Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 Gusht 2019

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 Gusht 201901drejtoria new

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.

Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar "Parandalimi". Falë bashkëpunimit me qytetarët, parandalohet një vrasje dhe vihet në pranga një person shumë i kërkuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Në zbatim të planit tëmasave për kapjen e personave në kërkim, evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në Tiranë, falë marrjes së informacionit nga qytetarët dhe bashkëpunimit mes strukturave të DVP Tiranë e DVP Shkodër, është bërë i mundur parandalimi i një vrasjeje. Një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i dënuar për vrasje dyshohejse do të kryente një krim të rëndë në Tiranë.

Mbrëmë rreth orës 20:50 është marrë njoftimi nga ana e shërbimeve të Seksionit të Hetimit të Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë së në rrugën “Bilal Xhaferi”, ndodhej një person i cili bënte lëvizje të dyshimta dhe dyshohej se kishte armë zjarri me vete.

Policia ka organizuar punën duke bërë lokalizimin e menjëhershëm të personit të dyshuar.

Shërbimet e Policisë kanë mbajtur nën kontroll personin duke bërë të mundur që me metoda të shpejta proaktive në bashkëpunim me DVP Tiranë dhe Shkodër të identifikonin personin e dyshuar, person me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Shërbimet policore kanë ndërhyrë menjëherë duke e neutralizuar dhe shoqëruar në komisariatin e Policisë Nr. 2, shtetasin Sadetin Erkoçeviq, 28 vjeç, lindur dhe banues në Shkodër.

Këtij shtetasi në momentin e kontrollit i është gjetur në çantën e dorës një armë zjarri pistolete e tipit Bereta, me 14 fishekë dhe një fishek në fole gati për qitje.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendim të formës së prerë në datën 15.02.2018, e ka dënuar me 20 vjet burg për veprat penale “Vrasje me dashje” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje te armeve e municioneve luftarake".

Më datë 10.05.2014, në një lokal me muzikë live, autori Sadetin Erkoçeviq ka vrarë me armë zjarri pistoletë shtetasin I.Y. dhe ka plagosur një tjeter.

Ky është rasti më i mirë për të falënderuar edhe njëherë qytetarët për bashkëpunimin dhe besimin që ata po krijojnë çdo ditë e më shumë. Kjo dëshmohet nga rritja e telefonatave në numrin unik 112 dhe e denoncimeve në Komisariatin Dixhital për paligjshmëri në të gjitha fushat.

Vetëm gjatë muajit korrik dhe gjysmën e parë të muajit gusht falë bashkëpunimit me qytetarët janë kapur 38 persona që qarkullojnë me armë zjarri, si dhe janë sekuestruar mbi 60 armë zjarri të kalibrave të ndryshëm dhe municoin luftarak.

Nga 275 operacione të koduara të zhvilluara nga strukturat e Policisë së Shtetit gjatë këtij 8 mujori, 123 prej tyre janë si rezultat i bashkëpunimit me komunitetin.

Policia e Shtetit fton edhe njëherë aleatin e saj më të çmuar, qytetarët që të bashkëpunojnë akoma më shumë me Policinë, të mbështesin Policinë, të denoncojnë çdo rast paligjshmërie në numrin pa pagesë 112, në Komisariatin Dixhital, duke garantuar anonimatin dhe një reagim të shpejtë e të paanshëm!

-Vlorë / Finalizohet operacioni i koduar "Mifoli".Sekuestrohen lëndë narkotike, një armë zjarri dhe municione. Vihen në pranga nga Policia 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 tjetër dhe procedohen penalisht 2 kryepleq fshatrash. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, në kuadër të operacionit "Mifoli" si dhe në vijim të kontrolleve territoriale kundër kultivimit të bimëve narkotike është konstatuar se në fshatin Aliban pranë Novoselës ishin mbjellë disa bimë cannabis sativa të cilat u asgjësuan menjëherë. Si rezultat i operacionit, u arrestuan në flagrancë shtetasit A. L., 44 vjeç banues në fshatin Mifol dhe Th. N., 53 vjeç, banues në fshatin Aliban. Si dhe u shpall në kërkim një shtetas tjetër i implikuar në ngjarje, E. L., 33 vjeç, banues në fshatin Mifol, Vlorë. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit A.L në Mifol, Policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 13 kilogramë lëndë narkotike kanabis, një armë zjarri automatik dhe 30 fishekë. Në vijim të veprimeve procedurale, Policia ka proceduar penalisht për "Shpërdorim detyre" shtetasit N.D dhe Dh.N, me detyrë kryepleq në fshatrat Mifol dhe Aliban. Materialet i kaluan Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

