Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 05 Prill 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.01drejtoria new

Tiranë / Finalizohet operacioni policor i koduar “Juristët e rremë”. Operacioni nga Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Prezantoheshin si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues shqiptar dhe premtonin në këmbim të një shume lekësh, dhënie lejeje zhvillimore e licencë, për ushtrim të aktivitetit të mësimdhënies. Në pranga dy shtetas. Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Juristët e rremë”, arrestuan në flagrancë shtetasit: - M. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë (e dënuar më parë për veprën penale të “Mashtrimit”); - N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke u prezantuar si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues të Republikës së Shqipërisë, kanë mashtruar dy shtetas duke iu kërkuar një shumë të konsiderueshme lekësh, me qëllim për t’iu siguruar leje zhvillimore e licencë për ushtrimin e aktivitetit të mësimdhënies në një komunitet fetar. Këta shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë në momentin që do të takoheshin për t’u kërkuar lekët dy shtetasve të mashtruar. Gjatë arrestimit kanë bërë rezistencë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar: Një automjet; Dy aparate celularë; Dokumente të ndryshme. Materialet procedurale i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Përvetësimi i titujve apo i detyrës shtetërore”, "Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, parashikuar nga nenet 143/3, 186, 246/2, 237 dhe 236 të Kodit Penal.

Kurbin / Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Kapen dhe ndalohen dy shtetas të dënuar për vepra të ndryshme penale . Nga forcat policore të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit B. S., 40 vjeç, banues në Kurbin. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi në Shtator 2016 Gjykata e Shkallës së Parë Kurbin e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike", duke qenë se në vitin 2016 këtij shtetasi, Policia i gjeti të kultivuara në oborrin e banesës një numër të konsiderueshëm bimësh narkotike. Gjithashtu po nga shërbimet e Policisë së Kurbinit, u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit P. Gj. 26 vjeç, banues në Laç. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Apelit Tiranë e ka dënuar me 8 muaj burg për veprën penale "Ndërtimi i paligjshëm". Gjithashtu për ketë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kurbin ka dhënë masën e sigurisë "Arrest me burg" për veprat penale "Shkelja e rregullave të qarkullimit Rrugor" si dhe "Largimi nga vendi i aksidentit".

Krujë / Vijon kontrolli i territorit për parandalimin dhe goditjen e tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Arrestohen në flagrancë 4 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 kryeplak fshati. Seksioni për Hetimin dhe Parandalimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Krujë, në kuadër të masave për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, ka vijuar kontrollin e territorit. Si rezultat i kontrolleve dhe punës profesionale të kryer, janë goditur dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, ku janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas: -A. A.,41 vjeç, banues në Nikël; -A. Y., 35 vjeç, banues në Nikël. Gjatë kontrollit në afërsi të lumit Tërkuzë, në fshatin Nikël, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale, një sasi kubikësh të mbjellë me fara, të dyshuar Cannabis Sativa. Po në vijim të operacionit të kontrollit të territorit, Policia arrestoi në flagrancë edhe shtetasit: -S.B., 26 vjeç, banues në Rinas; -A.B., 18 vjeç, banues në Rinas. Arrestimi i tyre u bë pasi u kapën në arën në pronësi të tyre, me një sasi kubikësh të mbjellë me fara Cannabis Sativa. Gjithashtu filloi procedimi penal për shtetasin Xh.K., 52 vjeç, banues në Rinas, sepse duke qenë Kryeplak, nuk ka raportuar se në njësinë administrative që ai ka në administrim, janë mbjellë bimë narkotike. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Krujë, për veprën penale "Kultivim i bimëve narkotike, kryer në bashkëpunim", parashikuar në nenet 284 dhe 25 të Kodit Penal.

Fier / Policia arreston në flagrancë një shtetas për "Dhënie ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit". Pas një pune hetimore të policisë dhe informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrant të paligjshëm, në aksin rrugor Fier-Levan u bë arrestimi në flagrancë i drejtuesit të automjetit i cili në momentet e para ka tentuar t'i largohet policisë. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: A.H, 20 vjeç, banues në Tiranë. Gjithashtu filloi procedimi penal në gjendje të lirë për veprën penale "Kalim i paligjshëm i kufirit" për 3 shtetasit e huaj (pasagjerët në mjet). Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprat penale "Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë", "Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit" dhe "Kalimi i paligjshëm i kufirit".

Lushnjë / Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin: Xh.R, 21 vjeç, banues në Lushnje. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi gjatë kontrollit fizik, ju gjetë dhe sekuestrua një armë e ftohtë(thikë). Gjithashtu gjatë kontrollit në banesë ju gjetën edhe fishekë pistolete. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprat penale "Prodhimi, mbajtja, berja apo shitja pa leje e armëve të ftohta" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak".

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 97 shtetas, nga këta: 14 janë të arrestuar, 3 ndaluar, 2 të kapur nga kërkimi, 68 ndiqen në gjendje të lirë, dhe 10 janë shpallur në kërkim.

Janë kapur 3 persona nga kërkimi konkretisht : 1 person në qarkun Tiranë për veprën penale “Vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim”; 2 në qarkun Lezhë për “Kultivim të bimëve narkotike”, “Ndërtim i paligjshëm”, “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 1 rast në qarkun Tiranë me 1 autorë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Fier me 1 autorë të proceduar në gjendje të lirë; dhe 2 raste në qarkun Durrës, me 4 autorë të arrestuar .

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosjes”, janë evidentuar në qarkun Tiranë, Durrës dhe Korçë; 3 raste të “Plagosjes së lehtë me dashje” janë evidentuar në qarkun Tiranë, Vlorë dhe Berat; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje” janë evidentuar në qarkun Tiranë, Durrës dhe Shkodër.

Janë evidentuar 2 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarkun Tiranë dhe Korçë, me 2 autorë të shpallur në kërkim. Janë plotësuar 11 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrimit të pronës”, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrimit të pronës me zjarr”, konkretisht në qarkun Elbasan dhe Lezhë, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 11 raste të “Ndërtimit pa leje” konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë; 3 në Elbasan; 2 në Korçë; 2 në Vlorë; 1 në Shkodër; 1 në Fier, me 11 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 7 shtetas të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 3 drejtues mjeti nën efektin e alkoolit, në qarkun Korçë, Fier dhe Lezhë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë konstatuar duke drejtuar mjetet pa u pajisur me leje drejtimi, 6 shtetas, në qarkun Tiranë dhe Shkodër, me 3 shtetas të arrestuar në flagrance dhe 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Vlorë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Arkiva

Maj 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 1 2 3 4 5
6 7 8 9 10 11 12
13 14 15 16 17 18 19
20 21 22 23 24 25 26
27 28 29 30 31 1 2