Rreth Shkolles

akademia.jpg

Eshtë modeluar dhe drejtuar për të zbatuar programin e trajnimit bazë, programin e trajnimit të instruktorëve, zhvillimin dhe administrimin e kurrikulave dhe programin e trajnimit për gradë.

Gjithashtu kjo strukturë siguron mbështetjen kryesore logjistike e materiale për trajnimet e tjera që zhvillohen në Policinë e Shtetit. Me teper...

E ardhmja e shkolles

DSC 0060

Do të reformojmë rrënjësisht sistemin e arsimit dhe formimit të vazhdueshëm për punonjësit e Policisë së Shtetit, me qëllim diversifikimin e kapaciteteve njerëzore të Policisë së Shtetit dhe përshtatjen me hapat e zhvillimit shoqëror e kulturor të vendit tonë. Formimi vazhdues do të jetë një element themelor për promovimin dhe karrierën e punonjësve të Policisë.

Policia e Shtetit: Raporti ditor i ngjarjeve gjatë 72 orëve të fundit. 5 gusht 2019

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, gjatë 72 orëve të fundit01drejtoria new
 
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.
 
Durrës-Lezhë / Policia e Shtetit vijon operacionin "Plazh i lirë", për  zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore.Policia e Shtetit liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 3500 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme nga disa shtetas. Në Durrës procedohen penalisht 7 shtetas nga të cilët:
 
 -3 shtetas, pronarë të  subjekteve tregtare për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Zënia e hapësirave publike", 3 shtetas për veprën penale "Zënia e hapësirave publike". 
 
Si dhe Drejtori i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Durrës, për veprën penale "Shpërdorim detyre".
 
Në Lezhë, janë proceduar penalisht tre shtetas, njëri prej tyre me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë.
 
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës në bashkëpunimin me Task-Forcën e ngritur nga Prefekti i Qarkut Durrës dhe Policinë Bashkiake, në vijim të punës duke monitoruar, kontrolluar dhe goditur informalitetin, proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F.Q., A.K. dhe G.D.,  të gjithë banues në Durrës, pasi nga kontrolli i ushtruar në lagjen nr. 13, Durrës, në plazhin publik, u konstatua se këta shtetas kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme, si dhe të papajisur me kasë fiskale.
 
Po në vijim të operacionit u proceduan penalisht edhe shtetasit: Sh.T., P.Gj., banues në Tiranë dhe D.I., banues në Shijak, pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se këta shtetas kishin zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse.
 
Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin L.D., banues në Durrës, me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë, Durrës, pasi nuk ka ushtruar kontroll ndaj aktivitetit të shtetasve të lartpërmendur.
 
Operacioni ka vijuar në Shëngjin, Lezhë  në vijën bregdetare Tale. Gjatë operacionit u proceduan penalisht dy shtetas P. GJ. dhe D.D., të cilët kishin zaptuar hapësirën publike para lokaleve të tyre, në mënyrë të kundërligjshme duke vendosur shezlongë dhe çadra pa kontratë përdorimi. 
Po gjatë operacionit u procedua penalisht shtetasi A.N., me detyrë Drejtor në Drejtorinë e Taksave dhe Tarifave Vendore në Bashkinë Lezhë, pasi nuk kishte kryer kontroll, duke shpërdoruar detyrën.
Materialet në ngarkim të shtetasve të proceduar i kaluan Prokurorive respektive për  veprat penale "Fshehja e të ardhurave", "Mospagimi i taksave dhe tatimeve", dhe "Shpërdorimi  detyrës.  Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin.
 
