Historik i shkurtër i Policisë së shtetit shqiptar

Policia Shqiptare mori jetë më 13 Janar 1913, krahas institucioneve të tjera të sigurisë e qetësisë që krijoi qeveria e Përtashme e Vlorës.

Në ecurinë e saj Policia Shqiptare ka kaluar herë në kulm dhe herë të tjera gati në shuarje, por gjithsesi në ecje dhe pa shkëputje. 

Funksionimi i saj ishte nevojë jetike e shtetit por edhe kërkesë e publikut, sepse në thelbin e misionit të saj ka qenë kurdoherë “shërbimi ndaj shtetit dhe komunitetit, për të mbajtur rendin e qetësinë e vendit dhe zbatuar ligjet”.

Organizimi fillestar i Policisë u bë në bazë drejtorie me qendër në Vlorë, e drejtuar fillimisht nga gjakovari Halim Gostivari e më pas nga tepelenasi Fehmi Mezhgorani.

Historikisht Policia Shqiptare ka pasur këshillime nga ekspertët e huaj, ku kanë shënuar emrin shumë specialistë dhe kanë ndihmuar në ruajtjen e identitetit dhe të misionit civil të Policisë, si dhe evropianizimin e normave juridike për gjurmimin, hetimin, arrestimin, mbrojtjen e të drejtave e të lirive të individit nga cënimet e ndryshme, hyrjet me forcë në shtëpitë e qytetarëve, grumbullimet pa armë etj.

Në vitet 1919-1920, qeveria vlerësoi rëndësinë e Policisë, organizoi Drejtorinë e Përgjithshme të Qetësisë Botore dhe u dha kompetenca nënprefekturave e prefekturave që të organizojnë zyrat e Policisë dhe të caktojnë policët në detyrë. Strukturat e Policisë Vendore u shtrinë në 14 nënprefektura, me efektiv 5 komisarë, 8 nënkomisarë, 43 policë dhe u emërtuan “komiseri”.

Për herë të parë në historinë e saj, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë pati buxhetin e saj në Nëntor 1919, i cili u rrit më tej në vitin 1920, për fakt se u rrit në masën 30% paga e punonjësve të policisë me argumentin se “kjo ndikon në përmirësimin e gjendjes dhe rritjen e zellit të policëve”.

Viti 1920 solli riorganizimin e Policisë me drejtori policie në prefektura dhe shtimin e limitit organik të saj, duke promovuar në detyra shumë drejtorë dhe komisarë policie, shumë prej të cilëve vinin nga administratorë vendorë apo drejtues në strukturat e xhandarmërisë ose ushtrisë/milicisë.

Në vitin 1921 roli i Policisë u fuqizua dhe iu kushtua kujdes i posaçëm i aftësimit për kryerjen e veprimeve proceduriale që në çastin e njoftimit për ngjarjen, ndjekjen me shumë përgjegjësi të ngjarjeve kriminale dhe dokumentimin rigoroz të tyre në një raport në çdo dy javë. 

Kontrolli i territorit vlerësohej detyrë e rëndësishme dhe në metodën e policimit u kufizua e drejta e veprimit arbitrarisht ndaj individëve. 

Në vitin 1927 dhe 1928 kemi përpjekje për organizimin e Policisë sipas modelit italian dhe në zbatim të ligjit për Administratën Civile, duke synuar dhënien e të gjithë kompetencave prefektit për kontrollin e policisë.

Periudha 1939-1944 ishte në peshën e Luftës së Dytë Botërore dhe Policia në më të shumtën ishte strukturë e qetësisë në rrethana specifike që sjell lufta. 

Fillimisht ajo ishte pjesë e trupës së armatosur e Policisë në Shqipëri, në varësi të kryesisë së Këshillit të Ministrave, por e inkuadruar në trupën policore të Mbretërisë së Italisë. 

Në strukturën organizatave të saj spikatin Drejtoria Qendrore e Sigurimit Publik, zyrat e prefekturave, zyrat në nënprefektura dhe zyrat e kufirit dhe të post-porteve tokësore e detare. 