-Kavajë / Zbardhen 4 vjedhje banesash, të ndodhura gjatë muajve të fundit në qytetin e Kavajës. Zbardhja pas një pune hetimore me metoda speciale të hetimit. Finalizohet operacioni policor i koduar "Shëtitësi 1". Në pranga 29 - vjeçari i cili kryente vjedhje banesash të ndryshme. Në vijim të punës për parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë, kapjen dhe arrestimin e autorëve, shërbimet e Policisë të Komisariatit Kavajë, nën drejtimin e Prokurorisë, pas një pune të bërë me metoda speciale të hetimit, organizuar dhe finalizuan operacionin "Shëtitësi 1", ku u bë e mundur zbardhja e 4 rasteve të vjedhjes së banesave të ndryshme në Kavajë. Si rezultat i operacionit u bë ndalimi  i shtetasit B. A., 29 vjeç, banues në Luz të vogël Kavajë. Nga veprimet hetimore të kryera dyshohet se ky shtetas  muajt e fundit në qytetin e Kavajës ka vjedhur në 4 banesa, në të cilat ka  vjedhur vlera monetare, bizhuteri dhe orendi të ndryshme shtëpiake. Materialet procedurale do t'i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme për veprën penale “Vjedhja” në ngarkim të shtetasit B. A.

-Korçë / Masat e marra nga Policia, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në kuadër të manifestimit të Festës së Birrës, Gusht 2019. Më datë 14.08.2019 deri më 18.08.2019, në qytetin e Korçës, në ambjentet përpara Stadiumit “Skënderbeu” si edhe “Pazarit të Vjetër”, do të zhvillohet eventi i Festës së Birrës. Nga ana e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, janë marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë publike, për zhvillimin e manifestimin sa më normal të këtij eventi. Nga këto struktura do të merren masa për bllokimin e lëvizjes së automjeteve nga vendi i quajtur “Lëndina e Lotëve”, Pallati i Sportit, Qendra e Trajtimit të Studentëve, Unazës së Stadiumit si dhe në rrugën “Niko Kovaçi” (rruga e Dritave të Verdha e cila do të qëndrojë e bllokuar) me punonjës të policisë rrugore dhe me mjete mekanike bllokimi e sinjalizimi duke filluar nga data 14.08.2019, ora 10:00. Në bashkëpunim me Policinë Bashkiake do të lejohet hyrja në unazën lindore dhe veriore të Stadiumit, ku vendi i parkimit të këtyre automjeteve do të jetë në pjesën veriore të kësaj unaze. Në dy Bulevardet kryesore “Republika” dhe “Gjergj Kastrioti”, në sheshet ku do të ketë përqendrim dhe qarkullim të madh njerëzish dhe mjetesh do të ketë shërbime të shtuara të punonjësve të Policisë, të cilët do të mbikqyrin ruajtjen e rendit, do të ndërhyjnë në zgjidhjen e problemeve, do të parandalojnë krijimin e situatave të ndryshme të cilat mund të cenojnë sigurinë publike. Shërbimet e Rendit, do të mbajnë kontakt të vazhdueshëm me drejtuesit e objekteve me rëndësi të veçantë si: Nënstacionet Elektrike, Ujësjellësi, etj për të forcuar masat e ruajtjes së tyre. Policia Rrugore, do të jetë në gatishmëri të plotë për të orientuar lëvizjen e mjeteve para, gjatë zhvillimit dhe deri në përfundim të këtij eventi, do të disiplinojnë trafikun me qëllim parandalimin e ngjarjeve të mundshme rrugore. Drejtuesit e mjeteve këshillohen të shmangin lëvizjet e shtuara me mjet përgjatë këtyre ditëve, të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor duke kufizuar përdorimin e pijeve alkoolike, të vendosin rripin e sigurimit dhe kaskën mbrojtëse, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të respektojnë sinjalistikën horizontale dhe vertikale, me qëllim shmangien e aksidenteve. Të gjithë qytetarët të cilët ndeshen me probleme apo shqetësime të ndryshme, janë të lutur të telefonojnë tek nr 129 i Policisë së Shtetit, pasi do ju sigurohet një reagim i menjëhershëm dhe efektiv nga ana shërbimeve të Policisë.

