Berlin – Ministri Xhafaj dhe Drejtori Veliu, takime me Drejtuesit kryesorë të Policisë Federale gjermane

Berlin – Ministri Xhafaj dhe Drejtori Veliu, takime me Drejtuesit kryesorë të Policisë Federale gjermaneBerlin 23 qershor 2018 1 - Cover

Gjatë vizitës në Berlin, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu u pritën nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Federale, zoti Dieter Romann. 

Duke vlerësuar nivelin e shkëlqyer të bashkëpunimit me Policinë shqiptare, z.Romann, u shpreh se “jam i nderuar dhe shumë i lumtur për këtë mundësi për t’u takuar dhe për të biseduar rreth temave të përbashkëta”. 

Ministri Xhafaj theksoi se qëllimi i vizitës është konsolidimi më tej i marrëdhënieve të deritanishme, për t’i bërë model në rajon. 

Në këtë kontekst, z.Xhafaj u shpreh se asistenca dhe përvoja e Gjermanisë është shumë e rëndësishme, veçanërisht nga këndvështrimi strategjik, në kushtet e procesit të reformimit të Policisë. 

Në vijim, ata u ndalën tek situata aktuale lidhur me migracionin e paligjshëm dhe problemet me të cilat po përballet Policia e Shtetit në menaxhimin e kësaj situate. 

Për këtë çështje, shtoi ministri Xhafaj, kam diskutuar edhe me Komisionerin e BE-së, z.Avramopoulos dhe kam kërkuar mbështetje financiare dhe logjistike nga Brukseli. 

Duke marrë në konsideratë origjinën e flukseve migratore dhe rrugën që ndiqet për të depërtuar në vendet e BE-së, palët ndanë të njëjtin mendim se bashkëpunimi ndërkombëtar është thelbësor në menaxhimin e këtyre flukseve. 

Për Gjermaninë, u shpreh z.Romann, përballimi i situatës që lidhet me migracionin është detyrë parësore e Ministrisë së Brendshme dhe Policisë Federale, kjo edhe e lidhur me mungesën e informacionit nga vendet e origjinës, vështirësisë në identifikimin e individëve, apo problematika të sigurisë që shoqërojnë këtë fenomen. 

Lidhur me këtë çështje Drejtori Ardi Veliu u ndal tek masat që ka ndërmarrë Policia e Shtetit, veçanërisht ajo kufitare për një menaxhim sa më të mirë të regjimit të kufirit. 

Ai u ndal po ashtu, edhe në mungesën e kapaciteteve njerëzore dhe teknike të nevojshme për përballimin e situatave të tilla. Z.Veliu falënderoi Policinë Federale për ndihmën që i ka ofruar Policisë së Shtetit.

Z.Romann u shpreh se ishte shumë i impresionuar nga arritjet dhe bashkëpunimi me Policinë e Shtetit.

Ai pranoi me shumë entuziazëm ftesën e Ministrit Xhafaj për të vizituar Tiranën.

Një tjetër takim u zhvillua në Policinë Kriminale Federale, midis Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Ardi Veliu, shoqëruar nga Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Eduart Merkaj dhe Drejtorit të Bashkëpunimit Ndërkombëtar, Arsimimit dhe Kërkimit Shkencor në BKA, z.Gerhard Hantschke. 

Z.Hantschke tha se bashkëpunimi aktual është në nivele të larta. Ata ranë dakord mbi rritjen e këtij bashkëpunimi, si në fushën e krimit të organizuar, krimeve të drogës, trafikimit të personave, vjedhjeve të banesave etj. 

Zyrtari i Policisë gjermane përmendi në mënyrë të veçantë bashkëpunimin në kuadër të Task Forcës "Anti Skifter" si dhe "Forca e Ligjit".

Drejtori Veliu e njohu bashkëbiseduesin me prioritetet e Policisë së Shtetit, si: lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike, operacionin "Forca e Ligjit". Z.Veliu theksoi se për një nga grupet e goditura është bashkëpunuar ngushtësisht me BKA gjermane.

Takimet u zhvilluan në një frymë të hapur dhe shumë miqësore. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se ky bashkëpunim i shkëlqyer sot mes dy vendeve, do t’ju shërbejë edhe brezave nesër.

Berlin 23 qershor 2018 1

Berlin 23 qershor 2018 2

Arkiva

Shtator 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30