Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, për aplikimet e studentëve, për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit

Drejtori i Akademisë së Sigurisë, Drejtues i Lartë Bilbil Memaj, për aplikimet e studentëve, për tu bërë pjesë e Policisë së Shtetit bl1
 
Jemi tani  në rubrikën Opinion me ne në studio është z. Bilbil Memaj, Drejtori i Akademisë së Sigurisë.  
 
Ola Bruko:
Përshëndetje dhe mirëserdhe  z. Memaj, në studion tonë të lajmeve .
Ka nisur prej datës 1 të këtij muaji aplikimet për t'u bërë pjesë e Policisë së  Shtetit, ky afat skadon  më 15 nëse nuk gabohem , si po shkon kjo procedurë?  Si aplikohet, kush merr pjesë në këtë aplikim kush janë kriteret?
 
Z.Memaj:
Faleminderit për ftesën dhe faleminderit që më jepet mundësia për të ndihmuar të gjithë ata pas-universitarë që të bëhen pjesë e Policisë dhe me këtë rast dua të sqaroj dhe disa momente të cilat ndoshta nuk janë shumë të qarta në portalin tonë të  Akademisë së Sigurisë dhe nëpër zyrat tona të drejtorive vendore dhe komisariateve të policisë.
Policia e Shtetit e pati të nevojshme që të marë nga pas-universitarë kryesisht nga tre profile: të profilit ekonomik që kanë mbaruar "master" por edhe "bachelor" në këtë profil,  të profilit juridik dhe të profilit të shkencave kompjuterike, për t'u bërë pjesë e Policisë së Shtetit.
Kjo është një nismë e Ministrit dhe Drejtorit të  Përgjithshëm të Policisë, për të plotësuar një vakum sepse Akademia e Sigurisë nuk ka mundësi për të nxjerrë profilet të tilla, por që janë shumë të domosdoshme për Policinë e Shtetit.
 
 Ola Bruko:
Pra më së shumti kërkohe për administratën e Policisë? 
 
Memaj:
Jo për administratën e Policisë, por të kthehen në oficerë të mirëfilltë Policie, pasi do të merren me hetime policore, kryesisht të krimit të organizuar dhe të korrupsionit, por jo vetëm këto, do jenë edhe oficerë të profileve të tjera, pasi para se të marrin detyrën ata do të bëjnë një kurs të zgjeruar me një program  të përcaktuar në Akademinë e Sigurisë dhe aty do të certifikohen dhe diplomohen dhe pastaj do të marrin detyrën.
 
Edvin Parruca:
Z. Memaj, ndërkohë unë e kuptojë që policisë i duhen njerëz të specializuar për krime specifike si krimi i organizuar, ekonomik, financiar , krimi kompjuterik që zhvillohet mes rrjeteve kompjuterike dhe ju doni të tërhiqni këta. Përse ju  duhen këta studentë që kanë mbaruar "masterin në degë të tilla të kërkuara  dhe kërkoni dhe ekselentë më tepër, pse duhet ata që t'i bashkohen Policisë së Shtetit?
 
Memaj:
Po sepse e para njëherë ne kemi nevojë për ta, pasi mendojmë që të gjithë duhet ta bëjë këtë gjë, prandaj edhe ata e kanë mundësinë që t'i japin një kontribut në sigurinë publike në Shqipëri, përveç saj të punosh në Polici, të policosh, është shumë interesante dhe është punë që të rinj dhe të reja janë të interesuar për këtë.
Pavarësisht se ne e kemi të nevojshme unë mendoj qe zgjidhja me e mire do të ishte kjo që universitetet tona kanë nxjerr studentë të cilët janë ekselentë, por ne i kërkojmë mesataren mbi 8 dhe natyrisht që do të marrim më të mirët dhe që duhen të punojnë në Polici pasi kjo mundësi është shumë e mirë për Policinë, por shumë e mirë dhe për ata, pasi në rastin se ata do të hyjnë në polici, do t'i nënshtrohen kursit, ata e kanë punësimin e garantuar dhe kanë një pagë shumë të mirë. 
 
Ola Bruko:
Pra punësimi është  i garantuar për ato që do të zgjidhen?
 
Memaj:
Sigurisht pasi ne flasim dhe kërkojmë student të tillë, për nevojat që kemi vendet janë bosh dhe këto do plotësohen.
 
