Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 9 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.01drejtoria new

Durrës / Policia Rrugore e Durrësit godet një rast të mitëdhënies. Arrestohet në flagrancë drejtuesi i automjetit, shtetasi V.B., 22 vjeç, banues në Pejë, Kosovë, i cili i ofroi ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore me qëllim shmangien e masës administrative. Ky shtetas në aksin rrugor Durrës-Plepa, ka shkelur rregullat e qarkullimit rrugor duke drejtuar mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë, konstatuar nga agjenti verifikues me Radar, dhe gjatë momentit të ndalimit i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore së bashku me dokumentacionin dhe 30 euro, me qëllim shmangien e masës administrative. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës në ngarkim të shtetasit të lartpërmendur për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 244 i Kodit Penal.

Himarë/Pogradec/Durrës. Vijon operacioni "Plazh i lirë". Lirohen rreth 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme. Porcedohen penalisht 5 administratorë subjektesh si dhe 4 zyrtarë bashkiakë. Policia e Shtetit vijon zbatimin e detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave " Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore". Policia e Vlorës liron një hapësirë zonë të mbrojtur në Plazhin e Gjipesë - Himarë, e cila shkon deri në 3000 m2, si dhe rreth 600 metra në Potam e Qeparo. Në total lirohen 3600 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen rreth 200 shezlongë dhe 100 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.

Procedohen 4 administratorë subjektesh për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" "Moslëshimi i kuponit tatimor" dhe "Pushtimi i tokës".

Procedohet penalisht edhe një zyrtar në Bashkinë e Himarës.

Komisariati i Policisë Himarë në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe forcat e FNSH Fier, kanë ushtruar kontrolle në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit përgjatë plazhit të Himarës (Gjipe, Potam dhe Qeparo). Nga ky kontroll rezultoi se 4 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e "Stacionit të plazhit" pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Himarë. Në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit Ll. Sh., M.Dh., F.B. dhe A.Z., me detyrë administratorë të këtyre subjekteve.

Po gjatë operacionit, Policia procedoi penalisht për veprën penale "Shpërdorimi i detyrës", shtetasin L.M (Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave pranë Bashkisë Himarë) pasi dyshohet se ka lejuar dy nga këto subjekte tregtare të ushtrojë aktivitetin në plazh pa u pajisur me kontratë qiraje në Bashki dhe pa kupon tatimorë, duke mos vepruar në funksion me detyrën e tij.

-Operacioni ka vijuar edhe në Pogradec ku janë proceduar penalisht për “Shpërdorim detyre” tre inspektorë të Drejtorisë së Tatim Taksave në Pogradec, konkretisht shtetasit: G.L, A.P, dhe E.B, banues në Pogradec, (të tre me detyrë inspektorë kontrolli në Drejtorinë e Tatim Taksave në Pogradec), pasi nuk kanë ushtruar kontrollin e nevojshëm në disa subjekte private të cilat kishin lëshuar me qira më shumë shezlongë, sesa iu kishte miratuar me leje Bashkia Pogradec, duke zënë hapësira publike në zonën e plazhit.

-Në vijim të operacionit, në Durrës tek shkëmbi i Kavajës, gjatë kontrollit në një plazh privat u konstatuan rreth 160 shezlongë në administrim nga shtetasja D.D., e cila nuk lëshonte kupton tatimor. U procedua penalisht shtetasja D.D për veprat penale "Fshehja e të ardhurave" dhe "Mospagimi i taksave dhe tatimeve". Operacioni po vijon çdo ditë me shtrirje në gjithë zonat bregdetare në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Tiranë.      

Kapet dhe arrestohet në flagrancë nga shërbimet e Policisë e Komisariatit të Policisë Kufitare Rinas në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Hetimin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme shtetasi turk U. S.,19 vjeç, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose vizave”. Ky shtetas ka hyrë në mënyrë të paligjshme në territorin e Republikës së Shqipërisë. Nga kontrolli i ushtruar në dalje në PKK Rinas, Policia Kufitare i gjeti një pasaportë franceze e dyshuar si e falsifikuar.

Nga Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 4, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit në kërkim S. O.,31 vjeç, (ish punonjës policie), pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Gjatë kontrollit të banesës Policia i gjeti një armë zjarri pistoletë me 7 fishekë. Njëkohësisht ndaj këtij shtetasi ka bërë kallëzim edhe bashkëshortja e tij për dhunë fizike dhe psikologjike sistematike ndaj saj. Materialet i kaluan Prokurorisë për ndjekje të mëtejshme për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit".

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë nr 2, arrestuan në flagrancë shtetasin B. B., 40 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Dhuna në familje”, pasi ndaj tij ka bërë kallëzim i ati ,të cilin ka tentuar ta godasë me mjet prerës (thikë) në banesë.

Gjithashtu nga Seksioni i Forcës Operacionale Speciale në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr 1 u kap shtetasi në kërkim A. S.,31 vjeç, banues në Tiranë për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje kryer në bashkëpunim”, pasi me datë 06.08.2019, ky shtetas së bashku me një shtetas tjetër dyshohet se gjatë një konflikti kanë dhunuar fizikisht dy shtetas të tjerë. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme.

