Siguri, Inovacion, Progres - 250 tableta elektronike për Policinë Rrugore. JO më bllok me gjoba

Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. WhatsApp Image 2019-02-26 at 13.12.00

I nderuar Z. Ministër i Brendshëm,

E nderuar Znj. Kryetare e Komisionit për Sigurinë Kombëtare,

Të nderuar drejtues të Programit ICITAP, Projektit PAMECA dhe Departamentit për Sigurinë pranë OSBE,

Të nderuar pjesëmarrës!

Siguria Rrugore është sot një nga problemet më të mprehta në të gjithë botën, pavarësisht se siguria rrugore në rrugët e Evropës është më e lartë se në vendet e tjera. Format, mënyrat dhe teknologjitë e përdorura për të menaxhuar qarkullimin rrugor përbëjnë edhe “thembrën e Akilit” në parandalimin e aksidenteve dhe rritjen e parametrave të sigurisë në rrugë.

Por Siguria Rrugore nuk mund të vendoset vetëm nga Policia Rrugore, por duhet të fillojë që në bankat e shkollës me njohjen dhe edukimin me rregullat dhe kulturën rrugore, e deri tek marrja e Lejes së Drejtimit që duhet të jetë një proces më i gjatë, më i kompletuar, që në fund të tij të çertifikohen drejtues mjetesh të aftë nga ana teorike dhe praktike.

Por pa u justifikuar dhe pa e shpërndarë përgjegjësinë tek të tjerët, apo pa gjetur arsye dhe fajtorë, Policia Rrugore duhet të jetë në pararojë të kësaj sfide, në përmbushje të detyrës së saj funksionale me qëllim që siguria e jetës së përdoruesve të rrugës të rritet nga dita në ditë.
Nga viti në vit shërbimi i Policisë Rrugore është transformuar duke e rritur performancën, qoftë në drejtim të menaxhimit të qarkullimit, të komunikimit, teknologjisë, logjistikës, apo edhe në drejtim të luftës kundër korrupsionit.

Angazhimi me seriozitet, shpeshherë edhe mbi kohën e punës, ka bërë që numri i aksidenteve të vijë në ulje, duke shpëtuar më shumë jetë nga viti në vit. Falë veprimeve vendimtare në nivel lokal dhe kombëtar nga Policia Rrugore, është bërë përparim i dukshëm në drejtim të uljes së numrit të të vrarëve gjatë aksidenteve rrugore. Numri i vdekjeve në rrugë u zvogëlua me rreth 18% në vitin 2017, në raport me vitin 2016 dhe i njëjti trend në rënie është evidentuar edhe gjatë vitit 2018.

Në “Strategjinë e Sigurisë Rrugore 2011-2020”, është përcaktuar dhe vendosur që të punohet për reduktimin me 50% të aksidenteve rrugore me pasojë humbjen e jetës së përdorueseve të rrugës. Në vitin 2011, numri i shtetasve që kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve ishte 322, në vitin 2018, falë edhe punës së Policisë Rrugore ky numër u reduktua në 213 shtetas që kanë humbur jetën në aksidente rrugore.

Periudha në vijim, do të jetë shumë sfiduese për vendin tonë dhe aktorët kryesore të monitorimit të sigurisë rrugore, ku një rol të veçantë ka Policia Rrugore, me synim që të arrihet objektivi ambicioz për të përgjysmuar numrin e vdekjeve në rrugë midis 2010 dhe 2020, që është edhe objektiv i të gjithë vendeve të BE-së.

Treguesit e arritur vitet e fundit, sidomos periudha 2013-2018 na bën të jemi optimistë në këtë drejtim.
Aktualisht Shqipëria ka kaluar nga një shifër prej 110 të vrarë për 1 milion banorë në vitin 2011, në 101 të vrarë për 1 milion banorë në vitin 2013 dhe në 62 të vrarë për 1 milion në vitin 2017.
Në vitin 2011, kanë vdekur nga aksidentet 322 persona dhe në këtë vit ka ulje prej 8.5% më pak të vdekur se në vitin 2010.
Në vitin 2017, janë evidentuar 222 viktima nga aksidentet rrugore, ose 17.4% më pak të vdekur se në vitin 2016.
Në vitin 2018 është evidentuar një ulje e numrit të vdekjeve në rrugë me 9 të vrarë më pak ose 4.1% më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2017.

