Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 22 Maj 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Berat - Vijon puna për kapjen dhe ndalimin e personave të shpallur në kërkim. Kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim nga drejtësia italiane për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat në bashkëpunim me Interpol Tirana, pas një pune të mirëorganizuar, bënë kapjen dhe arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimin drejt Italisë të shtetasit G. P., alias G. P., alias J. B., 44 vjeç, banues në Berat. Gjykata e Milanos në Itali në Mars të vitit 2013 e ka dënuar me 15 vite burg, për kryerjen e veprave penale “Organizatë Kriminale” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, parashikuar nga Kodi Penal Italian. Ky shtetas, në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë të organizuar si grup kriminal, ka qenë i përfshirë në trafik ndërkombëtar të heroinës dhe kokainës. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprime të mëtejshme.

Durrës - Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Një tjetër person i kërkuar për trafik të narkotikëve vihet në pranga. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, kapën dhe ndaluan shtetasin A. D., 33 vjeç, banues në fshatin Katund, Sukth, Durrës. Kapja dhe ndalimi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, më datë 01.07.2017 ka dhënë masën e sigurisë "Arrest në burg ", për veprën penale "Trafik i lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim", parashikuar në nenin 283/a/2 të Kodit Penal. Materialet hetimore u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shkodër - Vijon zbatimi i planit të masave për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapen dy shtetas të shpallur në kërkim për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Kapet dhe ndalohet edhe një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar me qëllim ekstradimin drejt Kosovës. Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, si rezultat i një pune të mirëorganizuar dhe në bazë të informacioneve të mara në rrugë operative, u kapën dhe u ndaluan dy shtetas të shpallur në kërkim P. Sh., 50 vjeç, banues në fshatin Mgulle, Shkodër dhe Gj. L., 63 vjeç, banues në fshatin Xhan, Shkodër. Kapja dhe ndalimi i shtetasit P. Sh., u bë pasi më datë 24.09.2018, Gjykata e Apelit Shkodër, e ka dënuar me 5 vite e 4 muaj burg për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” e “Kultivimi i bimëve narkotike” parashikuar nga nenet 278/3, 283/2 e 284/2 të Kodit Penal. Kapja dhe ndalimi i shtetasit Gj. L., u bë pasi, më datë 24.09.2018, Gjykata e Apelit Shkodër, e ka dënuar me 5 vite burg për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike", parashikuar nga nenet 278/3, 283/2 e 284/2 të Kodit Penal. Materialet u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme. Gjithashtu pas një pune të mirëorganizuar, në bashkëpunim me Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit F. M., 43 vjeç, banues në Gjilan Kosovë, i shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata Themeltare e Gjilanit, më datë 16.05.2019, ka lëshuar urdhër arresti për kundravajtjen penale "Lajmërim apo kallëzim i rremë’’, parashikuar nga neni 390/1 i Kodit Penal të Kosovës.

Tiranë - Kapet një 46-vjeçar i shpallur në kërkim për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Sektori i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, kapi dhe ndaloi shtetasin A. R., 46 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim, pasi Gjykata e Tiranës ka vendosur për të, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”. Ky shtetas, në bashkëpunim me disa të tjerë, të kapur dhe ndaluar më parë, ka siguruar të ardhura monetare nga ky aktivitet i paligjshëm. Materialet në ngarkim të tij u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 86 shtetas, konkretisht: 11 janë arrestuar, 11 janë ndaluar, 63 po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Janë ndaluar 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”; 1 në qarkun Durrës, i dënuar për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”; 1 në qarkun Elbasan, e dënuar për veprat penale “Vjedhja” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”; 1 në PKK Rinas, i dënuar për veprën penale “Trafik narkotikësh, i kryer në bashkëpunim”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 2 në Vlorë, 2 në Dibër, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Vlorë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 që po procedohet në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë, 1 në Dibër, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë, si edhe janë plotësuar 6 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 9 raste, 3 në qarkun Tiranë, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë dhe 6 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 4 viktima dhe 9 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 5 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Korçë dhe 1 në Vlorë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Vlorë, i cili është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 13 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 1 në Elbasan, 3 në Fier, 2 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës është evidentuar 1 rast, në qarkun Korçë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku 1 autor është ndaluar dhe 5 po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Qershor 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
27 28 29 30 31 1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30