Policia e Shtetit: Raporti ditor i ngjarjeve gjatë 72 orëve të fundit. 12 gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.01drejtoria new

Durrës/Vijon operacioni " Plazh i lirë" për zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore

Lirohen rreth 6000 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme, si dhe sekuestrohen rreth 1000 çadra e shezlongë.

Procedohen penalisht 2 shtetas për veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve" dhe "Pushtimi i tokës".

Policia e Durrësit në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës kanë vijuar operacionin për lirimin e hapësirave publike duke vënë ne dispozicion të pushuesve rreth 6000 m2 plazh, pronë publike e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme.

Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës kanë proceduar penalisht shtetasit: Gj.K., dhe B.Sh., pasi nga kontrolli i ushtruar në plazhin në Sektorin Rinia, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse dhe të pa pajisur me kasë fiskale.

Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.

Morinë, Kukës/Fluks i madh, në hyrjen për në Shqipëri, i shtetasve kosovarë

Prej orës 03.00 të mëngjesit kanë hyrë në RSH, 22145 shtetas me 4058 mjete.

Policia Kufitare në Morinë, që prej orëve të mëngjesit ka shtuar sportelet në maksimum dhe po aplikon procedurën e përshpejtuar për të përballuar fluksin e jashtëzakonshëm në hyrje

Gjithashtu Policia Kufitare në Morinë po kryen kontrolle me përzgjedhje dhe sipas analizës së riskut, për mjete dhe persona të dyshuar për veprimtari të kundërligjshme, që mund të përfitojnë nga fluksi.

Ndërkohë, Policia Rrugore, për të parandaluar aksidentet dhe ndihmuar vargun e pandërprerë të automjeteve që lëvizin në drejtim të Lezhës dhe bregdetit tonë, ka shtuar prezencën e Policisë Rrugore në rrugën e kombit.

Për shkak se te ura e Kukësit po kryhen punime, Policia Rrugore ka vendosur shërbim fiks për të ndihmuar qarkullimin e automjeteve në të dyja kahet e lëvizjes.

Policia Rrugore apelon të gjithë drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, të mos parakalojnë karvanin e gjatë të automjeteve për shkak të fluksit të madh pasi rrezikojnë jetën e tyre dhe të përdoruesve të rrugës .

Shërbimet e Policisë Rrugore me mjetet logjistike në dispozicion po monitorojnë trafikun, jo vetëm në Rrugën e Kombit, por në të gjitha akset rrugore, me përparësi akset drejt plazheve të vendit dhe do të ndëshkojnë cilindo drejtues mjeti që do shkelë rregullat e qarkullimit rrugor .

Librazhd/Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd në bashkëpunim me Shërbimet e Komisariatit Elbasan, kanë ushtruar kontroll dhe në përroin e Gostimës, pranë fshatit Sopot të Prrenjasit, dhe gjatë kontrollit Policia gjeti dhe sekuestroi fidanë kanabis të kultivuar në tokë. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Librazhd, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: L.T., 30 vjeç, banues në Prrenjas. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: N.Nj., pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin L.T., kanë kultivuar bimë narkotike, si dhe D.V., dhe N.A., Inspektorë pyjor pranë Drejtorisë Shërbimit Pyjor Prrenjas, D.B., kryeplaku i fshatit Sopot, për veprën penale , "Shpërdorimi i detyrës". Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprimet e mëtejshme.

Bulqizë/Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Bie në prangat e Policisë një 42 vjeçar për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja”. Nga Shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë, në orët e para të mëngjesit është kapur dhe ndaluar në qytetin e Bulqizës, shtetasi : B.O, 42 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas më datë 24.04.2018, në fshatin Mishter, Klos, ka kanosur me armë shtetasin A.H (i cili në 2018 ka vrarë veten). Në ngarkim të këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Mat   ka vendosur si masë sigurimi “Arrest në burg", për veprat penale të “Mbajtja pa leje e armëve luftarake” dhe “Kanosja”. Gjithashtu po në ngarkim të këtij shtetasi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin,   ka vendosur si masë sigurimi “Arrest në burg", për të njëjtat vepra penale, pasi më datë 03.08.2019, në aksin rrugor Milot-Laç, ka kanosur me armë një shtetas, duke i dëmtuar gomat e automjetit. Materialet do ti kalojnë Prokurorisë Dibër veprime të mëtejshme.

Tiranë/Nga Seksioni OPGJ-ve në Komisariatin Rajonal të Policisë Rrugore Tiranë u bë arrestimi i shtetasit I. Ç., 32 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi i tij u bë pasi, në bulevardin “Bajram Curri” duke drejtuar mjetin ka aksidentuar shtetasin I. D., 52 vjeç banues në Tiranë që qarkullonte me biçikletë, i cili u dërgua në spital për trajtim mjeksor. Materialet në ngarkim të tij u referuan pranë Prokurorisë së Gjykatës Shkallës Parë Tiranë për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor

Fier/Informacion paraprak

Sot rreth orës 07:00, në vendin e quajtur "Kthesa e Hamilit" është gjetur pa shënja jete shtetasi F.S, 23 vjeç. Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 23-vjeçari ka ndërruar jetë si pasojë e plagës së marë nga goditja me një mjet të mprehtë(thikë), dyshohet gjatë një konflikti. Grupi hetimor po punon për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarje. Policia ka shoqëruar disa persona dhe po vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Mirditë / Informacion paraprak. Në qytet Rrëshen, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri shtetasi A.Gj. vjeç 48, banues në Rrëshen. Grupi hetimor në vendngjarje vazhdon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Janë ngritur pika kontrolli si dhe po bëhet krehja e zones me qëllim kapjen e autorit.

Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 244 shtetas, nga këta: 30 janë të arrestuar, 8 të kapur nga kërkimi, 192 ndiqen në gjendje të lirë, dhe 14 janë shpallur në kërkim.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 8 raste në qarkun Tiranë, me 1 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Lezhë, me 1 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Durrës me 1 autor të proceduar; 1 rast në qarkun Korçë dhe 1 rast në qarkun Fier me nga 1 autor të proceduar .

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 34 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosjes”, janë evidentuar në qarqet Vlorë, Lezhë, Korçë dhe Elbasan; 15 raste të “Plagosjes së lehtë me dashje” janë evidentuar në qarqet Tiranë, Vlorë, Durrës, Korçë, Dibër, Elbasan dhe Berat; 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar në qarqet Tiranë, Fier, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Berat, Vlorë, Lezhë dhe Durrës; 2 raste të “Plagosjes e rëndë me dashje” janë evidentuar në qarkun Tiranë.

Janë evidentuar 16 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarqet Tiranë, Vlorë, Lezhë,Fier, Shkodër, Dibër dhe Elbasan me 8 autorë të arrestuar dhe 8 të proceduar në gjendje të lirë. Janë plotësuar 18 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Janë evidentuar 8 raste të “Shkatërrimit të pronës”, konkretisht në qarqet Tiranë dhe Durrës, Korçë, Elbasan dhe Fier, me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 37 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 17 raste të “Ndërtimit pa leje”, në të gjithë vendin, me 17 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror" me 8 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në 72 orët e fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 29 raste aksidentesh, me 23 shtetas të lënduar jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 të tjerë kanë humbur jetën.

Janë evidentuar 12 drejtues mjeti nën efektin e alkoolit, konkretisht në qarqet Tiranë, Durrës dhe Lezhë, të cilet 8 janë arrestuar në flagrancë dhe 4 janë proçeduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 shtetas duke drejtuar automjetet pa u pajisur me leje drejtimi, të cilet 2 janë arrestuar në flagrance dhe 5 janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1