Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 Prill 2019


01drejtoria newDibër - Kapet dhe arrestohet një shtetas me qëllim ekstradimi në Gjermani. Nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Bllatë dhe Interpol Tirana, u bë arrestimi i përkohshëm i shtetasit maqedonas B. C., 34 vjeç, banues në Maqedoninë e Veriut. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden/Gjermani, pasi Gjykata e Aachen Gjermani, me datë 22.03.2013, ka lëshuar urdhrin e arrestit për shtetasin B. C., për veprat penale "Vjedhja" dhe "Mashtrimi kompjuterik". Materialet hetimore do t’i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Berat - Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Vëzhgimi”. Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohet 1 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa. Arrestohet në flagrancë 1 shtetas. Nga Specialistët e Seksionit Kundër Narkotikëve në DVP Berat, mbi bazën e një pune të mirëfilltë operative policore disa ditore, pasi janë grumbulluar informacione në lidhje me një shtetas që shpërndante lëndë narkotike në doza të vogla në lagjen "Çlirim", u finalizua me sukses operacioni policor “Vëzhgimi", ku u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi N. GJ., 31 vjeç, banues në lagjen "Çlirim". Kapja dhe arrestimi i tij u bë pasi nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij iu gjet dhe sekuestrua një sasi prej 1 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, e ndarë në doza të vogla gati për shitje. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" 283/2 të Kodit Penal.

Tiranë - Bashkëpunimi komunitet-polici, vë në pranga një 48-vjeçar për armëmbajtje pa leje, i cili ishte edhe me masë sigurie “arrest në shtëpi”. Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë e municion luftarak. Shërbimet e Policisë të Komisariatit nr. 1, arrestuan në flagrancë shtetasin A. I., 48 vjeç, banues në Tiranë (me masë sigurie “arrest në shtëpi” për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”. Në sallën operative ka ardhur një telefonatë nga qytetarët se në rrugën e rezervave të shtetit, është qëlluar në ajër me armë nga një mjet. Shërbimet e Policisë në bazë të karakteristikave të dhëna, kanë bërë ndalimin e mjetit me drejtues shtetasin A. I., dhe pasagjer shtetasit R. E., 15 vjeç dhe E. E., 27 vjeç (vëllezër). Në momentin e kontrollit Policia ka gjetur një armë zjarri pistoletë, e cila i përkiste shtetasit A. I. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale: mjetin, një armë zjarri pistoletë, dy krehra dhe 21 fishekë. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasit A. I., për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit” parashikuar nga nenet 278 dhe 323 të Kodit Penal.

Korçë - Ndërhyrja në kohë e Policisë, parandalon përshkallëzimin e mëtejshëm të një konflikti. Arrestohet në flagrancë një shtetas për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve e municionit”. Sekuestrohet një armë zjarri e municione luftarake, të cilat i posedonte pa leje në banesë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, pas marrjes së njoftimit se në dalje të qytetit, dy shtetas po konfliktoheshin për motive të dobëta, kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit midis shtetasit M. I., 19 vjeç dhe një 38 - vjeçari, banues në Korçë. Në vijim të veprimeve të tjera procedurale, gjatë kontrollit të banesës së shtetasit M. I., u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë automatike (së cilës i mungonin disa pjesë të saj) me 3 krehra fishekësh, si edhe 817 copë fishekë luftarakë. Shtetasi M. I., u arrestua në flagrancë për veprat penale të lartpërmendura dhe materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 66 shtetas, nga këta: 15 janë arrestuar në flagrancë , 46 ndiqen në gjendje të lire, 3 janë ndaluar dhe 2 janë të kapur.
Janë ndalur 3 shtetas në kërkim, konkretisht: 2 persona në Tiranë, 1 i dënuar për veprën penale ‘’Mashtrimi’’ dhe 1 i dënuar për veprën penale ‘’Përndjekja’’ , 1 person në Krujë i dënuar për veprën penale ‘’Vjedhja’’.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste në qarkun Tiranë,me 4 autorë të arrestuar dhe 2 autorë që procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 5 raste të ‘’Kanosja‘’ janë evidentuar në qarkun Tiranë, Elbasan, Korçë dhe 1 rast në qarkun Vlorë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit, 3 raste të "Dëmtime të tjera me dashje" në qarkun Tiranë, Vlorë, Lushnjë dhe Lezhë; 2 raste të "Plagosja e lehtë me dashje", në qarkun Tiranë dhe Korçë.

Janë evidentuar 8 raste të "Dhuna në familje", me një autor të arrestuar në qarkun Vlorë dhe janë plotësuar 7 kërkesë - padi për urdhër mbrojtjeje të menjëhershëm.


Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 2 raste në Tiranë me 2 autorë që procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Durrës dhe 1 rast në Shkodër, ku autorët procedohen në gjendje të lirë; 1 rast në Krujë me një autor të arrestuar dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i "Ndërtimi pa leje", në qarkun Elbasan, ku autori procedohet në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh me 4 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar 4 drejtues mjetesh, pasi drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarqet Tiranë, Durrës dhe Berat.

Janë evidentuar 2 drejtues mjeti të pa pajisur me leje drejtimi, 1 rast në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 rast në Berat, ku autori procedohet në gjendje të lirë.

Janë proceduar 8 shtetas për kalim të paligjshëm të kufirit.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, 1 rast në Tropojë, ku autori është arrestuar, dhe 2 raste të tjera në Sarandë dhe Gjirokastër, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Maj 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31 1 2