Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako i shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj inspektuan mesditën e sotme Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë -Thanë

Qafë-Thanëqf 1

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako i shoqëruar nga Drejtoresha e Departamentit për Kufirin dhe Migracionin Aida Hajnaj inspektuan mesditën e sotme Pikën e Kalimit Kufitar në Qafë -Thanë, për të parë nga afër zbatimin e masave për sezonin turistik, masat e shtuara për parandalimin e azil kërkimit, bashkëpunimin me policinë maqedonase për parandalimin dhe goditjen e krimit ndërkufitar, krimit të organizuar e trafiqeve të paligjshme.

(për video kliko mbi link)

Gjatë inspektimit Drejtori i Policisë së Shtetit Z. Haki Çako ka zhvilluar dhe një takim  në qendrën e përbashkët për koordinimin e informacionit mes dy policive, ku u takua me Drejtorin për Kufirin e Rajonit të Ohrit Z.Xhelal Lata, i cili shoqërohej nga shefi i luftës kundër Krimit të Organizuar dhe Komandanti i pikës kufitare Qafë -Thanë.

Çako dhe Lata kanë vlerësuar bashkëpunimin mjaft të mirë mes dy policive kufitare rajonale, ku ky bashkëpunim duhet marrë shembull për gjithë policitë e tjera.

Haki Çako:

Ne kemi një sërë marrëveshjesh midis Policive tona të cilat  zbatohen në mënyrë rigoroze dhe korrekte, akt-marrëveshjet  më së shumti funksionojnë atëherë kur ne kemi kontakte të drejtpërdrejta dhe qendra e shkëmbimit të informacionit, qendra e përbashkët është një model i shkëlqyer i këtij bashkëpunimi, këtij bashkëveprimi i cili do të vazhdojë me kontroll rigoroz ndaj të gjithë shkelësve të ligjit, me prioritet absolut të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve të ndryshme ndërkombëtare edhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të gjithë ata që i shmangen drejtësisë  në territorin dhe juridiksionin e shtetit shqiptar apo maqedonas.

Ju falenderoj  për të gjithë punën e bërë, sinqeritetin e treguar  dhe bashkëpunimin mjat të vlefshëm dhe efikas.

Jam i bindur se si kjo qendër bashkëpunimi do të kemi dhe në pika të tjera dhe do të vazhdojmë duke iu përcjellë qytetarëve të të dy vendeve se ligji është një për të gjithë.

Në mënyrë të veçantë jemi këtu dhe për një aspekt i cili është bërë tashmë shqetësim lidhur me lëvizjen e disa shtetasve  shqiptarë me qëllim dhe kërkesë për azilkërkim në vendet e BE,  të cilët deri diku janë shndërruar në një farë problemi për shtetin shqiptar por edhe për vetë ata, duke mos e kuptuar dhe mos e konceptuar qartë se integrimi i vendeve tona bëhet me rregulla, bëhet me norma dhe jo në mënyrë klandestine ose dhe duke shkelur parimet bazë të integrimit të BE.

Në këtë aspekt them që së bashku do vazhdojmë  kontributet për t'ju bërë të qartë atyre se azilkërkimi është një fenomen i cili nuk ekziston, e drejta për të përfituar në këtë mënyrë është zero dhe do të vazhdojë të jetë zero.

Ne u tregojmë dhe i orientojmë ata se ka forma të vazhdueshme ligjore, përmes kontratave ligjore të punës nëpërmjet  Ministrive përkatëse.

Xhelal Lata:

Për mua është një nder që t'ju takoj si Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Shqiptare.

Këtu jemi që të vëmë në dispozicion disa bashkëpunime që deri tani kanë qenë të shkëlqyera dhe ne ju falenderojmë juve për atë që bëni me kërkesat tona për të shmangur dhe për të luftuar krimin ndërkufitar, kalimin e paligjshëm të kufirit, trafiqet e paligjshme, trafikun e lëndëve narkotike dhe parandalimin e atyre shtetasve që kanë për qëllim kalimin e kufirit për arsye azilkërkimi.

