Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 prill 2019

Strukturat e Policisë së shtetit janë të angazhuara për evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.01drejtoria new

Gramsh-Zbardhet ngjarja e ndodhur në fshatin Gribë të Gramshit, ku një shtetas u plagos me armë zjarri në këmbë, jashtë rrezikut për jetën. Identifikohet dhe shpallet në kërkim autori. Si rezultat i veprimeve të shpejta dhe profesionale të kryera nga Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Specialistët e Hetimit të Krimit ndaj Personit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e autorit të dyshuar S.V, ku vijon puna për kapjen e tij. Ky shtetas mbrëmjen e djeshme në fshatin Gribë, Gramsh, për motive të dobëta dyshohet se ka plagosur me armë zjarri shtetasin T.V., 54 vjeç dhe është larguar, ku forcat e Policisë po punojnë për kapjen e tij si dhe për gjetjen e sekuestrimin e armës së zjarrit. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, dhe po punohet për kapjen e shtetasit S.V., për veprat penale " Vrasje me dashje e mbetur në tentativë" dhe Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve , armëve shpërthyese dhe municionit".

Berat/ Falë bashkëpunimit me qytetarët bien në prangat e policisë dy shtetas. Arrestohet një shtetas që mbante armë pa leje, si dhe kapet një person në kërkim i dënuar me 4 vite burg për prodhim dhe shitje të narkotikëve. Si rezultat i bashkëpunimit të qytetarëve me Policinë për të goditur paligjshmërinë në çdo fushë që ajo shfaqet, Specialistët e Seksionit për Krimet mbi bazën e informacioneve të marra bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit : V.Y, 74 vjeç, banues në Ura Vajgurore, “Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe municioneve’’, pasi gjatë kontrollit në banesë ju gjet dhe sekuestrua një armë zjarri. Gjithashtu po nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasit në kërkim: E.H, 30 vjeç, banues në Çorovodë, Skrapar, pasi Gjykata e Apelit Vlorë e ka dënuar me 4 vite burg, për veprën penale prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.

Tiranë/ Operacion policor i koduar “Fundjava”. Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Në pranga 35-vjeçari që shpërndante lëndën narkotike. Sekuestrohen 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë. Seksioni për hetimin e narkotikëve në bashkëpunim me prokurorinë e rrethit gjyqësor Tiranë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Fundjava”, arrestoi në flagrancë shtetasin: M. H., 35 vjeç, banues në Tiranë, me precedent të mëparshëm penal në fushën e narkotikëve. Shtetasi i mësipërm ishte në vëzhgim nga shërbimet e policisë, pasi për të disponohej informacion se merrej me shpërndarje të lëndës narkotike të llojit heroinë në formë dozash në zonën e “Selitës”, “Kombinatit”, “Astirit” dhe “Yzberishtit”. Ky shtetas është konstatuar duke qarkulluar me biçikletë në rrethrotullimin e bulevardit të “Kasharit” dhe është ndaluar për kontroll nga shërbimet e policisë. Gjatë kontrollit fizik të ushtruar i janë gjetur 5 doza me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë. Në vijim shërbimet e policisë kanë ushtruar kontroll dhe në banesën e këtij shtetasi, ku kanë gjetur dhe 20 doza të tjera me lëndë të dyshuar narkotike të llojit heroinë. Policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale 25 doza heroinë, 2 aparate celular dhe një biçikletë. Materialet proceduriale i kaluan për veprime të mëtejshme prokurorisë së rrethit gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasit M. H., për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndës narkotike”, parashikuar nga neni 283 i kodit penal.