Ola Bruko:
Sa vende bosh keni?
 
Memaj:
Këto vende tani që ne flasim janë 150 dhe ne do te marrim 150 nga këto të profile
 
Ola Bruko:
Ndërkohë sa mund të jetë numri i atyre që kanë aplikuar dhe do të aplikojnë?
 
Bilbil Memaj:
Sa më shumë duam ne, që të zgjedhim më të mirët.
 
Ola Bruko:
Si aplikohet? Vetëm online apo...?
 
Bilbil Memaj:
Aplikohet në dy forma. Tani ne kemi lançuar që para datës 1 shkurt. Akademia e Policisë ka një portal të vetin në faqen e Akademisë.
Menjëherë sa futesh, menjëherë del "Aplikoni këtu". Por edhe në të gjitha rubrikat e faqes online, po të klikosh të del prapë kjo rubrikë dhe menjëherë sqarohesh se çfarë duhet të bësh.
Janë dokumente të thjeshta, si fillim duhet diploma "bachelor" apo diploma "master", dhe lista e notave e ngarkuar në portal. Pastaj duhet ID kartë ose pasaporta, çfarë mund të ketë dhe me kaq ata mund të aplikojnë si fillim. Pastaj do të duhen dokumente të tjera të cilat kanë të bëjnë me kriteret e përgjithshme, sepse janë kriteret ligjore që nuk mund të bëhesh oficer nëse nuk je mirë me shëndetin nga ana fizike, mjekësore etj.
 
Edvin Parruca:
Ata që kanë mbaruar "master" ose "bachelor" në fushat përkatëse, çfarë duhet të bëjnë tani, çfarë duhet të vijnë të bëjnë ata në akademi?
 
Bilbil Memaj:
Ata duhet të vijnë të bëjnë një program që është enkas për ta, që ne e kemi përgatitur dhe këtu do të mësojnë se si policohet.
 
Edvin Parruca:
Çdo të thotë?
 
Bilbil Memaj:
Do të thotë që ata do të mësojnë procesin e policimit, procesin e hetimit por jo vetëm kaq, do të mësojnë edhe shumë elementë fillestarë, që në fakt tek ne i mësojnë ata që vijnë për herë të parë nga shkolla e mesme, por këto u duhen se kanë të bëjnë me njohjen e armatimit, me mënyrën e përdorimit të tyre etj. Do të mësojnë armët, do të bëjnë qitje, do të mësojnë rregullat e policit, rregullat e oficerit të policisë...
 
Ola Bruko:
Do t'i duhen?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht, sepse nuk mund të punojnë dot. Pra, do të mësojnë procedurën dhe këto janë shumë të domosdoshme për një oficer, pasi të policosh pikë së pari është një lloj shërbimi që nuk mund të bëhet pa procedurë dhe procedurat janë ligjore dhe janë në bazë të akteve normative të cilat dalin nga Ministria apo nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë.
 
Edvin Parruca:
Çfarë eksperience kemi ne në drejtimin e ndryshimit të këtij, se kam përshtypjen që një i ri ose një e re që ka mbaruar deri në "master" për shkenca kompjuterike apo për financë, ndoshta ka pasur një vizion krejt tjetër për jetën. Si bëhen oficerë policie?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht por prapë ai vizion është për të, të njëjtën punë do bjë por do ta bëjë në një profil tjetër. Tani gjërat kanë ndryshuar kaq shumë për shkak të teknologjisë. Tridhjetë vjet më parë ne i mësonim policëve se si të mbronin për shembull bankat nga sulmet e forta me armë...tani kjo ndodh shumë rrallë. Por ama me një kompjuter mund ta vjedhësh bankën dhe kjo është tani evidente. Natyrisht që ne si Policia apo si Akademi nuk mund t'i plotësojmë këto boshllëqe me oficerët që neve trajnojmë apo shkollojmë. Prandaj edhe ne kërkojmë elitë në këtë drejtim, sepse pikërisht për këtë duhet elita. Sepse edhe profili i krimit të organizuar apo korrupsionit, nuk është se bëhet nga ata njerëz që më përpara kanë probleme sociale pastaj dhe bëjnë ndonjë krim apo vjedhin ndonjë banesë. Kjo bëhet nga njerëz që e njohin mirë teknologjinë, janë shumë të sofistikuar. Ndaj dhe policia duhet të jetë në këtë drejtim shumë e përgatitur për ta bërë këtë punë.
 