Tiranë / Finalizohet operacioni "Përsëritësit“  për goditjen e  veprimtarisë kriminale në fushën e gjobvënies. Operacioni nga Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës në D.V.P Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Vihen në pranga dy pjesëtarë të një grupi të strukturuar kriminal si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale, Sektori i Krimeve të Rënda ndaj Jetës dhe Pronës ne D.V.P Tiranë nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Pare për Krime te Renda Tiranë pas një pune të mirë-organizuar disa javore duke përdorur dhe metoda speciale hetimi,  finalizoi me sukses operacionin “Përsëritësit“ si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: E.G.,.30 vjeç, banues në Tirane, me precedent penal në fushën e gjobvënies; dhe  I.B., 18 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e një 35 vjeçari, me banim në Tiranë. Nga hetimet e deritanishme, pjesëtarët e këtij grupi të strukturuar kriminal në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se në periudha të ndryshme kohore, janë autorë të disa rasteve të shtrëngimeve me anë të kanosjes për dhënie pasurie,  në qytetin e Tiranës. Këta shtetas dyshohet se i kanë vendosur gjobë 12.000 euro një shtetasi, të cilit i kanë marrë 7.500 euro. Nga ana e grupit hetimor vazhdon puna intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe disa ngjarjeve të tjera që dyshohen se janë kryer nga këta persona.Materialet do t'i kalohen për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie, e kryer në bashkëpunim
 
Tiranë  / Policia Rrugore e Tiranës arreston një tjetër drejtues mjeti për mitëdhënie. Gjatë dy javëve të fundit, Policia Rrugore e Tiranës ka arrestuar 8 drejtues mjetesh per mitëdhënie. Rasti i fundit eshte konstatuar në rrugën "Dritan Hoxha", pasi drejtuesi i mjetit me iniciale Sh. X., 54 vjeç, gjatë kontrollit policor, me qëllim shmangien e penalizmit për shkeljet e verifikuara nga efektivet e Policisë Rrugore, i ka ofruar agjentit verifikues një shumë lekësh. Në këto kushte, efektivët e Policisë Rrugore, kanë bërë arrestimin në flagrancë të drejtuesit të mjetit, për veprën penale “Korrupsioni aktiv ndaj personave që ushtrojnë funksione publike". Policia Rrugore e Tiranës, është tërësisht e angazhuar për te rritur parametrat e sigurisë rrugore, si dhe për ndëshkuar çdo shkelje e paligjshmeri të parashikuar në Kodin Rrugor Shqiptar dhe aktet e tjera ligjore, duke bashkëpunuar ngushtësisht me qytetarët, të cilët janë dhe aleati më i çmuar i Policisë së Shtetit. "112" , ndihma dhe siguria juaj!
 
Tiranë / Qarkullonte me armë pa leje, tenton t'i shmanget kontrollit të policisë por vihet në pranga. Arrestohet nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme "Shqiponja", njësia Shigjetat. Në kuadër të planit masave në lidhje me identifikimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 16 vjeçarit  F. T., banues në Tiranë. 16-vjeçari rreth orës 02.30 të mëngjesit, është konstatuar nga shërbimet e Policisë të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në afërsi të një lokali, në trotuar në rrugën “Myslym Keta”. Në momentin që ka parë Policinë  është larguar me vrap, por është kapur gjatë ndjekjes nga Forca e Posaçme "Shqiponjat", njësia Shigjetat, ku gjatë kontrollit fizik Policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri Pistoletë me 9 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë se Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake e municionit”
 
Interpol Tirana / Ekstradohet nga Greqia një shtetas i dënuar me 25 vite burg për vrasje. Falë bashkëpunimt të Interpol Tirana  me Interpol Athinën, u krye ekstradimi nga Greqia drejt vendit tonë i shtetasit  F. M., 53 vjeç, lindur në Boçovë, Fier. Shtetasi F. M., ishte i shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Fier, me vendimin penal të datës 23.02.2000, e ka  dënuar me 25 vjet burgim për veprën penale “Vrasje me paramendim”, parashikuar nga neni 78 i Kodit  Penal. Përmbledhje e ngjarjes së ndodhur: Shtetasi F. M. në vitin 1997 në fshatin Boçovë, Fier ka vrarë me armë zjarri shtetasin S. A. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tiranës me Interpol Athinë/Greqi, u bë i mundur arrestimi i tij në Greqi, duke u finalizuar me ekstradimin drejt vendit tonë.
 