Maliq /Vijon bashkëpunimi midis komunitetit dhe Policisë. Falë këtij bashkëpunimi, arrestohet në flagrancë një shtetas dhe procedohet penalisht në gjendje të lirë një tjetër, të cilët posedonin armë zjarri dhe municion pa leje. Sekuestrohen një armë tip automatik dhe municione luftarake. Pas marrjes së një informacioni nga komuniteti, se në fshatin Pirg, dy shtetas qarkullojnë me armë zjarri, menjëherë shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, kanë organizuar punën dhe falë reagimit të shpejtë në kohë, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit R.L, 20 vjeç, banues në Korçë. Si edhe filluan procedimin penal në gjendje të lirë për një 17 vjeçar, banues në Pirg. Dy shtetasve të mësipërm iu gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë zjarri tip automatik, një krehër me 3 fishkë dhe 343 copë fishekë të tjerë të vendosur brenda një çante, të cilat i posedonin pa leje. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Kakavijë/ Policia Kufitare godet një tjetër tentativë të "Trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike". Sekuestrohet 3.5 kilogramë lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sattiva. Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike. Më datë 13.04.2019, në dalje të Republikës së Shqipërisë është paraqitur shtetasi L.K., 39 vjeç, banues në Shkodër, me mjetin e tij. Pas analizës së riskut të bërë nga Policia Kufitare dhe e Migracionit, është bërë përzgjedhja dhe është ushtruar kontroll i imtësishëm në vijën e dytë, ku në gomën rezervë u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale disa pako me lëndë të dyshuar si narkotike Cannabis Sattiva, me peshë totale 3.5 kilogramë. Veprimet hetimore dhe procedurale të mëtejshme u kryen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, të cilët bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L.K., për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”.

Interpol Tirana/ Ekstradohet nga Athina një shtetas shqiptar i dënuar nga Gjykata e Durrësit me 15 vjet burg për veprën penale,"Trafikim i femrave për qëllim prostitucioni”. Zyra Qëndrore Kombëtare e Interpolit në Tiranë, ekstradoi nga Athina/Greqi, drejt Shqipërisë shtetasin shqiptar: A. D., 48 vjeç, lindur në Fier. Ky shtetas ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës e ka dënuar me 15 vjet burg për veprën penale,"Trafikim i femrave për qëllim prostitucioni”, parashikuar nga neni 114/b të Kodit Penal. Po nga Interpol Tirana janë kryer dhe dy ekstradime të tjera, konkretisht: u ekstradua nga Shqipëria drejt Italisë shtetasi E. H., 39 vjeç banues në Shijak pasi Gjykata e Brescia/Itali, ka lëshuar urdhrin e kërkimit ndërkombëtar, për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”; u ekstradua  nga Kosova dhe ju dorëzua  Drejtorisë Përgjithshme të Burgjeve, shtetasi në kërkim ndërkombëtar, H. B., 57 vjeç, banues në Has.

Lezhë/ Godet mjekun për shkak të detyrës, arrestohet në flagrancë nga policia. Shërbimet e Komisariatit Lezhë, pas njoftimit të marrë nga urgjenca e Spitalit se një shtetas ka goditur një mjek kanë shkuar menjëherë në urgjencën e spitalit ku kanë bërë shoqërimin dhe arrestimin në flagrancë të shtetasit P.P. 65 vjeç. Ky shtetas rreth orës 09:35, tek urgjenca e Spitalit Rajonal Lezhë, për shkak të detyrës ka goditur mjekun e urgjencës. Materialet procedurale do ti kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës Parë Lezhë për veprën penale "Goditje për shkak të detyrës".

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, nga këta: 13 janë të arrestuar, 7 të ndaluar dhe 42 ndiqen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 3 raste, konkretisht: në qarkun Durrës është evidentuar 1 rast i “Plagosjes së lehtë me dashje”, në qarkun Lezhë është evidentuar 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”; në qarkun Gjirokastër është evidentuar 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”.

Janë evidentuar 2 raste të “Prishjes së rendit dhe qetësisë publike” në qarkun Tiranë dhe Durrës, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 raste të “Prerjes së paligjshme të pyjeve”, në qarkun Korçë, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Dhunës në familje”, në qarkun Berat, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 7 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të “Ndërtimit pa leje” konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë; 1 rast në qarkun Gjirokastër dhe 1 rast në qarkun Vlorë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Vjedhjes së energjisë elektrike” në qarkun Lezhë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 5 raste aksidentesh me 6 shtetas të lënduar të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar 1 rast i kalimit të paligjshëm të kufirit në DVMK Gjirokastër, ku autori është proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit

Arkiva

Korrik 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31 1 2 3 4