Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 20 Maj 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Sarandë - Në vijim të punës hetimore për kapjen e personave në kërkim, Policia e Sarandës ka bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit S.I., 33 vjeç, banues në Sarandë. Ky shtetas ka qenë shpallur në kërkim për ngjarjen e datës 08.02.2019, ndodhur në Ksamil të Sarandës, ku shtetasi S.I në bashkëpunim me shtetasin A.L (i arrestuar në flagrancë në kohën e ndodhjes së ngjarjes), kanë kanosur me armë zjarri dy shtetas të tjerë për motive të dobëta. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë me vendimin penal nr.9, të datës 13.02.2019, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg" për veprat penale "Kanosja", "Prishja e qetësisë publike", "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit". Materialet i kanë kaluar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Himarë - Policia Kufitare u dha ndihmë 2 shtetasve, të cilët rrezikuan jetën në ujërat detare të Dhërmiut. Sot, rreth orës 13:45, pas njoftimit të marrë se 2 persona rrezikonin jetën në det për shkak të erës, menjëherë u organizua puna dhe shërbimet e Policisë Kufitare të Stacionit Policor Dhërmi bënë të mundur shpëtimin e dy pushuesve. Ata kishin dalë me gomonen (pa motorr) për të lundruar, por për shkak të kohës së paqëndrueshme, i kishte shtyrë era e madhe në thellësi të detit.

Rinas - Operacion policor i koduar “Bagazhi i fundit”. Operacioni nga Policia Kufitare e Rinasit. Arrestohen dy punonjës të ngarkim - shkarkimit të bagazheve, të dyshuar për vjedhje të pasurisë nga bagazhet e udhëtarëve, si dhe procedohen në gjendje të lirë edhe dy punonjës të tjerë. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale shuma e eurove të vjedhura në bagazhin e një pasagjeri të një linje ajrore. Zbardhen edhe katër vjedhje të tjera, ku autorë të dyshuar janë shtetasit e arrestuar. Në kuadër të zbatimit të detyrave të Planit të masave “Për shtimin e masave të sigurisë në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza” Rinas, si dhe nisur nga disa kallëzime dhe ankesa të administruar nga ana e Policisë Kufitare Rinas për vjedhje të pasurisë në bagazhe të udhëtarëve të linjave ajrore, Policia Kufitare e Rinasit ka organizuar punën për goditjen e personave që kryenin këtë veprimtari kriminale. Në bazë të informacioneve të marra në rrrugë operative se disa nga punonjësit e sektorit të ngarkim-shkarkimit të bagazheve në vendin e qëndrimit të avionëve në aeroportin “Nënë Tereza” – Rinas, dyshohet se kryenin vjedhje të pasurisë në bagazhet e pasagjerëve të linjave të ndryshme, finalizuan me sukses operacionin policor “BAGAZHI I FUNDIT”. Si rezultat u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve D. M., 22 vjeç, banues në Tiranë dhe E. Rr., 24 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale të “Vjedhjes në bashkëpunim”. Si dhe janë proceduar penalisht shtetasit A. E, 27 vjeç, banues në Mëzez në Tiranë dhe R.H. 27 vjeç, banues në Tiranë, edhe këta punonjës të ngarkim - shkarkimit të bagazheve të pasagjerëve të linjave ajrore. Më datë 17.05.2019, shtetasi H.E ka kallzuar në Komisariatin e Policisë Rinas, vjedhjen e një sasie prej 4800 euro në bagazhin e tij të udhëtimit, vjedhje të cilën e ka konstauar në aeroportin e Lubjanës, Slloveni. Si rezultat i veprimeve operative dhe procedurale të kryera nga Seksioni për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Rinas u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, si dhe gjetja dhe sekuestrimi në cilësinë e provës materiale i shumës 4550 euro, ku dy shtetasit e arrestuar dyshohet se në bashkëpunim me njëri -tjetrin ja kanë vjedhur shtetasit H.E nga bagazhet. Po nga veprimet e kryera dyshohet se shtetasit e mësipërm në bashkëpunim edhe me disa punonjës të tjerë janë autorë të dyshuar edhe në disa raste të tjera vjedhjeje pasurie dhe konkretisht: vjedhjes së një sasie vlerash monetare të shtetasit L.J, më datë 15.04.2019, vjedhjes së një varëseje floriri të shtetases A.Z më datë 24.04.2019, vjedhjes së një varëseje floriri të shtetases D.H, më datë 13.05.2019 dhe vjedhjes së një sasi vlerash monetare paund shtetasit L.K, më datë 10.03.2019. Në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj veprimtarie kriminale në fushën e vjedhjes së pasurisë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 50 shtetas, konkretisht: 10 janë arrestuar në flagrancë, 6 janë ndaluar dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 1 në qarkun Shkodër, i dënuar për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, e kryer në bashkëpunim; 1 në qarkun Vlorë, i dënuar për veprat penale “Kanosja”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”; 1 në PKK Muriqan, i dënuar për veprat penale “Vrasja me paramedim në bashkëpunim, e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve, 1 rast në Elbasan dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 rast në qarkun Berat, me 3 autorë dhe 1 rast në Vlorë, me 1 autor, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 në qarkun Elbasan, me 2 autorë të arrestuar në flagrance; 1 në PKK Rinas, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Për 7 rastet e tjera po punohet për identifikimin dhe kapjen e autoreve.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Shkodër, të cilët janë arrestuar në flagrancë; 2 në qarkun Elbasan, ku 1 është arrestuar në flagrancë dhe 1 po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Tiranë, ku 2 janë arrestuar në flagrancë dhe 2 po procedohen në gjendje të lirë .

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Qershor 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30