Në Shqipëri krahasuar edhe me treguesit e vendeve të BE-së, konstatohet se përfshirja e motoçikletave dhe biçikletave në aksidente rrugore për vitin 2018 ka zënë 18% te totalit, këmbësorët 17%, çka i bën përdoruesit e dobët të rrugës një kategori për të cilët duhet të orientohen politika me të sigurta në projektimin e rrugëve, në edukimin dhe tyre dhe në ndëshkmimin e shkeljeve rrugore.

Ndërkohë treguesit e arritur gjatë vitit 2018, në funksion të parandalimit të aksidenteve dhe në mënyrë të veçantë të atyre me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e personave, kanë pësuar një rënie të ndjeshme kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2017, ku janë evidentuar 260 aksidente rrugore më pak se në vitin 2017, 9 të vrarë më pak ose 4.1 % më pak, 51 të plagosur rëndë më pak ose 14% dhe 260 të plagosur lehtë më pak ose 12.8% më pak.

Edhe gjatë sezonit veror angazhimi i Policisë Rrugore ka qenë maksimal në drejtim të rregullimit të trafikut, të dhënies së ndihmës automobilistike dhe ndëshkimit të shkeljeve burim aksidentesh. Në sezonin veror 2018, janë pezulluar 230 Leje Drejtimi për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur, 401 Leje Drejtimi për shpejtësi tej normave të lejuara si dhe 253 Leje Drejtimi për parakalime të gabuara.

Ndër shkaqet kryesore të aksidenteve për vitin 2018 janë evidentuar:
- Në 41% të rasteve aksidentim këmbësorësh;
- Në 16% të rasteve drejtim mjeti pa leje drejtimi;
- Në 8%të rasteve tejkalim i normave të shpejtësisë;
- Në 6%të rasteve parakalim i gabuar;
- Në 5%të rasteve drejtim mjeti nën efektin e alkoolit;
- Dhe në 4% të rasteve përdorim i celularit.

Për sa i përket grupmoshave të përfshira në aksidente, nga statistikat rezulton se më shumë se 3.000 të rinj vdesin çdo vit në aksidentet rrugore në BE. Në Shqipëri në vitin 2018 numri më i madh i aksidenteve në rrugë ka ndodhur nga drejtues mjeti të moshës 25-44 vjeç.

Të nderuar pjesëmarrës,

Një rol të rëndësishëm në uljen e numrit të aksidenteve me pasoja të rënda për jetën dhe shëndetin e njerëzve gjatë dy viteve të fundit, kanë luajtur masat e marra në drejtim të forcimit të zbatimit të ligjit, të një kontrolli dhe mbulimi më të mirë të territorit nga ana e Policisë Rrugore, realizmi i vazhdueshëm i operacioneve të dedikuara TISPOL, me një objektiv të qartë për goditjen e një shkelje të caktuar njëherazi në të gjithë vendin, goditja e fenomeneve të ndryshme përmes Njësisë Operacionale të Sigurisë Rrugore, përdorimi me efektivitet i pajisjeve në dispozicion të Policisë Rrugore, si radarë, alkool-matës, etj.

Gjatë vitit 2018, janë pezulluar 23.022 Leje Drejtimi si dhe janë arrestuar 1372 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Ndërsa gjatë vitit 2017, janë pezulluar 15.610 Leje Drejtimi, si dhe janë arrestuar në flagrancë 1561 drejtues mjetesh për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Krahas këtyre masave një rëndësi e veçantë i është kushtuar reduktimit të ndjeshëm të korrupsionit dhe uljes së ankesave të shtetasve, ku gjatë dy viteve të fundit është mundësuar arrestimi i rreth 106 personave, pasi kanë tentuar të korruptojnë punonjës të Policisë Rrugore.