Velipojë-Pogradec / Policia e Shtetit vijon operacionin "Plazh i lirë", për  zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore. Policia procedon penalisht 12 pronarë subjektesh, 9 në Velipojë dhe 3 në Pogradec,  nga të cilët 11 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për "Zënia e hapësirave publike". Policia e Shkodrës në bashkëpunimin me FNSH Shkodër, liron dhe vë në dispozicion të pushuesve rreth 3000 m2 plazh, pronë publike, e zaptuar në mënyrë të kundërligjshme. Procedon penalisht 9 pronarë subjektesh në Velipojë, nga të cilët: 8 pronarë të subjekteve tregtare për veprën penale "Fshehja e të ardhurave" dhe 1 shtetas për veprën penale "Zënia e hapësirave publike".  Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër proceduan penalisht për veprat penale “Fshehja e të adhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve” shtetasit E. E., Gj. Rr., P. N., K. M., K. Gj., N. R., N. U. dhe L. F., të cilët në plazhin publik Velipojë kryenin aktivitetin e tyre në mënyrë të paligjshme. Po në vijim të operacionit u procedua penalisht për veprën penale  “Pushtimi i tokës”, shtetasi Gj. F., pasi nga kontrolli i ushtruar, u konstatua se ky shtetas kishte zënë me çadra plazhi e shezlongë hapësirat publike në bregun e detit pa leje nga organet përkatëse. Operacioni ka vijuar dhe në Pogradec, ku janë proceduar penalisht për veprën penale "Fshehja e të ardhurave", 3 shtetas, të cilët ushtronin aktivitetin privat të tyre, pa dokumentacionin përkatës. 
 
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në vijim e zbatim të planit të masave për evidentimin, ndëshkimin e paligjshmërisë dhe konkretisht goditjen e rasteve kundër informalitetit, proceduan penalisht shtetasit: E.M., 31 vjeç, A.M., 46 vjeç dhe SH.R., 22 vjeç, banues në Pogradec, pasi gjatë kontrolleve që shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec kanë ushtruar në aktivitetet e shtetasve të lartpërmendur (plazhe private), në Pogradec, janë konstatuar një pjesë e shezlongëve pa dokumentacionin përkatës. Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.
 
Rinas / Kapen dhe ndalohen dy persona në kërkim ndërkombëtar për llogari të Italisë dhe Kosovës. Kapja e tyre u bë nga Policia Kufitare Rinas në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të punës për kapjen e pesonave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, kanë bërë kapjen dhe arrestimin provizor me qëllim ekstradimi të dy shtetasve, të cilët gjatë përpunimit të dokumentacionit  kanë rezultuar persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe konkretisht: Është arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë shtetasi shqiptar A.P., 40 vjeç, pasi ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Roma. Gjykata e Venecias, Itali, ka lëshuar urdhër-arresti për kryerjen e veprës penale “Pjesëmarrje në grup kriminal me qëllim trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike”.
-Gjithashtu po në Rinas nga shërbimet e Policisë Kufitare u bë kapja dhe arrestimi provizor me qëllim ekstradimi drejt Kosvës i shtetasit kosovar   R.Xh., 39 vjeç.  Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim  ndërkombëtar nga UNMIK, pasi autoritetet gjyqësore kosovare, kanë lëshuar urdhër-arresti  për kryerjen e veprës penale “Mashtrimi". Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën dhe Policinë e Kosovës po vijon procedurat për ekstradimin e këtyre shtetasve.
 
Sarandë / Policia zbardh ngjarjen e djegies së automjetit dy ditë më parë. Arrestohet nga policia autori i dyshuar. Kapet dhe ndalohet edhe një person i shpallur në kërkim për trafikim të narkotikëve. Specialistët e Krimeve pranë Komisariatit të Policisë Sarandë, pas hetimeve të kryera në lidhje me djegien e automjetit Range Rover në lagjen nr.4, më datë 02.08.2019, kanë bërë të mundur identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasin Y. K., 25 vjeç, banues në fshatin Toç, Tepelenë.  25 vjeçari nga Tepelena dyshohet se për motive të dobëta, i ka vënë zjarrin me lëndë djegëse automjetit në pronësi të shtetasit Q.Gj.  Materialet iu referuan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale "Shkatërrimi i pronës me zjarr".
 