Edvin Parruca:
Doja të dija si është sot Policia përballë këtyre fenomeneve që janë relativisht të reja, duhet të keni qenë një hap mbrapa besoj...
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht ne kemi ekspertë në polici, që kanë mbaruar këto fakultete, por i kemi marrë në vite.
 
Edvin Parruca:
Po që sjanë të mjaftueshëm besoj....
 
Bilbil Memaj:
Po tani nuk janë të mjaftueshëm, për shkak edhe të sofistikimit të krimit, të krimit të organizuar që nuk ka lidhje vetëm me Shqipërinë, por edhe më gjerë, sepse do të thosha që nuk na duhen vetëm që të jenë të mirë në këto profile, por do të thosha që një nga kriteret është të njohin mirë gjuhen angleze por edhe gjuhë të tjera, nësë është e mundur. Edhe për këtë do të vlerësohen. Por ndoshta është pyetja juaj më mbrapa kjo, dhe do ta sqaroj
 
Edvin Parruca:
Tani duhen njerëz që të njohin dhe të kuptojnë transaksionet nga një bankë në tjetrën, si shkon paraja
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht, në këtë mes, nuk është se po e bëjmë ne këtë për herë të parë, ne e kemi bërë edhe vite më parë por ka shumë vite që nuk e kemi bërë se ata që ishin e plotësonin atë dhe ka pasur një problem që akademia 10 vjet ka qenë e mbyllur sepse pavarësisht se mund të jenë ekspert shumë të mirë, duhet patjetër që të mëso jnë mënyrën e policimit se këta nuk është se fjala vjen, një jurist, mund të jetë jurist shumë i mirë, por duhet të mësojë për hetimin policor, domethënë ka një grup temash, një kurrikulë e cila duhet të përvetësohet patjetër nga ata dhe kur ata e mësojnë këtë atëherë më shumë lidhen me Policinë e Shtetit, dhe pastaj nuk ikin nga kjo karrierë.
 
Ola Bruko:
Këto 150 vende bosh janë krijuar për ndonjë shkak të caktuar, apo si pasojë e zgjerimit tuaj?
 
Bilbil Memaj:
Jo, këto boshllëqe janë krijuar, sepse të bëhesh Nënkomisar, duhet të mbaroje një shkollë "bachelor" që nuk ekzistonte dhe ne e kemi hapur vonë ketë shkollë, është viti katërt që e kemi, natyrisht kemi 4 vjet, por na u deshën 3 vjet të nxirrnim grupin e parë dhe këto nuk mund t'i plotësojmë as dhe duke vazhduar akademinë, por meqenëse bëjmë të njëjtën punë duke plotësuar këtë boshllëk me "Nënkomisar", por dhe kërkesën e departamenteve të luftës kundër krimit të organizuar që ne kemi, ne plotësojmë dy nevoja shumë interesante,edhe plotësimin organik që kemi bosh, pra ata pasi të mbarojnë janë direkt në punë, pra ne ngremë nivelin e Policisë, ngremë performancën e Policisë nga ana profesionale por jo vetëm, por edhe pikëpamja tjetër, e kulturës së përgjithshme sepse mendojmë se këta që do vijnë janë edhe elitë.
 
Ola Bruko: 
Ata janë në punë kur të mbarojnë këtë kursin, që nuk e kuptova ishte 6 muaj apo 1 vit.
 
Bilbil Memaj:
Ditën që këta mbarojnë kursin dhe certifikohen pozitivisht, automatikisht ata marrin vendin e punës dhe gradën "Nënkomisar".
 
Ola Bruko:
Ky është 6 muaj apo 1 vit, ky kursi.
 
Bilbil Memaj:
Ky është 6 muaj
 
Ola Bruko:
A është i mjaftueshëm?
 
Bilbil Memaj:
Është intensiv, domethënë nuk do bëjnë 4 orë mësim në ditë por do të bëjnë shumë orë, është një program gati 9 - mujor.
 
Ola Bruko:
Ju besoj e keni testuar këtë program, besoni që është i mjaftueshëm?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht jo tani, por dhe vite më përpara janë aty
 
Ola Bruko:
Ky është pa pagesë apo me pagesë?
 