Ne mund të jemi shembulli  më i mirë i bashkëpunimit mes dy policive pasi kemi rezultate konkrete,  ku mbi bazën e shkëmbimit të informacioneve të përbashkëta  kemi bërë  kapjen në flagrancë të personave që kanë shkelur ligjin.  

Më e reja që paraqitet si problematikë: kërkesa e azilkërkuesve të cilët vijnë nga Shqipëria dhe kalojnë në pjesën e shteteve europiane, në këtë drejtim bashkërisht  kemi hartuar  një plan të cilin po e zbatojmë rregullisht dhe si vend ku ne mbulojmë pjesën e aeroportit të parë aeroporti i Ohrit, që është një aeroport më i vogël  mirëpo për këta njerëz është shumë i përshtatshëm, që t’i kryejnë  veprat e tyre që të mund kalojnë në këtë pjesën e Europës duke menduar se këtu mund të kalohet më lehtë për shkak të dokumentacioneve të dyfishta që i kanë.

Dy javët e fundit janë kapur dy persona shqiptarë të cilëve në kontrollet e bagazheve të tyre iu gjetën edhe dokumente origjinale shqiptare.

Këtë luftë ne do ta  vazhdojmë bashkërisht  dhe do të jetë dhe më tepër rigoroze pasi është dhe një kërkesë e juaja, por ne do ta shtyjmë dhe më tepër bashkëpunimin e tanishëm  dhe në të ardhmen  që  ata  shkelës të kapen dhe normal të marrin dënimin e duhur.

Njëkohësisht dhe  qendra e re e komandimit  që mbulon pjesën kufitare, në këtë pjesë mendojmë se në të ardhmen do të kemi rezultate edhe më të mira.

Më pas Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki Çako ka dhënë një prononcim për mediat në lidhje me zbatimin e masave për përballimin e fluksit, parandalimin e shtetasve që tentojnë kalimin e kufirit me qëllim kërkesën për azilkërkim dhe për bashkëpunimin mes dy policive.

"Ne sapo përfunduam një takim me autoritetet policore rajonale të Maqedonisë në këtë pikë të kalimit dhe kontrollit kufitar, ku së bashku me Drejtoreshën e Departamentit të Kufirit dhe Migracionit dhe me Drejtorin Rajonal të Kufirit bashkëbiseduam lidhur me një sërë problematikash të bashkëpunimit kryesisht të luftës kundër krimit të organizuar, trafiqeve, por edhe të kontrollit ndërkufitar në zbatim të akt-marrëveshjeve për kontrollin dhe mbajtjen në mbikëqyrje të të gjitha zonave ndërkufitare edhe këtu, por edhe lidhur me një sërë çështjesh shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me sensibilizimin e gjithë qytetarëve shqiptarë të cilët kanë ndërmarrë një sërë iniciativash lidhur me azilkërkimin në vendet e BE, por edhe që shfrytëzojnë kalimin në territorin  e Maqedonisë nëpërmjet aeroportit të Shkupit por edhe të Ohrit për të lëvizur dhe  kërkuar më pas azilkërkim në vendet e BE.

Këtu ne bashkëbiseduam lidhur me kontroll të rreptë në zbatim edhe të urdhërit të fundit të nxjerrë pikërisht për kontrollin rigoroz të kritereve të përcaktuara nga BE në kuadër të të gjithë masave, por edhe të së drejtës së lëvizjes së lirë të qytetarëve shqiptarë, duke respektuar dhe për të qenë korrekt që të gjithë për të mos lejuar më pas penalitete për vetë ata dhe të gjithë personave të tjerë të cilët mundësojnë kalimin e paligjshëm të shtetasve shqiptarë.

