5 Maj 2019, përkujtohen Dëshmorët e Policisë së Shtetit

I përjetshëm kujtimi dhe vepra e Dëshmorëve të Atdheuthomazhe2019akademia

Në kuadër të 5 Majit, Ditës së Dëshmorëve të Atdheut, për të përkujtuar dhe vlerësuar aktin sublim të punonjësve të Policisë të rënë në krye e për shkak të detyrës, në Akademinë e Sigurisë u zhvillua ceremonia përkujtimore, Vendosja e kurorave me lule në nderim të tyre pranë Memorialit, si dhe vizitë në familjet e të rënëve.

Në këto aktivitete mori pjesë Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Ardi Veliu, familjarët e të rënëve, përfaqësuesit e misioneve që asistojnë punën e Policisë së Shtetit, oficerët ndërlidhës, si dhe kolegë të dëshmorëve të Policisë.

Ministri i Brendshëm dhe Drejtori i Përgjithshëm kanë vlerësuar dhe janë përulur përpara memorialit të dëshmorëve të Policisë, duke premtuar më shumë përkrahje për familjarët si dhe më shumë angazhim nga ana e Policisë, për të krijuar një ambient sa më të sigurt.

Vajza e njërit prej Dëshmorëve të Policisë, Klea Bako, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Policinë e Shtetit për vëmendjen e shtuar së fundmi për familjarët e dëshmorëve dhe bëri thirrje për të përkrahur dhe mbështetur të gjithë Policinë e Shtetit.

Më poshtë fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ardi Veliu

I nderuar z. Ministër,

Të dashur familjarë të kolegëve tanë të shtrenjtë,

Të nderuar të ftuar dhe pjesëmarrës,

Të flasësh sot në këtë ditë simbol që mbart brenda vetes qindra jetë të kolegëve tanë të cilët dhanë jetën për të mbrojtur jetën e qytetarëve, të flasësh përpara jush të nderuar familjarë të dëshmorëve të Policisë, s'është aspak e lehtë dhe s'është një formalitet, por është një përgjegjësi e shumëfishtë për mua dhe për gjithë Policinë e Shtetit.

Të kujtosh, të nderosh dhe të përulesh me respekt të sinqertë para memorialit të atyre që sakrifikuan gjënë më sublime për t'i shërbyer ligjit dhe komunitetit, që dhanë jetën në përpjekje për të përmbushur detyrën primare të Policisë, garantimin e jetës së qytetarëve, është jo vetëm vlerë e organizatës, jo vetëm vlerësim për familjet e kolegëve të shtrenjtë, por është krenari për të gjithë shoqërinë.

Organizata e Policisë është vetmja organizatë që e ka paguar më shtrenjtë përballjen me krimin, përpjekjen për të vendosur rendin dhe sigurinë, sakrificën për të mbrojtur jetën me jetë.

Dita e sotme nuk është një ditë rutinë për të bërë detyrën dhe pasi të ndahemi nga këtu, të harrojmë për çka u mblodhëm. Por është një ditë e veçantë krenarie, obligimi, detyrimi e reflektimi.

Sot është e vështirë të gjesh fjalët dhe shprehjet e duhura, për të shprehur dhimbjen e përbashkët që ndiejmë nga mungesa e kolegëve tanë të shtrenjtë. Akti sublim nuk ka çmim, nuk ka krahasim apo figura letrare, për ta nderuar e lartësuar aq sa duhet këtë sakrificë.

Sot, ju familjarë të Dëshmorëve të Policisë nuk jeni vetëm, e nuk do të jeni asnjëherë vetëm, por jeni pjesë e rëndësishme e familjes sonë të madhe, Policisë së Shtetit.

Djem dhe vajza të dëshmorëve të Policisë, sot gjenden në radhët e tona për të vazhduar misionin e baballarëve të tyre.

E përherë dera e Policisë së Shtetit do të jetë e hapur, përherë Policia e Shtetit, Ministria e Brendshme dhe Qeveria, do të jenë mbështetja juaj, pasi e gjithë shoqëria ndihet në borxh me ju, me veprën e të dashurve tuaj, kolegëve tanë të paharruar.

Sot është një ditë reflektimi për mua personalisht dhe për gjithë Policinë e Shtetit, për të bërë më shumë në drejtim të rendit e sigurisë dhe mbi të gjitha për të bërë gjithçka që është e mundur, që qytetarët shqiptarë të jetojnë në një vend shumë më të sigurt.

Thirrja që Policia e Shtetit i drejtoi nga Shkodra para dy ditësh komunitetit për të mbështetur dhe bashkëpunuar me Policinë, mbart brenda saj sakrificën e qindra dëshmorëve të Policisë, mbart brenda saj ndërgjegjësimin dhe detyrimin e të gjithë atyre që duan dhe zbatojnë ligjin, që të përkrahin Policinë në luftën e pandërprerë me të keqen dhe krimin, sepse në rast se Policia e Shtetit është bashkë me qytetarin, me të rinjtë, me median, me gjithë faktorët dhe aktorët e shoqërisë, do të kemi shumë më pak Dëshmorë Policie, shumë më shumë rend e siguri, shumë më shumë shkolla të sigurta ku të mbizotërojë libri, e shumë më shumë shpresë për një të ardhme më të sigurt.

Ndaj besoj se nuk ka vend për fjalë të tjera, më shumë se sa një thirrje për të gjithë ne, për të gjithë shoqërinë që të reflektojmë mbi vlera të tilla si nderi, sakrifica, përkushtimi e sublimi, në kryerjen e detyrës, vlera këto që na frymëzojnë dhe motivojnë për të vazhduar më tej, për të përmbushur misionin për të cilin ata u sakrifikuan.

Në nderim të të rënëve të Policisë së Shtetit, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje.

I përjetshëm qoftë kujtimi i Dëshmorëve të Policisë së Shtetit.

Faleminderit!

homazhe2019akademia01

homazhe2019akademia07

homazhe2019akademia04

homazhe2019akademia08

homazhe2019akademia09

homazhe2019akademia11

homazhe2019akademia12

homazhe2019akademia13

homazhe2019akademia14

homazhe2019akademia15

homazhe2019akademia16

 

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1