Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 17 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Shkodër - Finalizohet operacioni policor i koduar “Akomoduesi". Arrestohen dy inspektorë të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër dhe shpallet në kërkim një inspektor tjetër i kësaj drejtorie për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“. Procedohet në gjendje të lirë pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”. Në zbatim të planit të masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër, në kuadër të operacionit policor “Akomoduesi” janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës. Si rezultat i këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave. Për këto shkelje u bë ndalimi i shtetasve: B. P., 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër, I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër. Si dhe është shpallur në kërkim shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër. Këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qënë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër. Gjithashtu ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave". Materialet iu referuan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Shkodër për veprat penale “Shpërdorim detyre“, “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“, “Falsifikimi i dokumenteve“ dhe “Fshehja e të ardhurave".

Lezhë - Zbardhen një sërë vjedhjesh të bagëtive të trasha të ndodhura në Lezhë dhe Shijak. Finalizohet operacioni "Kasapi", i zhvilluar nga Policia e Lezhës dhe ajo e Shijakut. Arrestohen 2 shtetas për veprat penale "Vjedhja" dhe "Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale". Sekuestrohet një mjet fugon që shërbente për transportimin e bagëtive të trasha të vjedhura. Nga efektivët e policisë të Komisariatit të Policisë Lezhë, në bashkëpunim me efektivët e Komisariatit   të Policisë Shijak, me qëllim evidentimin dhe vendosjen para përgjegjësisë të autorëve të dyshuar të veprave të ndryshme penale, pas një punë hetimore të mirëorganizuar bazuar në informacione policore, është finalizuar operacioni "Kasapi", si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit A.N., 32 vjeç, banues në Kurbin dhe E.L., 38 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë. Shtetasi A.N. dyshohet se në harkun kohor prill - korrik 2019, ka kryer 7 vjedhje, konkretisht në fshatin Barbullojë, Tale e Baqel në Lezhë dhe në Karpen, Fllakë, Shijak e Maminas, ku ka vjedhur gjithsej 11 krerë bagëti të trasha, vjedhje këto të dokumentuara në mënyrë ligjore. Gjatë operacionit, Policia gjeti dhe sekuestroi edhe një mjet fugon, i marrë me qera nga shtetasi A.N, që shërbente për të transportuar bagëtitë e vjedhura. Ndërsa arrestimi në flagrancë i shtetasit E.L., u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në stallën e tij në Paskuqan, iu gjetën dy krerë bagëti të trasha të vjedhura në Tale, Lezhë dhe në Maminas. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja”, në ngarkim të shtetasit A.N. dhe për veprën penale ”Përvetësimi i parave që rrjedhin nga veprimtaria kriminale ” në ngarkim të shtetasit E.L.

Mirditë - Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dhe ndalohen 3 persona, të shpallur në kërkim për disa vepra penale. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyrë para përgjegjësisë ligjore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative kanë organizuar punën, ku si rezultat kanë kapur dhe ndaluar 3 shtetas në kërkim policor: K.B., 24 vjeç, banues në Mirditë, Gj.B., 24 vjeç, banues në Mirditë, D.P., 20 vjeç, banues në Mirditë. Këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në datën 04.07.2019, në qytetin Rrëshenit, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta shtetasin Gj.K., 43 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë, duke i shkaktuar dëmtime fizike. Gjithashtu, po në këtë datë kanë dëmtuar me dashje një automjet në përdorim nga shtetasi K.D., 31 vjeç, banues në Rrëshen, Mirditë dhe disa ditë më pas e kanë kërcënuar në telefon për të tërhequr kallëzimin e bërë ndaj tyre. Materialet janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë për veprat penale në ngarkim të tyre "Plagosja e lehtë me dashje", "Shkatërrimi i pronës me dashje" dhe "Kanosja për të mos kallëzuar".

Lushnjë - Godet babain me sëpatë, kapet në flagrancë nga patrulla e policisë në tentativë për tu larguar. Sot rreth orës 08:00 në lagjen "Xhevdet Nepravishta" Lushnje, shtetasi D.V, 30 vjeç, për motive të dobëta ka goditur me sëpatë babain e tij, shtetasin K.V, 67 vjeç. Pasi ka goditur babain, shtetasi D.V është larguar nga vendngjarja por është kapur në flagrancë nga patrulla e policisë e cila ishte në ndjekje të tij. Shtetasi K.V ndodhet në Spitalin e Lushnjës nën kujdesin e mjekëve në gjendje të rëndë shëndetësore. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Himarë - Policia u vjen në ndihmë dy turisteve gjermane, të cilat kishin humbur rrugën në Kanionin e Gjipesë, Himarë. Në orët e mbrëmjes së djeshme, dy turiste të huaja gjermane J.M dhe K.U (37-vjeçare) duke eksploruar zonat malore të Kanionit të Gjipesë, Himarë kanë humbur rrugën e kthimit duke ngelur të bllokuara. Menjëherë janë organizuar shërbimet e Policisë Himarë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë dhe Zjarrëfikëset e Bashkisë, të cilët filluan kërkimet për gjetjen e tyre. Pas 3 orë kërkimesh, gjithashtu nëpërmjet pajisjeve speciale është bërë e mundur gjetja e tyre në një terren shumë të vështirë të këtij kanioni. Të dy shtetaset nuk kanë pësuar asnjë lëndim dhe ndodhen në gjendje të mirë shëndetësore. Dy shtetaset gjermane kanë falënderuar Policinë dhe zjarrfikësit për angazhimin dhe ndihmën e dhënë.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 104 shtetas, konkretisht: 12 janë arrestuar në flagrancë, 6 janë ndalur dhe 86 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, 3 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 6 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër; 5 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Vlorë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 3 në qarkun Tiranë, 2 në Fier, 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në Kukës, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër, ku autorët janë arrestuar në flagrancë dhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 4 në Elbasan, 1 në Korçë, 2 në Berat, 2 në Vlorë, 2 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Berat, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 2 viktima dhe 22 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë, 1 në Korçë, 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1