Ne bashkëbiseduam për forcimin e masave të caktuara në urdhërin respektiv duke i bërë të qartë që të gjithë shtetasve shqiptarë të cilët deportohen kthehen inad ose kthehen me shkelje të konstatuara në vendet e BE jo vetëm që  penalizohen në të drejtën e tyre për të lëvizur por dhe do të kontrollen rreptësisht për të qarkulluar dhe udhëtuar në këto vende.

Pyetje: Zoti Drejtor pas urdhërit të lëshuar nga ana juaj  për respektimin e katër pikave të lëvizjes në zonën Schengen cili ka qenë rezultati?

Rezultati është i dukshëm pasi numri i azilkërkuesve kohëve të fundit ka rënë ndjeshëm pasi dhe shtetasit shqiptar janë ndërgjegjësuar, janë orientuar qartazi se mënyra për t'u punësuar dhe për të punuar ose për të qenë rezident në Bashkimin Europian është vetëm ajo e ligjshmja, duke iu drejtuar Ministrisë së Punës, Ministrisë së Jashtme apo të gjitha agjencive të tjera që mundësojnë këtë lëvizje të lirë dhe të ligjshme.

Por gjithashtu ne iu bëjmë thirrje të gjithë shtetasve shqiptarë që të jenë të kujdesshëm që pasojat më të mëdha vijnë pikërisht për ata por edhe për të gjithë shtetasit dhe qytetarët shqiptarë të cilët presin dhe shpresojnë që Shqipëria të integrohet në Bashkimin Europian dhe këto janë një sërë kushtesh të cilat duhet t’i plotësojmë të gjithë, por edhe që  përputhen me prioritetet dhe objektivat e Qeverisë Shqiptare, por edhe në vëmendjen e jashtëzakonshme që ka Kryeministri Edi Rama lidhur me këto objektiva.

Gjithashtu ne biseduam me palën maqedonase, me kolegët tanë lidhur me një sërë çështjesh të tjera pasi këtu kemi një qendër të përbashkët të shkëmbimit të informacionit në kohë reale.

Vlen të theksohet se është një nga qendrat më rezultative pasi bashkëpunimi është i drejtë, konkret, i prekshëm që konsiston në luftën kundër kontrabandës, trafiqeve, trafikut të drogës, trafikut të qenieve njerëzore dhe një sërë veprimtarive të tjera të paligjshme në të dy territoret, e vendit tonë dhe Maqedonisë.

Përcaktuam dhe ramë dakord për një sërë iniciativash të tjera që kanë të bëjnë edhe me patrullimet e përbashkëta si në zonat kufitare, por edhe mbi bazën e marrëveshjes që kemi bërë me autoritetet dhe me homologët tanë maqedonas. Ne vazhdojmë të patrullojmë edhe në zonat turistike si në Pogradec apo dhe në vendet e tjera, të plazheve të tjera të Shqipërisë, Sarandë, Vlorë etj., por edhe në Ohër, në vende të tjera turistike të Maqedonisë ku frekuentohen ndjeshëm nga shtetas shqiptarë.

Sot siç e shihni ka një fluks të jashtëzakonshëm që lidhet me interesin e shtetasve maqedonas por jo vetëm, edhe vendeve të tjera të Ballkanit, në drejtim të brigjeve të Shqipërisë për të pushuar aty, pasi plazhet shqiptare janë shndërruar tashmë në një qëllim në vetvete dhe një atraksion i jashtëzakonshëm për të gjithë pushuesit. Kjo konfirmohet me rritjen e numrit të pushuesve të cilët regjistrohen në këtë pikë në mënyrë të veçantë dy herë më shumë nga e njëjta periudhë e vitit të kaluar.

qf 1

qf 2

qf 3

qf 4

qf 5

qf 6

qf 7

qf 8

qf 9

Arkiva

Gusht 2017
He Ma Me En Pr Sh Di
31 1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30 31 1 2 3

Fushata Sensibilizuese

Video te tjera ...