Takim i Drejtorëve të Policisë Kriminale në kuadër të PCC SEE: Sfidat e Sigurisë lidhur me Rritjen e Fluksit Migrator, Krimet e Rënda dhe atë të Organizuar dhe Kontribut për veprimet e IISG

Takim i Drejtorëve të Policisë Kriminale në kuadër të PCC SEE: Sfidat e Sigurisë lidhur me Rritjen e Fluksit Migrator, Krimet e Rënda dhe atë të Organizuar dhe Kontribut për veprimet e IISG 

01-03 Tetor 2018, në Tiranë, po zhvillohet takimi i drejtuesve të Policisë Kriminale të vendeve Palë të Konventës së bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, si dhe të partnerëve të tjerë dhe organizmave të tjera ndërkombëtare, që në fokus kanë bashkëpunim policor rajonal dhe më gjerë.

Ky takim realizohet në kuadër të PCC SEE, ku Shqipëria ka kryesinë e radhës.

Takimin e përshëndetën Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.


Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Ardi Veliu:

I nderuar Zoti Ministër,

I nderuar Zoti Herko,

Tё nderuar Drejtues të Policisë Kriminale anëtarë të Konventës së Bashkëpunimit Policor,

Të nderuar përfaqësues të ftuar dhe vëzhgues,

Të nderuar të pranishëm të organizatave rajonale ndërkombëtare,

Të nderuar zonja dhe zotërinj pjesёmarrёs!

Ёshtё e veçantё pёr mua pjesëmarrja nё kёtё aktivitet tё rёndёsishёm tё Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, gjithashtu e ndjej veten të privilegjuar si Drejtor i Përgjithshëm i vendit organizator dhe Policisë Shqiptare e cila ka presidencën e radhës.

Takimi i sotëm, ashtu si dhe takimet paraardhës, janë mjaft tё rёndёsishëm dhe japin njё kontribut tё çmuar nё forcimin e mёtejshёm tё bashkëpunimit ndёrmjet Policive tё vendeve tё Rajonit dhe të Europës, nё luftёn e pёrbashkёt ndaj krimit tё organizuar dhe tё gjitha llojeve tё trafiqeve tё paligjshme, pёrfshirё kёtu dhe luftёn kundёr trafikut tё qenieve njerëzore dhe azilkërkimin e paligjshëm.

Dua së pari të falënderoj për mbështetjen e dhënë nga Zvicra, Komisioni Europian, DCAF dhe Lihtenshtejni, të cilët janë treguar të pa kursyer të sigurojnë fondet për takimet e grupeve të ndryshme të punës, të japin rekomandime dhe këshilla shumë të vlefshme ligjore, si dhe të asistojnë Sekretariatin e Konventës.

Dёshiroj tё sjell nё vëmendjen Tuaj se Policia Shqiptare, është e qartë për qëllimin e Konventës, ne po ecim në rrugën e mbarë për të adaptuar standartet e Schengen-it, nëpërmjet rritjes së bashkëpunimit strategjik policor në rajon e në Europë.

Policia e Shtetit Shqiptar, ka mbështetur pa rezerva programin 18 mujor të sugjeruar nga Sekretariati i Konventës së Bashkëpunimit Policor për Europën Juglindore, duke theksuar dhe ndjekur me precedencë prioritet për Shqipërinë duke ndёrmarrё hapa tё rёndёsishёm nё disa fusha:

• Në atë të shkëmbimit të një game të gjerë informacioni për grupet kriminale dhe individët e përfshirë në krime.

• Kemi përshtatur metodat dhe legjislacionin mbi migracionin dhe sigurinë kufitare duke bërë përpjekje për të zhvilluar hetime të përbashkëta dhe marrë masa parandaluese në këtë fushë.

• Tashmë po zhvillojmë analiza të përbashkëta të riskut me homologët e vendeve të tjera.

• Po kryejmë hetime dhe operacione të përbashkëta.

Dua të theksoj se kemi gjetur një mbështetje të madhe nga Ministria e Brendshme, e cila po mbështet ngushtësisht Policinë Shqiptare duke parë mundësinë që gjatë Kryesimit Shqiptar të PCC SEE, të zhvillohen në Shqipëri tre aktivitete.

Takim i sotëm i krerëve të Policive Kriminale, mbi Sfidat e Sigurisë që lidhen me flukset migratore në rritje, 1-3 tetor, Tiranë.

Takimi i 8-të, i Grupit Tematik të Punës mbi Shkëmbimin e Informacionit lidhur me Dokumentet e Rreme dhe të Falsifikuara.

Takimi i 20-të i Grupit të Punës të Ekspertëve.

Tё nderuar pjesёmarrёs,

Në takimin që fillon sot, besoj se do të arrihen rezultate dhe vendimmarrje të rëndësishme, për një përqasje gjithëpërfshirëse në zbutjen e sfidave të sigurisë që lidhen me flukset migratore, si dhe për një sukses të përpjekjeve të palëve të PCC SEE në luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme.

Drejtuesit e Policive Kriminale do të kenë mundësi të shkëmbejnë praktikat më të mira të tyre në drejtim të bashkëpunimin ndërkufitar, të identifikojnë nevojat dhe veprimet e mëtejshme që duhet të ndërmerren dhe të diskutojnë mundësitë për shfrytëzimin e mjeteve operacionale të PCC SEE.

Një vëmendje e veçantë duhet t'i kushtohet veçanërisht shkëmbimit të zyrtarëve dhe Integrimin e Brendshëm në Procesin e Politikave të Qeverisjes së Sigurisë (IISG).

Jam shumë i bindur se rezultatet e takimit pritet të kontribuojnë në Planin Rajonal të Reagimit të Shpejtë të Veprimit të IISG, për të zbutur sfidat e migracionit dhe për të parandaluar një krizë të dytë të migrimit të Ballkanit Perëndimor duke iu përgjigjur nevojave të identifikuara deri më sot.

Ne pёrfaqёsuesit e policive të rajonit e më gjerë, ndajmё tё njёjtin mendim se krimi nuk njeh kufij dhe suksesi ndaj tij ёshtё njё luftё e pёrbashkёt e tё gjithёve ne.

Intensifikimi e forcimi i bashkёpunimit ndёrmjet organizatave tona homologe tё rajonit dhe të gjithë Europës do të jetë hapi i duhur pёr njё efikasitet të sigurt.

Duke Ju falënderuar për vëmendjen.

Ju uroj punime të mbara të Konventës!: Sfidat e sigurisë lidhur me rritjen e fluksit migrator, krimet e rënda dhe atë të organizuar dhe kontribut për veprimet e IISG

WhatsApp Image 2018-10-02 at 11.06.25

WhatsApp Image 2018-10-02 at 11.06.251

WhatsApp Image 2018-10-02 at 11.06.252

Arkiva

Tetor 2018
He Ma Me En Pr Sh Di
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31 1 2 3 4