Bilbil Memaj:
Kjo është pyetje shumë interesante sepse aplikantët nuk e kanë bërë këtë pyetje asnjëherë, por unë po i sqaroj. Kursi është pa pagesë, por përkundrazi ata do të marrin një pagesë prej 10 000 lekë të reja çdo muaj dhe përveç kësaj nuk kanë asnjë shpenzim as në veshje, as një ushqim as në fjetje, d.m.th i kanë falas nga shteti, sepse statusi i tyre është i kursantit të Policisë, por ata nuk kanë asnjë status tjetër, nëse ata nuk certifikohen, domethënë në momentin që ata nuk certifikohen, ikin në punën e tyre dhe nuk bëhen oficerë policie, pra duhet patjetër të diplomohen.
 
Edvin Parruca:
Meqë po flasim për këto kurse që nuk kanë një zgjatje normale akademike prej disa vitesh, Akademia ofron, bën dhe kurse të shkurtra të specializuara për problematika të veçanta që ka nevojë Policia, pra janë duke u zhdërvjelltësuar në këtë drejtim?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht, ne kemi një departament në Fakultetin e Hetimit që merret vetëm me kurset e vazhduara, i cili është shumë i kujdesshëm për të bërë të gjitha kurset që ka nevojë policia dhe jo vetëm se dhe institucionet e tjera trajnohen tek ne, dhe që kanë lidhje me ndryshimet qoftë juridike apo teknologjike dhe menjëherë pas tyre formulojmë kurrikulën dhe i ftojmë punonjësit e policisë që të vijnë ta bëjnë këtë kurs. Kjo është në mënyrë të vazhduar 300  - 400 kurse afatshkurtra në vit dhe janë gati rreth 3000 punonjës policie që kalojnë në Akademi vetëm për kurset, përjashto shkollën, që kanë të bëjë me të rejat në fushën teknologjike dhe juridike dhe probleme të tjera që kanë të bëjnë me menaxhimin, menaxhimin operacional, me menaxhimin e forcave me trajtimin, me motivimin. Për të gjitha këto ne i sjellim dhe u bëjmë kurse të tilla. Jo vetëm kaq, por ne për këtë kemi një matricë të miratuar dhe mbështetemi edhe nga Bashkimi Evropian, pasi Akademia tashmë është pjesë e rrjetit të FRONTEX-it, për sa i përket Kufirit dhe bashkëpunon ngushtë me "CEPOL- in" që është kolegji evropian i Policisë së bashkuar.
 
Edvin Parruca: 
Zoti Memaj, ju shoh që ndiheni shumë mirë në drejtimin e Akademisë së Sigurisë, ju keni qenë dikur drejtues i Policisë së Shtetit, nga Akademia si duket situata me të cilën përballet Policia e Shtetit sot? Ndërkohë që flitet shumë për mënyrën se si po përballet, për atë se si duhet të ishte. 
 
Bilbil Memaj: 
Kjo është çështje perceptimi. Për mua ka shumë nevojë Policia që të ngrejë nivelin e saj profesional, por nuk është bërë pak deri tani. Problemi është që ne jemi të orientuar se ku do shkojmë, modelin e kemi se ku dhe duhet të përpiqemi që të ecim. Është një lëvizje që është vërtet e detyruar, por duhet të jetë e matur, sepse nuk mund të ecësh më shpejt sesa i ke mundësitë. Mund të kesh potenciale, por fuqitë janë ato që potencialin e vënë në punë, në lëvizje. Dhe ne mundohemi që të kapim kohën, pasi vitin që shkoi, ne jemi lidhur me shumë Akademi të BE-së dhe kemi marrë modelet e tyre, kemi sjellë pedagogët e atyre në Akademi për të trajnuar dhe jo çfarë themi ne, çfarë thonë ata. Ata kanë mendimin se po ecet, po ndryshon shumë mirë Policia.
 
Edvin Parruca:
Po është çështje edukimi, trajnimi? Se pastaj ju e njihni edhe përballjen reale? 
 