Elbasan / Policia zbardh ngjarjen e ndodhur  më  datë 2 gusht, ku mbetën të plagosur me armë zjarri dy shtetas dhe një tjetër me sende të forta. Policia arreston një nga autorët e dyshuar të plagosjes dhe vijon punën për kapjen e autorit tjetër të dyshuar të kësaj ngjarje. Specialistët për  Hetimin e Krimit ndaj Jetës dhe Lirisë së Personit, në DVP  Elbasan,  në bashkëpunim me Forcat Operacionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pas një pune të mirëorganizuar hetimore dhe  profesionale bënë kapjen dhe arrestimin  e shtetasit: I.B., 34 vjeç, banues në Elbasan.  Arrestimi i shtetasit I.B. u bë pasi, dyshohen se në bashkëpunim me shtetasin G.M., pas një konfliktit për motive të dobëta kanë qëlluar me armë zjarri pistoletë  në ambientet  e brendshme të një lokali dhe si pasojë janë plagosur  shtetasit E.C., M.K., dhe kanë goditur  me  sende të forta shtetasin F.A., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.  Vijon puna  intensive për kapjen e  shtetasit G.M, 42 vjeç, i shpallur në kërkim si autori kryesor i dyshuar për ngjarjen
Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit I.B. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan,  për veprën penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese", e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
 
Durrës /Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar " Elektricisti". Vidhte kabllot elektrike në 7 zona të ndryshme duke lënë banorët pa drita, vihet në pranga autori i dyshuar. Specialistët për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës, nisur nga kallëzimet dhe ankesat e qytetarëve dhe të OSHEE-së se  për vjedhje  të kabullit elektrik  në disa lagje,  kanë organizuar punën duke ngritur shërbime (grackë) në afërsi të bokseve kolektive të matësve elektrikë.  Si rezultat i shërbimeve dhe informacioneve të marra në rrugë operative u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë  i shtetasit: J.D.,29 vjeç, banues në lagjen Nr.16, Durrës, i dënuar më parë për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve". Ky shtetas duke pasur njohuri të posaçme si elektricist  gjatë një jave  ka vjedhur kabullin elektrik  të furnizimit me energji elektrike  në bokset kolektive  të matësve elektrikë  në disa lagje të qytetit të Durrësit  duke i lënë  banorët pa energji elektrike. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan  sendet që përdorte për të kryer vjedhjet si dhe një sasi tel bakri. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës në ngarkim të shtetasit të mësipërm për veprat penale "Vjedhja", më shumë se një herë dhe "Shkatërrimi i rrjetit elektrik".
 
Tiranë / Vidhnin kasetat shpërndarëse të internetit nëpër pallate duke dëmtuar fibrat optike  dhe së fundmi ne zyrat e njësisë se mirëmbajtjes se rrjetit elektrik në Tiranë,  vihen në pranga nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 6, autorët e dyshuar të këtyre vjedhjeve. Zbardhen disa vjedhje të ndodhura më parë, ku dyshohet se janë kryer nga  këta shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës sendet elektrike të vjedhura. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr.6, pas kallëzimeve të marra  nga administratorët e disa  pallateve  për  vjedhjen e  kasetave shpërndarëse te internetit duke këputur fibrat optike, si dhe së fundmi  për vjedhjen  një nga zyrat e  njësisë së mirëmbajtjes së rrjetit elektrik  në Tiranë, kanë organizuar punën duke bërë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve: E. D.,23 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale  “Vjedhja” dhe  B. K.,31 vjeç banuese në Tiranë.
Gjatë momentit të arrestimit policia u gjeti dhe sekuestroi edhe materialet elektrike të vjedhura, konkretisht një njësi qendrore kompjuteri, dhjetra  metra tel alumini  e kabllo elektrikë. Në  vijim të veprimeve hetimore të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit  u bë dokumentimi edhe i një sërë vjedhjeve të kryera nga këta persona në periudhën shkurt-mars nëpër ambientet e përbashkëta të pallateve në kryeqytet, ku kanë vjedhur kasetat  shpërndarëse te internetit duke këputur fibrat optike. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” e kryer në bashkëpunim në më shumë se një herë.
 
