Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 01 Maj 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Shkodër - Goditet një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike. Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Liqeni”. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Sekuestrohen 204 kg. lëndë narkotike Marijuanë. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, u zhvillua operacioni i koduar “Liqeni“, ku si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. K. 33 vjeç në banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. B., 35 vjeç, banues në Shkodër. Në bazë të informacioneve policore dhe punës operative të bërë në lidhje me një grup kriminal që kryente organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (Marijuanë) nga qyteti i Shkodrës në drejtim të Malit të Zi, në orët e para të mëngjesit të sotëm, është marrë informacion se 2 shtetas po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Mbi bazën e këtij informacioni, është zhvilluar operacioni i koduar "Liqeni". Si rezultat u bë kapja në flagrancë e shtetasit M. K., si dhe u shpall në kërkim D. B. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 204 kg. Marijuanë, 2 mjete një tip "Land Rover" dhe një mjet tip "Mercedes - Benz" , 4 telefona celularë, si dhe mjete që i përdornin për paketim e lëndës narkotike. Operacioni vijon për kapjen e shtetasit D. B. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 283/a/2 -22 dhe 283/2 të Kodit Penal.

Tiranë - Vijojnë kontrollet e pandërprera në zbatim të Planit të Masave për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Goditen dhe dy raste të tjera në kuadër të këtyre masave. Sekuestrohet heroinë e kanabis, në pranga dy shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me shërbimet e tjera të Policisë Tiranë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë policore se në zonën "Komuna e Parisit" një shtetas shpërndante lëndë narkotike heroinë, si dhe në rrugën "Lord Bajron" një tjetër shtetas shpërndante lëndë narkotike marijuanë në doza të vogla, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë kanë hetuar me metoda speciale hetimi për një periudhë kohore disa ditore, duke finalizuar me arrestimin në flagrancë të shtetasve A. D., 30 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit fizik të tij në momentin e kapjes si dhe gjatë kontrollit të banesës, iu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e proves materiale 18,2 gr. lëndë e dyshuar narkotike e llojit "Heroinë", 1 peshore elektronike dhe 1 celular dhe K. Ç., 21 vjeç, banues në Tiranë, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në ambientet e një lokali, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit "Cannabis Sativa", të cilat u sekuestruan më cilësinë e provës materiale. Vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale në ngarkim të këtyre shtetasve, i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Tiranë, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike".

Tiranë - Gjatë 24 orëve të fundit, nga strukturat policore të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, u kapën dhe u ndaluan 3 persona të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale. Kapet nga shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë nr 3, një person me masë sigurie "Arrest në burg", për veprat penale "Kanosje" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit". Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se një person i kërkuar, gjatë orëve të natës futej në banesë për tu strehuar, Shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3 Tiranë, organizuan punën dhe në orët e para të mëngjesit bënë të mundur kapjen në banesë të shtetasit B. B., 39 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim, pasi më datë 18.02.2019 Gjykata e Apelit ka caktuar masën e sigurimit “Arrest në burg”. Më datë 15.01.2019, ky shtetas ka kanosur me armë zjarri shtetasin E. H., banues në Tiranë, i cili ka bërë kallëzim shtetasi B. B., ka qëlluar në drejtim të tij për ta vrarë. Po në kuadër të planit të masave për kapjen e personave na kërkim, nga Seksioni për Hetimin e Krimeve ndaj Jetës, u bë e mundur kapja e shtetasit Xh. H., 24 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim", dhe “Mbajtja pa leje e armëve luftarake”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim në Maj të vitit 2018, pasi dyshohet se në bulevardin "Bajram Curri", në bashkëpunim me shtetasin A. Gj, ka tentuar të vrasë me armë zjarri shtetasin A. B, 25 vjeç, i cili ka mbetur i plagosur në këmbë. Gjithashtu në vijim te operacionit "Llogaritari", u kap shtetasi E. B., 41 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale "Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve" dhe "Krijimi i skemave mashtruese me TVSH". Materialet shtesë i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 89 shtetas, nga këta: 14 janë arrestuar në flagrancë, 62 ndiqen në gjendje të lirë dhe 13 janë ndaluar.

Janë kapur dhe ndaluar 10 shtetas në kërkim, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 1 i dënuar për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe municionit”, 1 i dënuar për veprat penale “Kanosja” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”, 1 i dënuar për veprën penale “Vjedhja”; 1 në qarkun Vlorë, i dënuar për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”; 2 në qarkun Korçë, 1 i dënuar për veprën penale “Mashtrimi”, 1 i dënuar për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja dhe shitja pa leje e armëve të ftohta”; 4 në Lezhë, 1 i dënuar për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit” dhe “Vrasja me dashje”, 3 të dënuar për veprën penale “Vrasja”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 rast në qarkun Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 rast në Fier, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Korçë, 1 në Fier, 1 në Gjirokastër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 rast në qarkun Elbasan, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në qarkun Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 11 raste të “Dhuna në familje”, 1 rast në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 3 raste në qarkun Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë; 2 raste në qarkun Durrës, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 rast në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 3 në Korçë, 1 në Shkodër, 1 në Durrës, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 8 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 3 drejtues mjeti të pa pajisur me leje drejtimi, 1 në qarkun Durrës dhe 1 në Fier, të cilët po procedohen në gjendje të lire; 1 në Fier, i cili u arrestua në flagrancë.

Janë evidentuar 2 drejtues mjeti që drejtonin mjetin nën efektin e alkoolit, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Shkodër, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të “Shkatërrimi i pronës”, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Për 2 rastet e tjera në Tiranë dhe Fier, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i protestave të paligjshme”, në qarkun Shkodër, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 12 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit. Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Qershor 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30