Tiranë/Edhe pse çdo ditë, në kryqëzimet kryesore të kryeqytetit, konstatohen dhe ndëshkohen një numër i madh drejtuesish mjetesh, pikërisht për mospozicionim siç duhet në korsinë e lëvizjes, përsëri shumë të tjerë, nuk reshtin së shkeluri normat e sjelljes, sinjalizimin rrugor horizontal dhe vertikal, duke u kthyer në rrezik por edhe shqetësim njëkohësisht për përdoruesit e tjerë të rrugës, që respektojnë normat e sjelljes në trafik. Sjellje të tilla, reflektojnë jo vetëm nivel të ulët të edukatës rrugore, por shërbejnë edhe si steriotipe negative për brezat e rinj të përdoruesve të rrugës, të cilët të afektuar nga “efekti i turmës”, keq - edukohen me një mënyrë të rrezikshme drejtimi, pa menduar për pasojat dhe rreziqet që u kanosen atyre në çdo moment. #RespektoRregullatUdhëtoiSigurtë#

Korçë/Vijon operacioni policor i koduar “Denas” i finalizuar dy ditë më parë, me ndalimin e dy shtetasve të shpallur në kërkim për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve dhe municionit”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë”. Procedohen penalisht 4 shtetas të tjerë, mes të cilëve një inspektor i Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, dy punonjës pyjesh, si edhe kryetari i fshatrave Denas dhe Xerje, për “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”. Në kuadër dhe në vijim të veprimeve proceduriale e hetimore lidhur me operacionin policor të lartpërmendur, specialistët e Hetimit për Krimet në Komisariatin e Policisë Korçë, filluan procedimin penal në gjendje të lirë ndaj shtetasve:

S.Z, (me detyrë Inspektor pranë Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit, Pyjeve, Ujrave dhe Turizmit Korçë), M.B, (me detyrë teknik i pyjeve për zonën e njesisë administrative Voskopojë, Lekas në sektorin pyjor pranë Bashkisë Korçë), F.B, (me detyrë roje i pyjeve për zonën e mësipërme), I.A, (me detyrë kryetari i fshatrave Denas dhe Xerje).

Procedimi ndaj tyre filloi pasi, këta shtetas dyshohet të kenë konsumuar elementë të veprave penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprime të mëtejshme.

Fier/Policia godet dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Kapet dhe ndalohet autori i njërit rast. Po punohet me metodat speciale të hetimit për dokumentimin e rastit tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, gjatë kontrollit të territorit në fshatin Libofshë si dhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të tentativës për kultivim të bimëve narkotike, ku pranë banesës së shtetasit E.M u gjetën dhe u sekuestruan disa kubikë ku ishin kultivuar fidanë dhe fara të dyshuara Kanabis Sativa. Në përfundim të veprimeve u bë ndalimi i autorit të dyshuar të kultivimit të tyre, shtetasi E.M, 43 vjeç, banues në Libofshë. Gjithashtu, po në vijim të kontrollit të territorit, në fshatin Cakran, në një zonë të pyllëzuar, u gjetën dhe u asgjësuan disa bimë Kanabis Sativa. Po punohet për dokumentimin ligjor të kësaj vepre penale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprën penale "Kultivimi i bimëve narkotike".

Lezhë/ Specialistët e Qarkullimit Rrugor pranë Komisariatit të Policisë Lezhë arrestuan në flagrancë shtetasin M.N. vjeç 39, banues në Shkodër për veprat penale " Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor" dhe " Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt". Ky shtetas, rreth orës 06:00, duke drejtuar mjetin e tij në gjendje të dehur, në vendin e quajtur " Kryqëzimi i Gjadrit" , ka përplasur mjetin e drejtuar nga shtetasi S.S. Për pasojë janë lënduar shtetasi M.N. dhe një pasagjer në mjetin tjetër, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë.

Specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës Shkallës Parë Lezhë, pasi rreth orës 02:00, në Spiten , në distanca rreth 50 metra larg nga banesa e shtetasit T.K., janë dëgjuar të shtëna me armë zjarri si dhe 20 metra larg banesës është konstatuar një fitil zjarrpërcjellës në një gropë sipërfaqësore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave, zbardhjen e rastit dhe vënin para përgjegjësisë ligjore të autorit

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 93 shtetas, nga këta: 10 janë të arrestuar, 2 të kapur nga kërkimi, 80 ndiqen në gjendje të lirë, dhe 1 është shpallur në kërkim.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, konkretisht në qarkun Durrës dhe Lezhë, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lire.

Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin janë evidentuar 9 raste, konkretisht: 1 rast i “Plagosjes së lehtë me dashje” është evidentuar në qarkun Durrës; 5 raste të “Dëmtime tjera me dashje”, janë evidentuar në qarqet Durrës, Tiranë, Vlorë dhe Dibër; 3 raste të “Kanosjes”, janë evidentuar në qarqet Durrës, Fier dhe Vlorë.

Janë evidentuar 4 raste të “Dhunës në familje”, konkretisht në qarqet Tiranë, Korçë dhe Lezhë, me 2 autorë të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë. Janë plotësuar 6 kërkesë padi për urdhër mbrojtje të menjëhershëm.

Janë evidentuar 3 raste të “Shkatërrimit të pronës”, në qarqet Korçë dhe Lezhë, me 3 autorë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 6 raste, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 10 raste të “Ndërtimit pa leje” , në të gjithë vendin, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të “Prerjes së paligjshme të pyjeve” , në qarkun Lezhë dhe Dibër, ku autorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 9 shtetas të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 drejtues mjeti nën efektin e alkoolit, konkretisht në qarqet Durrës dhe Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 3 raste të “Kalimit të paligjshëm të kufirit”, ku autorët janë proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1