Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Operacion i përbashket mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese belge, kthehen 51 shqiptarë me qëndrim të parregullt në Belgjikë

Operacion i përbashket mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese belge, kthehen 51 shqiptarë me qëndrim të parregullt në Belgjikë

 

24rinas124rinas

Në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërmjet autoriteteve ligjzbatuese të Belgjikës dhe Policisë së Shtetit, gjatë ditës së sotme u krye kthimi/riatdhesimi i 51 shtetasve shqiptarë, të cilët gjendeshin në situatë të parregullt në territorin e shtetit Belg.

Ky është operacioni i parë i këtij lloji i ndërmarrë nga Policia e Shtetit pas dhe një sërë trajnimesh të kryera për punonjësit e Repartit Delta Force, të cilët janë inkuadruar në kuadër të këtij operacioni kthimi si eskortë shoqërimi.
Ndërkohë që të gjitha shpenzimet për kthimin e tyre janë përballuar nga shteti shqiptar.

Gjatë një deklarate të përbashkët për shtyp të dhënë sot në Rinas, nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Z. Hysni Burgaj dhe Shefi i Bashkëpunimit Operacional për kthimin e Azilkërkuesve, Z. Bart Vartestrate, u evidentua bashkëpunimi shumë i mirë që ekziston ndërmjet autoriteteve ligjzabtuese të të dy vendeve.

Z. Burgaj gjatë deklaratës për shtyp u shpreh:
“Është një operacion i përbashkët ndërmjet Policisë së Shtetit dhe autoriteteve ligjzbatuese Belge për kthimin e mbi 50 shqiptarëve me qëndrim të parregullt në territorin Belg.
Ky operacion realizohet me fondet e buxhetit të Shtetit. Sigurisht që do të vijojnë përsëri operacione të tilla, të këtij lloji, të këtyre përmasave dhe duhet të garantojmë qytetarët shqiptarë se kushdo që do të shkelë rregullat e qëndrimit në shtetet e BE-së, në zonën Shengen, do të kthehet në Shqipëri, do të riatdhesohet, por përveç këtij akti të kthimit do mbartë me vete penalitetet e moslejimit të lëvizjen në zonën Shengen për 5 vjet.
Policia e Shtetit ka marrë një sërë masash, ku ka krijuar një database të veçantë për të gjithë të kthyerit, ndaj të cilëve përveç kthimit respektohen këto sanksione. Po kështu ka marrë të gjitha masat për mos lejimin e abuzimeve apo spekulantëve që tentojnë të ndryshojnë të dhënat, emër, mbiemër, gjeneralitetet e tyre.
Sigurisht për të realizuar këtë operacion është dashur një kohë e konsiderueshme për trajnimin e efektivëve të Repartit Special Delta Forcë. Unë dua ti falënderoj për përkushtimin dhe realizimin e të gjitha kritereve të vendosura nga vendet e Bashkimit Europian për këto misione.
Mesazhi është i qartë për këta persona që tentojnë të thyejnë rregullat e vendosura për lëvizjen në zonën Shengen, Bashkimin Europian, nuk do të mbartin pasojat qytetarët e tjerë të Shqipërisë, të cilët duhet të respektojnë dhe respektojë me përpikmëri rregullat e vendosura tashmë në vendet e Bashkimit Europian.”

Ndërkohë Shefi i Bashkëpunimit Operacional për kthimin e Azilkërkuesve, Z. Bart Vartestrate theksoi:
“Ne jemi jashtëzakonisht të kënaqur me bashkëpunimin, që është me të vërtetë shembullor me autoritetet shqiptare dhe nëpërmjet këtij operacioni dëshirojmë t’ju përçojmë një sinjal. Këto akte bëhen që të ruhet për shtetasit shqiptarë liberalizimi i vizave.
Liberalizimi i vizave është një diçka shumë e mirë, por që të ruhet ky liberalizim vizash për shtetas shqiptarë, duhet që të luftojmë kundër abuzimeve me hyrjen dhe qëndrimin në vendet Shengen
Tashti e tutje Belgjika nuk do të jetë më një destinacion popullor sepse janë marrë të gjitha masat në bashkëpunim me autoritete shqiptare.
Shqipëria konsiderohet nga Belgjika si vend i sigurt e për shtetasit shqiptarë nuk merret parasysh asnjë kërkesë për azil.
Që nga muaji korrik i këtij viti kemi filluar që të marrim masa ndaj atyre personave që kanë abuzuar, që të futen në bazën e të dhënave të personave që do u refuzohet hyrja.
Shqipëria po ecën gjithnjë e më shpejt drejt integrimit në BE dhe nuk ka vend për azilkërkuesit shqiptarë në Bashkimin Europian.

Duke ju përgjigjur interesimit të gazetarëve lidhur me zonat nga janë të kthyerit nga Belgjika, Z. Burgaj u shpreh:
“Pjesa më e madhe janë të zonës veriore. Ne do të vijojmë përsëri kontaktet me shtetet e tjera, por dhe me Belgjikën, do të vijojmë bashkëpunimin dhe për çdo problem që ne do të konstatojmë sado të vogla këto shqetësime, ne do të marrim masa përkatëse të këtij lloj operacioni.”
Lidhur me faktin nëse këto janë veprime spontane të individëve të veçantë apo të organizuara Z. Burgaj theksoi:
“Në momentet që ka pasur një organizim, ne kemi marrë masa dhe ju jeni në dijeni për masat e marra qoftë ndaj pushtetarëve vendor apo drejtuesve të shoqatave dhe do të vijojmë përsëri masat ndaj kujtdo që tenton të organizojë elementë të këtij lloji që pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë.”

Ndërsa Z. Vartestrate lidhur me interesimin e gazetarëve të pranishëm për profilin e të kthyerve dhe pozicionin e shtetasve shqiptarë krahasuar me shtetasit e tjerë u shpreh:
“Ka persona që kanë mbërritur në tetor përmes territorit grek, shumica e të cilëve gjendeshin në territorin grek prej 2 vitesh. Profili i personave të kthyer është shumë i larmishëm, shumica janë meshkuj beqar.
Në Belgjikë tashmë, krahasuar me vendet fqinjë, azilkërkuesit shqiptarë janë të shumtë. Këtë e them se azilkërkuesit serb e maqedonas po drejtohen drejt Gjermanisë e Suedisë. Por për sa i përket shtetasve shqiptarë mund të them që shifra është rreth 70 azilkërkues në muaj e kjo nuk është e pranueshme.”
Lidhur me numrin e personave që pritet të kthehen në sajë të bashkëpunimit mes qeverisë belge dhe shqiptare Z. Vartestrate u shpreh:
“Aktualisht shifra është 70 azilkërkues e tendenca është disi në rritje dhe për këtë arsye e ndërmorëm këtë operacion në bashkëpunim me shtetin shqiptar dhe operacione të tilla do ti vazhdojmë deri sa shifra e azilkërkuesve të reduktohet në një nivel të pranueshëm.”
Ndërkohë nisur nga interesimi i gazetarëve lidhur me faktin se a ka shumë shtetas shqiptarë që nga Greqia janë drejtuar në Belgjikë, Z. Vartestrate theksoi se kjo është një ndër arsyet e rritjes së numrit të azilkërkuesve Shqiptarë në Belgjikë.

Arkiva

Qershor 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30