Deklaratë e përbashkët e Policisë, Prokurorisë dhe SHÇBA mbi operacionin "272"- Goditet grupi kriminal, arrestohen 17 shtetas, 1 në kërkim.

Deklaratë e përbashkët e Policisë, Prokurorisë dhe SHÇBA: (për video kliko mbi link)Drejtori 15 maj 2018 1


Operacioni policor "272" (për video kliko mbi link)

Arrestohen në Shqipëri 17 shtetas, 1 në kërkim, mes tyre 2 punonjës policie. Trafikantët merrnin deri 20 mijë euro për person të trafikuar, shqiptar ose të huaj.

24 shtetas të tjerë të arrestuar në Dhjetor 2017 në bashkëpunim me Policinë Greke në Greqi.

Sekuestrohen 11 laboratorë që shërbenin për falsifikim dokumentesh, një shumë e madhe parash cash, si dhe pasaporta biometrike të BE-së të falsifikuara

Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë dhe Shërbimin për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) finalizuan me sukses operacionin e koduar “272”.

Gjatë këtij operacioni, të kryer në bashkëpunim edhe me agjencitë ligjzbatuese të vendeve partnere, janë arrestuar 41 shtetas shqiptarë, grekë dhe kombësive të tjera, mes tyre 2 punonjës policie, si dhe 1 shtetas është shpallur në kërkim.

Ndërkohë u zbuluan dhe sekuestruan 7 laboratorë në Greqi dhe 4 në Shqipëri për falsifikimin e dokumenteve, pajisje të ndryshme dhe një sasi e madhe parash cash, pasaporta biometrike të BE-së të falsifikuara.

Në koordinim të plotë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda u krye ndalimi i shtetasve të mëposhtëm për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave", “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve", “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Trafikimi i narkotikëve" dhe “Grupi i strukturuar kriminal”:

1. I.M., 60 vjeç, nga Tirana
2. A.M., 54 vjeç, nga Tirana
3. M.M., 29 vjeç, nga Tirana
4. A.Xh., 57 vjeç, nga Tirana
5. G.S., 37 vjeç, nga Tirana
6. F.H., 53 vjeç, nga Shkodra
7. E.Ç., 43 vjeçe, nga Tirana, punonjëse policie
8. A.U., 39 vjeç, nga Tirana, punonjës policie
9. K.B., 48 vjeç, nga Tirana
10. A.K., 54 vjeç, nga Tirana
11. I.A., 47 vjeç, nga Tirana
12. Y.G., 63 vjeç, nga Shkodra
13. A.L., 61 vjeç, nga Tirana
14. Sh.M., 46 vjeç, nga Tirana
15. Q.H., 60 vjeç, nga Tirana
16. R.H., 22 vjeçe, nga Shkodra
17. V.M., 27 vjeç, nga Shkodra
Gjithashtu u shpall në kërkim shtetasi L.S., 26 vjeç, nga Gjirokastra.

Policia e Shtetit në nëntor 2016, në bazë të informacioneve të siguruara kishte regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda procedimin penal për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Nisur nga informacionet e mbledhura dhe të administruara është dokumentuar me prova se shtetasit A.M., M.M., A.Xh., në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikime të dokumenteve si letërnjoftime, pasaporta, viza, duke pajisur persona të ndryshëm kundrejt përfitimit monetar dhe material. Nëpërmjet linjave ajrore dhe linjave të tjera të udhëtimit, ky grup transportonte njerëz në shtete të ndryshme, kryesisht: SHBA, Kanada dhe Mbretëri e Bashkuar.

Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të këtij procedimi penal rezultoi se shtetasit I.M., A.M., M.M., A.Xh., G.S., F.H., E.Ç., K.B., A.K., I.A., Y.G., A.L., Sh.M., Q.H., në bashkëpunim me njëri-tjetrin në kuadër të grupit të strukturuar kriminal siguronin persona, të cilët kishin interes për të udhëtuar në shtetet e përshkruara më sipër, shtetas shqiptarë dhe të huaj.

Pasi i pajisnin me dokumente identifikimi të falsifikuara, kundrejt përfitimit monetar u krijonin kushtet në mënyrë të paligjshme të udhëtonin drejt SHBA-së, Kanadasë, Mbretërisë së Bashkuar. Nisja e personave me dokumente të falsifikuara bëhej nga Shqipëria, Mali i Zi, Italia, Greqia, Franca dhe Norvegjia.

Në funksion të këtij hetimi janë dokumentuar disa episode ku personat e mësipërm, kanë falsifikuar dokumente të udhëtimit dhe kanë dhënë ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit disa shtetasve.

Në këmbim për këtë aktivitet të paligjshëm ata merrnin nga personat e trafikuar shuma të konsiderueshme të vlerave monetare që shkonin deri në 20 mijë euro për person.

Në bashkëpunim me disa agjenci ligjzbatuese partnere të huaja, veçanërisht me autoritetet policore greke, në dhjetor 2017 është bërë i mundur arrestimi i 24 personave anëtarë të këtij grupi kriminal me aktivitet në Greqi, kryesisht shtetas shqiptarë dhe grekë, por edhe të kombësive të tjera, të cilëve u janë sekuestruar 7 laboratorë për prodhimin e dokumenteve të falsifikuara.

Shtetasit G.S., dhe A.M., ishin ndërlidhësit mes dy pjesëve të grupit që vepronte në Shqipëri dhe Greqi. Ndërsa shtetasi M.M., ishte në rolin e korrierit mes tyre.

Në këtë veprimtari kriminale është evidentuar përfshirja edhe e dy punonjësve të policisë, E.Ç., dhe A.U., të cilët duke shpërdoruar detyrën kanë kryer veprime korruptive kundrejt shumave monetare, si dhe kanë ndihmuar pjesëtarët e këtij grupi kriminal për zhvillimin e aktivitetit kriminal duke shfrytëzuar të dhënat që dispononin për shkak të detyrës si punonjës policie.

Gjatë operacionit nga policia janë gjetur dhe sekuestruar shumë prova materiale që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti kriminal.

Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Krimeve të Rënda Tiranë, po vijon punën për dokumentimin e plotë dhe zbardhjen e gjithë skemës së falsifikimit të dokumenteve dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Për të gjithë shtetasit e mësipërm ka filluar hetimi pasuror në kuadër të operacionit "Forca e Ligjit".

Drejtori 15 maj 2018 1

Drejtori 15 maj 2018 2

Operacioni policor 272 1 15 maj 2018

Operacioni policor 272 2 15 maj 2018

Operacioni policor 272 3 15 maj 2018

Operacioni policor 272 4 15 maj 2018

Arkiva

Tetor 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31 1 2 3 4