-Fier/Në vijim të kontrollit të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, shërbimet e Policisë së Fierit asgjësuan disa bimë narkotike dhe vunë në pranga kultivuesin e tyre. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, bazuar edhe në informacione të marra në rrugë operative, kanë evidentuar dhe goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Vreshtaz, Njësia Administrative Cakran. Në vijim të veprimeve, u arrestua në flagrancë shtetasi A.M, 45 vjeç, pasi në stanin e tij në fshatin Vreshtaz, u gjetën të kultivuara disa bimë narkotike të dyshuara Kanabis Sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".

-Durrës/Plagos me mjet prerës një shtetas, por  falë reagimit në kohë të  shërbimeve të  Policisë Rrugore Durrës vihet në pranga autori i dyshuar. Më datë 14.08.2019, në lagjen Nr.12, shtetasi M.P. 19 vjeç, banues në Durrës, ka plagosur me një mjet prerës (thikë) shtetasin Q.Xh., 59 vjeç, banues në Durrës. Policia Rrugore që ishte me shërbim në atë zonë është vënë  menjëherë në ndjekje të autorit të dyshuar ku brenda një kohe të shkurtër bënë të mundur kapjen e tij. Specialistët për Hetimin e Krimeve  në bashkëpunim me Prokurorinë po punojnë për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

-Tiranë/Finalizohet një tjetër operacion në fushën e armëmbajtjes pa leje. Falë bashkëpunimit me qytetarët u zhvillua dhe finalizua operacioni i koduar "PEZA”. Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr. 6. Sekuestrohen 3 armë zjarri dhe 308 fishekë luftarak. Në pranga 47-vjeçari që posedonte armët e municionin luftarak. Në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe kapjen e personave me tendencë armëmbajtjeje pa leje, falë edhe informacioneve të marra nga qytetarët se një shtetas posedonte  disa armë zjarri, shërbimet e Seksionit të Policisë kriminale të Komisariatit të Policisë Nr. 6 , organizuan dhe zhvilluan operacionin policor të koduar "Peza", i cili u finalizua me kapjen në flagrancë të shtetasit D. H., 47 vjeç, banues ne Ballashenj,  Njësia Administrative Pezë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 1 armë zjarri pistoletë me 8 fishekë. Po në vijim të kontrollit, në afërsi të banesës së këtij shtetasi, shërbimet e policisë gjetën dhe sekuestruan edhe dy armë zjarri të tjera, konkretisht një automatik kallashnikov dhe një pushkë, si dhe 300 fishekë luftarakë. Vijon puna në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit Gjyqësor Tiranë me qëllim dokumentimin e plotë ligjor të veprimtarisë kriminale të shtetasit D. H. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 114 shtetas, nga këta: 27 janë të arrestuar, 10 të kapur nga kërkimi, 66 ndiqen në gjendje të lirë, 3 janë ekstraduar dhe 8 janë shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 2 raste të veprës “Dëmtime tjera me dashje”, janë evidentuar në qarqet Vlorë dhe Tiranë; 4 raste të “Kanosjes”, janë evidentuar në qarqet Tiranë dhe Lezhë dhe 4 raste të “Plagosje e lehtë me dashje” janë evidentuar në qarqet Berat dhe Fier.

Janë evidentuar 4 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarqet Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Berat, me 3 autorë të arrestuar dhe 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrimit të pronës”, në qarqet Tiranë, Durrës dhe Korçë, me 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 16 raste, në qarqet Tiranë, Elbasan, Berat , Fier, Vlorë e Dibër, me 4 autorë të ndaluar, 2 të arrestuar, 2 të proceduar në gjendje të lirë, 1 të shpallur në kërkim dhe për 10 raste po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të veprës penale “Pushtim toke”, në qarqet e Vlorës dhe Durrësit, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 7 shtetas të lënduar jashtë rrezikut për jetën dhe 2 të tjerë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Janë arrestuar 8 drejtues mjetesh si edhe proceduar penalisht 2 të tjerë për veprën penale “Drejtimi i mjetit në mënyrë të parregullt”, ku 2 prej tyre janë konstatuar në gjendje të dehur dhe 8 të tjerë duke drejtuar mjetin pa leje.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1