Analizë e punës së Policisë së Shtetit për vitin 2018

Analizë e punës së Policisë së Shtetit për vitin 2018analiza15

Policia e Shtetit, zhvilloi analizën e veprimtarisë së kryer përgjatë vitit 2018 për garantimin e rendit e të sigurisë publike. Në këtë analizë ishin të pranishëm Ministri i Brendshëm z. Sandër Lleshaj, Kreu i Komisionit për Sigurinë Kombëtare znj. Ermonela Felaj, Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda Donika Prela, Drejtori i Gjyqësorit në Prokurorinë e Përgjithshme z. Adnan Xholi, si dhe përfaqësues të Avokatit të Popullit.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit në fjalën e tij, prezantoi raportin vjetor të veprimtarisë së kryer nga strukturat e Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit gjatë vitit 2018 ka përmbushur prioritetet dhe objektivat, në drejtim të parandalimit të kultivimit të kanabisit, trafikimit të lëndëve narkotike, të parandalimit të kriminalitetit, të rritjes së parametrave të rendit dhe sigurisë, të rritjes së performacës së punonjësve të policisë, duke sjellë një shërbim më cilësor për komunitetin, si dhe të forcimit të bashkëpunimit me agjencitë ligjzbatuese brenda dhe jashtë vendit. Viti 2018 është viti më i suksesshëm në luftë kundër kultivimit të kanabisit, të goditjes së grupeve kriminale dhe krimit të organizuar, të parandalimit të krimit ku krahasuar me një vit më parë kemi 1 vrasje më pak duke shënuar numrin me të ulët në afro 30 vite, vjedhje me dhunë dhe armë më pak, si dhe ndërhyrje në kohë të policisë për parandalimin e përshkallëzimit me pasoja të rënda të shumë konflikteve të çastit.
Në fjalën e saj Drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda znj. Donika Prela, ka vlerësuar punën dhe rezultatet e arritura gjatë vitit 2018 nga Policia e Shtetit, bashkëpunimin mjaft të mirë mes dy institucioneve në luftë kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve të paligjshme. Znj Prela ka theksuar që ky bashkëpunim të forcohet më tej.

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Sigurisë znj. Ermonela Felaj, ka vlerësuar rritjen e performancës së policisë, si brenda vendit ashtu edhe tek partnerët ndërkombëtarë, si dhe ka theksuar se tashmë mes Komisionit të Sigurisë dhe Policisë së Shtetit po aplikohet një formë re e komunikimit, ku Komisioni i Sigurisë me plan kalendar po inspekton gjithë strukturat e Policisë së Shtetit, për të njohur nga afër rezultatet dhe problematikat.
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, në fjalën e tij kërkoi që hetimet proaktive, të jenë anija që prin të gjithë flotën e Policisë së Shtetit

Drejtor Veliu:
"Në funksion të kryerjes së misionit të saj, nëpërmjet përsosjes së vazhdueshme të treguesve të performacës policore dhe rritjes së besimit të publikut, Policia e Shtetit për vitin 2019 do të ketë këto objektiva kryesore:
• Përafrimi i legjislacionit dhe standardeve me legjislacionin e BE-së, nëpërmjet finalizimit të procesit "Screening" për Kapitullin 24 dhe 23;
• Krijimi i një ambienti më të sigurt, në të cilin të mbizotërojë respektimi i të drejtave të njeriut, të garantuara nga Kushtetuta dhe ligjet, në përputhje me standardet evropiane, si dhe të sigurojë shërbime cilësore ndaj qytetarëve;
• Goditja e krimit të organizuar, në mënyrë të veçantë e grupeve kriminale, nëpërmjet hetimeve dhe operacioneve bazuar në analizën e informacionit kriminal dhe përdorimit të mjeteve speciale të hetimit;
• Forcimi i zbatimit të ligjit për ngritjen e nivelit të sigurisë publike nëpërmjet shërbimeve të sigurisë për kontrollin e territorit, rritjen e cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve dhe besimin e publikut tek policia;
• Parandalimi dhe reduktimi i aksidenteve rrugore me pasoja të rënda dhe përmirësimi i cilësisë së shërbimit të policisë rrugore;
• Garantimi dhe sigurimi i rendit dhe qetësisë publike gjatë procesit zgjedhor për përfaqësuesit e pushtetit vendor Qershor 2019;
• Parandalimi dhe goditja e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, nëpërmjet bashkëpunimit më institucionet e tjera ligjzbatuese, si dhe planifikimit, organizimit dhe kryerjes së operacioneve policore për kontrollin e plotë të territorit duke synuar në reduktimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike, asgjësimin e bimëve narkotike dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve.
• Garantimi dhe sigurimi i rendit publik, si dhe parandalimin e ngjarjeve kriminale, gjatë sezonit turistik veror 2019."

Ministri Lleshaj:
"Policia e Shtetit shqiptar është një polici e vogël, por problematika jonë nuk është e vogël, ende vazhdon që problematika të jetë e madhe dhe për të arritur që të kompensojmë mungesën e numrave të policisë, mbetet i rëndësishëm bashkëpunimi me qytetarët e këtij vendi. Është e rëndësishme, është jetike që Policia e Shtetit të forcojë bashkëpunimin me qytetarët e këtij vendi, është e rëndësishme që qytetarët të rrisin besimin tek policia e tyre dhe për të rritur besimin ka vetëm një mënyrë: ta fitosh atë përmes punës, përmes integritetit, përmes ndershmërisë, përmes përkushtimit, përmes angazhimit dhe përmes sakrificës. Policia është marrë me kriminelët, është marrë me të keqen e vendit por nuk mjafton kjo. Duhet që policia të merret edhe më të keqen e vendit por të merret edhe me qytetarët.
Lufta kundër krimit të organizuar mbetet prioriteti i prioriteteve në tërësi. Sigurisht që këtu është bërë shumë janë ngritur struktura, Task - Forca Qendrore është një histori suksesi, histori e cila duhet të vijojë të thellohet në këndvështrimin tim dhe në detyrat që së shpejti do të bëj publike për Policinë e Shtetit, për strukturat e tjera të Ministrisë së Brendshme. Do të kërkohet që koncepti i Task - Forcës të shtrihet në të gjithë Policinë e Shtetit. E gjithë Policia e Shtetit shqiptar do të jetë Task - Forcë Qendrore për luftën kundër krimit të organizuar".

analiza01

analiza02

analiza04

analiza05

analiza09

analiza08

analize10

analiza06

analize11

analiza07

analize12

analize13

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1