërkim.

Janë kapur 4 persona të shpallur në kërkim, konkretisht 1 në qarkun Elbasan për veprën penale “Prodhim dhe shitje e narkotikëve”; 1 në qarkun Korçë për veprën penale “Vjedhje”; dhe 1 në qarkun Fier për veprën penale “Trafikim i mjeteve motorike” ; 1 në Tiranë për “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 2 raste të "Plagosjes së lehtë me dashje" janë evidentuar në qarkun Tiranë dhe Korçë; 1 rast i " Dëmtime të tjera me dashje" është evidentuar në qarkun Durrës; dhe 2 raste të " Kanosjes" janë evidentuar në qarkun Tiranë dhe Korçë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht në qarkun Tiranë, Durrës dhe Elbasan me 2 autorë të ndaluar dhe 1 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarkun Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, me 1 autorë të arrestuar, 1 në kërkim, dhe 4 të proceduar penalisht në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 5 kërkesë - padi për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm.

Në PKK Port Durrës, u arrestua 1 shtetas për veprën penale “Falsifikim i letërnjoftimeve, pasaportave ose i vizave”, “Falsifikim i vulave, stampave ose I formularëve”.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh, ku 8 shtetas janë lënduar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 1 tjetër ka humbur jetën.

Janë evidentuar 3 drejtues mjetesh në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrimit të pronës”, në qarkun Berat   me 1 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë si dhe një rast nw qarkun Tiranë i shkatërrimit të pronës me eksploziv me një autor të arrestuar

Është evidentuar 1 rast i “Shkatërrimit të pronës nga pakujdesia”, në qarkun Elbasan, me 1 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të   “Ndërtimit pa leje”, në qarkun Tiranë dhe Vlorë, me 4 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerjes së paligjshme të pyjeve”, në qarkun Korçë,   ku autori është proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të   “Pushtim toke”, në qarkun Elbasan dhe Fier, me 2 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë referuar materialet në Prokurori për 2 ngjarje të klasifikuara aksidentale.

Drejtoria e Policisë Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve, që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, kaskën mbrojtëse , të mos kryejnë parakalime të gabuara apo manovra të rrezikshme në rrugë, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Arkiva

Mars 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
25 26 27 28 1 2 3
4 5 6 7 8 9 10
11 12 13 14 15 16 17
18 19 20 21 22 23 24
25 26 27 28 29 30 31