Vlorë / Policia Kufitare dhe forcat "Delta" i vijnë në ndihmë në zonën e Karaburunit një turisti italian i cili kishte nevojë për ndihmë mjekësore . Falë transportimit të shpejtë  për në spital, me mjetin lundrues të forcave "Delta", turisti italian është jashtë rrezikut për jetën. Mesditën e sotme salla operative e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Vlorë, është njoftuar me telefon nga kapiteni i një anijeje  turistike që ndodhej në zonën e Karaburunit në Shënvasil, se  kishte nevojë për ndihmë mjekësore për një turist italian që ndodhej në anije, i cili duhej transportuar për në spital në një kohë sa më të shpejtë. Menjëherë në ndihmë të turistit ka shkuar në kohë  mjeti lundrues i forcave "Delta" që ishte me shërbim në atë zonë dhe ka transportuar shtetasin E.U, 59 vjeç për në Porti e më pas me  autoambulancën e  spitalit të  Vlorës. Turisti Italian E. U., pas ndihmës së parë mjekësore në spitalin e Vlorës, kaloi rrezikun për jetën dhe në këto momente  ndodhet  në gjendje të mirë shëndetësore. Shtetasi E.U., falënderon  Policinë Kufitare, forcat "Delta" dhe ekipin mjekësor që i erdhën në ndihmë.
 
Tiranë/ Informacion paraprak. Më datë 04.08.2019, rreth orës 23.30, tek kthesa Kamzës në katin e tretë të një pallati,  në pjesën e derës së banesës së marrë me qera nga shtetasi P.Gj,  ka shpërthyer  një sasi  e vogël lënde e dyshuar plasëse, ku në momentin e shpërthimit brenda në banesë nuk ka pasur njeri  dhe si pasoje ka vetëm dëme materiale. Grupi hetimor  po vijon punën për zbardhjen e rrethaneve të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit. Metarialet do ti kalojë Prokurorirsë ssë Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me eksplozim”
 
Policia e Shtetit / Vijon Operacioni "Plazh i lirë" për lirimin  e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme, si dhe për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore. Operacion i shtrirë në Ksamil, Himarë , Vlorë e Divjakë. Në operacion Policitë vendore të mbështetura nga FNSH dhe Drejtoria e Hetimit  të Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit. Policia liron dhe kthen në dispozicion të pushuesve 10 000 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme në Ksamil.
Policia procedon penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për "Zënia e hapësirave publike". Procedohet penalisht edhe n/kryetari i Bashkisë së Sarandës shtetasi TH. M, sepse në kundërshtim me ligjin "Për vetëqeverisjen vendore" nuk ka ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit të Bashkisë Sarandë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga shtetasi F. P., hapësirë që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë. Gjatë operacionit në Ksamil, Policia ka liruar dhe kthyer në shërbim të qytetarëve rreth 10000 m2 hapësirë publike. Është  proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur "Pema" në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.  Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jal, ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet  "Plazh Privat" në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë. Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti) dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në subjektet e tyre  në  lagjen "Ujë i Ftohtë" kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale. Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në Divjakë, Policia ka proceduar penalisht  shtetasen  E. A., 38 vjeçe, banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet. Operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.
 
Korçë / Goditet një rast në fushën e gjobëvënies. Kanos me thikë një biznesmen, duke i kërkuar në këmbim të jetës shumën prej 5000 Euro. Policia ndalon autorin e dyshuar të ngjarjes. Autori me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë, bënë ndalimin me iniciativë të shtetasit: E.L, 37 vjeç, banues në Korçë (i dënuar më parë për veprën penale “Vrasja me paramendim”). Ndalimi i tij u bë pasi, dyshohet se ky shtetas ka kanosur me thikë, një biznesmen në qytetin e Korçës, duke i kërkuar në këmbim të jetës shumën prej 5000 Euro. Nga tërësia e veprimeve të kryera shtetasi i lartpërmendur, ka konsumuar elementët e veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme hetimore në ngarkim të këtij shtetasi.
 