Bilbil Memaj: 
Po flas për kurset, se për shkollimin është problem tjetër. Kurset i bëjnë ata që janë në terren. Kjo ka të bëjë edhe me mënyrën e sjelljes me qytetarët, sepse deviza e Policisë është zbatimi i të drejtave të njeriut, nëse nuk zbatohen të drejtat e njeriut pavarësisht si ti vepron, se ti mund ta zbatosh si të duash "goditjen" e shkopit, por problemi është se sa, si dhe kur? Në këtë mes, unë mendoj që policia ka qenë korrekte me këto dhe ka filluar që të ketë rezultate edhe në operacione, kryesisht dhe në bashkëpunim me ndërkombëtarët, po flas tani për krimin e organizuar, sepse mendoj që defektet tona janë jo në sigurimin e rendit, sesa në goditjen e kriminalitetit sidomos korrupsionit, që është një problem shumë i madh dhe që nuk duhet vetëm policia, por duhet të gjithë të ndikojnë, pastaj për sa i përket rendit ka një problem që duhet që shoqëria të kuptojë që siguria publike është e të gjithëve, Policia është e specializuar për të bërë punën e vet, ndërsa në sigurinë publike duhet të marrin pjesë të gjithë, ku nuk futet vetëm siguria ndaj kriminalitetit, por dhe siguria ndaj shumë fenomeneve të tjera që lidhen me sigurinë ndaj individit, që është siguria ndaj prishjes së mjedisit, ushqimit, të gjitha këto hyjnë në sigurinë e njeriut dhe nuk na duhet një shoqëri e cila të ketë probleme kaq të mëdha.
 
Ola Bruko:
Ngjarja e Kavajës hyn gjithashtu tek siguria e njeriut?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht edhe ajo, por mesa jam unë i informuar policia ka vepruar në kohë, sepse brenda 24 orëve është proceduar në prokurori, në gjykatë.
 
Edvin Parruca:
Është e përgatitur policia jonë për të vepruar në ngjarje të tilla që janë shumë delikate?
 
Bilbil Memaj:
Natyrisht, këtu për sa i përket veprimeve procedurale është e përgatitur. Këtu ka një problem shumë të madh që ka të bëjë me anën psikologjike, me anën e trajtimit ku duhet të futen psikologët se këto janë probleme të vështira dhe shumë delikate, p.sh: unë mendoj që mënyra si shfaqet dhe se si publikohet, ok, duhet dhënë, por jo në këto ngjyra kështu se nuk është mirë. Policia duhet të bëjë punën e vet dhe ka një procedurë, nëse nuk e bën atëherë duhet të përgjigjet dhe gjërat janë të prekshme, të dokumentuara, por  mënyra pastaj sesi qasemi ne si shoqëri, është problem shumë i vështirë, por kjo do pak edukim dhe qëndrim shoqëror tjetër, se nuk është puna që nuk ndodh në vendet e tjera, problemi është se të tjerët e trajtojnë ndryshe, sepse këtu goditet jo vetëm që ndodhi krimi, por do të goditet prapë për së dyti, subjekti i ngjarjes.
 
Ola Bruko
Kështu ndodh edhe në botë në fakt
 
Memaj:
Ndodh rrallë, ka shumë vende që i trajtojnë më shumë kujdes.
 
Ola Bruko:
Ka ndodhur debati i kahershëm nëse duhet të informohemi apo duhet të ruajmë privatësinë, është kjo vija që nuk besoj se ndahet menjëherë.
 
Memaj:
Është delikate dhe prandaj policia duhet të jetë e përgatitur në këtë drejtim. 
 
Ola Bruko:
Falemiderit shumë z. Memaj që ishit në studion tonë të lajmeve.
 
Bilbil Memaj:
Falemiderit juve, nuk e di sesa i shërbeva atyre që do të vijnë të bëhen oficerë policie, kolegë të mij, por do dua që ata të futen në portale dhe menjëherë tani ta gjejnë "Akademia e Sigurisë", që del menjëherë,  deri në datën 15, pastaj nuk kanë më mundësi që të bëhen oficerë policie.
 
Ola Bruku: 
Edhe një kuriozitet timin, jemi në datën 6, ju thatë që aplikimi ka nisur në datën 1, kush ka aplikuar më shumë, cila gjini?  
 
Memaj:
Më shumë janë meshkuj, por janë shumë që kanë aplikuar, unë nuk do të them numrin, prandaj nuk thashë se sa duhen për profil, sepse dua sa më shumë që të aplikojnë, që të zgjedhim më të mirët, sepse u bëhet mirë të gjithëve dhe Policisë gjithashtu.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1