Tashmë Policia e Shtetit, po synon arritjen e objektivit ambicioz për të përgjysmuar numrin e vdekjeve në rrugë midis 2010 dhe 2020 së bashku më të gjithë institucionet e tjera të administratës publike që kanë detyrime në fushën e sigurisë rrugore, që është objektiv i vendeve të BE-së dhe forcimin e mëtejshëm të parametrave të sigurisë rrugore.

Aktualisht janë hartuar projektet përkatëse për radarët, studimi për rifreskimin e trupës policore, aktet e nevojshme ligjore për ndryshimin e Kodit Rrugor dhe akteve të tjera nënligjore.
Një vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe pajisjes së strukturave të Policisë Rrugore me logjistikën e nevojshme, si edhe me motoçikleta apo automjete.

Në këtë kuadër është edhe pajisja e punonjësve të Policisë Rrugore me 250 sete (tabletë, printer dhe aksesorë), që është mundësuar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, duke mundësuar që gjithë veprimet, që aktualisht bëhen manualisht nga punonjësit e Policisë Rrugore për plotësimin e masës administrative në bllokun e gjobës të hidhen në tabletë, përmes aplikacionit.

Vënia në përdorim e këtyre pajisjeve rrit ndjeshëm cilësinë dhe shpejtësinë e shërbimit të ofruar për qytetarët, njëherazi optimizon përdorimin e burimeve njerëzore nga Policia e Shtetit, pasi 80-90% e fletë-gjobës plotësohet automatikisht.

Sapo vendoset targa e automjetit të dhënat plotësohen automatikisht nga aplikacioni, gjoba ruhet direkt në sistem, duke eliminuar kohën e hedhjes manuale dhe duke kursyer burimet njerëzore, si dhe duke evituar gabimet gjatë hedhjes në sistemin e gjobave. Po ashtu qytetarët do të kenë mundësi të paguajnë vlerën e gjobës online përmes e-Albania.

Gjithashtu punonjësit e policisë kanë mundësi që përmes aplikacionit të shohin drejtpërsëdrejti në sistem dhe të bëjnë verifikimet për debitorët, siguracionet, mjetet e vjedhura dhe personat në kërkim, pra veprime që më parë bëheshin nga Salla e Komandimit tani i ka në dorë vetë punonjësi i policisë.

Është trajnuar presoneli i IT në DVP-të, Njësia Operacionale dhe personeli i Drejtorisë së Policisë Rrugore, si dhe do fillojë menjëherë trajnimi i të gjithë efektivëve, që do të përdorin këto pajisje. Është plotësuar edhe baza ligjore, pasi është miratuar VKM-ja për gjobën elektronike.

Gjej rastin të shpreh falënderimet për Qeverinë dhe Ministrinë e Brendshme, si edhe për të gjitha institucionet e tjera për mbështetjen e vazhdueshme ofruar Policisë së Shtetit dhe në mënyrë të veçantë për mbështetjen e iniciativave për vënien në përdorim nga strukturat policore të risive në fushën e teknologjisë dhe informacionit dixhital, të cilat mundësojnë një shërbim më efikas ndaj qytetarëve dhe forcim të parametrave të sigurisë në vend.

Sigurisht që as në këtë event nuk mund të lë pa falënderuar aleatin tonë më të çmuar, qytetarët, të cilët çdo ditë e më tepër po besojnë tek Policia dhe po kontribuojnë maksimalisht, duke adresuar nëpërmjet numrit pa pagesë 112, aplikacionit "Komisariati Dixhital", apo në adresat zyrtare të Policisë së Shtetit në rrjete sociale raste të paligjshmërisë të çdo natyre qofshin ato. Faleminderit që besoni dhe kontribuoni!

Së fundi dua t'u garantoj se Policia e Shtetit, do të vijojë angazhimin dhe përpjekjet e saj maksimale për përmbushjen e misionit dhe objektivave të vendosur për ofrimin e sigurisë maksimale për qytetarët, luftën kundër krimit të organizuar, trafiqeve të paligjshme, pastrimit të parave, menaxhimit të integruar të kufijve dhe rritjes së parametrave të sigurisë rrugore.

Ju faleminderit!

index

Arkiva

Maj 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31 1 2