Himarë / Qarkullonte me armë zjarri pa leje, por vihet në pranga nga Policia. Sekuestrohet një armë zjarri me 8 fishekë. Në kuadër të planit masave në lidhje me kapjen e personave që qarkullojnë me armë pa leje, si rezultat i kontrolleve të shtuara dhe informacioneve të marra në rrugë operative është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 33 - vjeçarit  E. D,  banues në Shkodër. 33 - vjeçari, rreth orës 23:30 të mbrëmjes është konstatuar nga shërbimet e FNSH së Fierit dhe Patrullës së Përgjithshme të Komisariatit të Policisë Himarë, duke udhëtuar me një automjet në afërsi të një karburanti. Gjatë kontrollit fizik Policia i gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri Pistoletë me 8 fishekë, të cilën e mbante në brez. Materialet i kaluan Prokurorisë në ngarkim të tij për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake e municionit”.
 
Ndërkohë gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 272  shtetas, nga këta: 57 janë të arrestuar, 9 të kapur nga kërkimi, 179 ndiqen në gjendje të lirë, dhe 27 janë shpallur në kërkim.
 
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste, konkretisht: 13 raste në qarkun Tiranë, me 6 autorë të arrestuar dhe 7 të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Lezhë, me 2 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Vlorë me 1 autor të proceduar; dhe 1 rast në qarkun Korçë me 1 autor të proceduar . 
 
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 25 raste, konkretisht: 7 raste të “Kanosjes”, janë evidentuar në qarqet Tiranë, Elbasan Lezhë dhe Korçë; 6 raste të “Plagosjes së lehtë me dashje” janë evidentuar në qarqet Tiranë, Elbasan dhe Vlorë; 10 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar në qarqet Tiranë, Fier, Elbasan, Shkodër, Gjirokastër, Berat, Vlorë dhe Lezhë; 2 raste të “Plagosjes e rëndë me dashje” janë evidentuar në qarqet Tiranë dhe Korçë.
 
Janë evidentuar 16 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarqet Tiranë, Vlorë, Lezhë, Korçë, Fier, Berat, Elbasan dhe Durrës me 9 autorë të arrestuar dhe 6 të proceduar në gjendje të lire dhe 1 në kërkim. Janë plotësuar 37 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.
 
Janë evidentuar 7 raste të “Shkatërrimit të pronës”, konkretisht në qarqet Tiranë dhe Berat, me 7 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
 
Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 24 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
 
Janë evidentuar 11 raste të “Ndërtimit pa leje” , në të gjithë vendin,  me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë.
 
Janë evidentuar 3 raste të “Prerjes së paligjshme të pyjeve” , konkretisht në qarkun Shkodër dhe Lezhë, me 2 autorë të ndaluar dhe 1 të të proceduar në gjendje të lirë.
 
Janë evidentuar 4  raste të “Vetëgjyqësisë” në qarkun Tiranë dhe Elbasan, ku autorët janë  proceduar në gjendje të lirë.
 
Në 72 orët e fundit në territorin e Shqipërisë janë  evidentuar 21 raste aksidentesh, me 27 shtetas të lënduar jashtë rrezikut për jetën, ndërsa 2 të tjerë kanë humbur jetën.
 
Janë evidentuar 13 drejtues mjeti nën efektin e alkoolit, konkretisht në qarqet Tiranë, Lezhë, Fier, Shkodër, Berat, dhe Vlorë  të cilet janë arrestuar në flagrancë.
 
Janë evidentuar 12 shtetas duke drejtuar automjetet pa u pajisur me leje drejtimi, të cilet 9 janë arrestuar në flagrance dhe 2 janë proceduar në gjendje të lirë.
 
Janë evidentuar 4  raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.
 
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.
Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1