Kjo polici ishte në mbikëqyrjen e këshilltarit të përhershëm të policisë italiane dhe shumë funksionarëve të tjerë italianë. 

Duhet shtuar se pati fuqizim të policisë dhe rritje të gamës së përgjegjësive të saj.

Çlirimi nga pushtimi nazi-fashit i vendit solli politika të reja në misionin e policisë. Bërthamat e njësive policore të krijuara në zonat e çliruara gjatë luftës ishin të gatshme të merrnin përgjegjësinë e mbajtjes së qetësisë në vend.

Në maj 1945 mori jetë dokumenti zyrtar për organizimin e ri të policisë, kur u riorganizuan strukturat ushtarake të komandave të qarqeve dhe u krijua Policia Popullore.

Policia Popullore ishte strukturë e MPB, varej nga Drejtoria e saj dhe në periudhën 1946-1948 limiti organik ka variuar nga 2286 vetë në 3766 vetë.

Deri në vitin 1982 limiti organik i Policisë së Shtetit ka qenë përafërsisht në këto shifra, ndërsa zhvillimet ndërkombëtare dhe ato të brendshme ndikuan në rritjen e limit organik të Policisë aq sa në vitin 1991 shifra e punonjësve të rendit e të qetësisë arriti në kufijtë deri 21000 punonjës. 

Në fillimin e këtyre viteve kanë zanafillën krijimin e strukturave të forcave speciale, shtimi i masave të shumta të sigurisë për VIP-at dhe sidomos rritja e numrit të policisë kufitare. 

Periudha 1992 e në vijim u shoqërua me reformimim e strukturave, personelit, standarteve të policimit dhe përmirësimin e ndjeshëm të infrastrukturës. 

Nëse bëjmë bilancin e periudhës së rrugëtimit 105 vjeçar të Policisë Shqiptare, së pari kemi obligimin moral e shpirtëror të përulemi në shenjë të thellë nderimi e respekti para varreve të shenjta, lapidarëve apo memorialëve të punonjësve të Policisë të rënë në detyrë në emër të sakrificës sublime në përmbushje të misionit ligjor për të garantuar rendin e qetësinë publike në vend.

Së dyti, të nderojmë e vlerësojmë të gjithë pjesëtarët e ndershëm të Policisë, të gjithë ata që kontribuan dhe sakrifikuan në përballje me elementët kriminalë, në çdo skaj të atdheut, larg familjeve dhe në kushte jo të volitshme pune e jetese por me bindjen e brendshme dhe pasionin e lartë për t’i shërbyer me vigjilencë e rigorozitet ligjit, mbrojtjes së jetës së qytetarëve me jetën e tyre dhe garantimit të ardhmes së qetë në vend.

Policia Shqiptare ka vite që është krahas policive moderne evropiane, e barabartë dhe në frontin e përbashkët kundër krimit. 

Potencialet intelektuale e profesionale të Policisë Shqiptare janë të nivelit dhe standarteve që sigurojnë efikasitet të lartë në përmbushjen e misionit të saj, kryerjen ligjore e profesionale të përgjegjësive, si në fushën e krimit të organizuar ashtu edhe në atë të policimit në tërësi.

Policia Shqiptare, si asnjëherë më parë, sot është e inkurajuar nga partnerët ndërkombëtarë, është në bashkëpunim të ngushtë me shumë institucione ligjzbatuese dhe ka standarte e kapacitete të mjaftueshme për realizuar mjeshtërisht metodat e hetimit si dhe  disponon teknologjinë e informacionit e aplikon sistemet bashkëkohore përkatëse.

Policia Shqiptare ka merituar më shumë se tre tituj nderi në 105 vjet rrugëtimi përmes flakëve të krimit dhe triumfeve mbi vështirësitë e gjithanshme, duke shpalosur vlera profesionale, vlera njerëzore dhe fituar falënderimet e përzemërta si mbrojtësit e jetëve njerëzore, në shërbim të qytetarit, në zbatim të ligjit.

Arkiva

Dhjetor 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
26 27 28 29 30 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31 1 2 3 4 5 6