Masat e marra

Strukturat e Policisë së Shtetit prej mëngjesit të ditës së sotme kanë ndërmarrë një operacion në shkallë të gjerë për asgjesimin e sipërfaqeve të kultivuara me bimë narkotike  në komunat e zonës së Dukagjinit, përkatësisht Shllak, Shosh, Pult dhe Temal. Më tepër

Rezultatet e operacionit

Në përfundim gjatë 8 ditëve të operacionit policor u identifikuan 313 parcela dhe u asgjësuan 136 468 rrënjë bimë narkotike. Filloi ndjekja penale për 6 autorë të dyshuar të sulmit me armë ndaj policisë, të cilët u shpallën në kërkim. U arrestuan  3 autorë Më tepër

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Bulqizë - Finalizohet me sukses operacioni policor "Ballenjë - 2019" në kuadër të parandalimit, evidentimit dhe goditjes së veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Sekuestrohen armë zjarri, municion luftarak, kubikë ku ishin kultivuar fara cannabis sativa dhe bazë materiale që do shërbente për të kultivuar në tokë fidanët narkotikë. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas. Në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se në malin e Ballenjës, njësia administrative Martanesh, disa persona po përgatiteshin për të kultivuar bimë narkotike, nga ana e Komisariatit të Policisë Bulqizë, u organizuan shërbime sekrete, dhe si rezultat u finalizua me sukses operacioni policor "Ballenjë-2019", duke arrestuar në flagrancë shtetasit: A.Ll, 26 vjeç, banues në Mirditë, K.H, 25 vjeç, banues në Tiranë, O.K, 23 vjeç, banues në Tiranë. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes policia ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56, me 30 fishekë, 1324 kubik(gota plastike), të mbjella të dyshuara me fara cannabis sativa, vegla pune, tuba plastike që do shërbenin për kultivimin në tokë të fidanëve që u gjetën në gotat plastike. Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit" kryer në bashkëpunim.

Shkodër - Vijon puna për kapjen e personave të shpallur në kërkim. Kapet dhe ndalohet një person i shpallur në kërkim për vrasje. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër në bazë informacioneve të siguruara në rrugë operative dhe pas një pune të mirëorganizuar, kapet dhe ndalohet në fshatin Bregu Lumit, në Dukagjin, shtetasi i shpallur në kërkim: N. L., 55 vjeç, banues në Tropojë. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi është autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit T. B., ngjarje e ndodhur më datë 18.09.2018, në bjeshkën e Doberdollit, Tropojë. Gjykata e Rrethit Tropojë me vendim nr. 35 datë 25.09.2018 ka caktuar masën sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale "Vrasja me dashje" dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Ky shtetas do i dorëzohet shërbimeve të D. V. P. Kukës për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 19 janë arrestuar , 7 janë ndalur dhe 70 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 5 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 1 në qarkun Gjirokastër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”; 1 në qarkun Durrës, i dënuar për veprën penale “Mashtrimi”; 1 në Vlorë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; 1 në PKK Morinë, për veprën penale “Vjedhja”; 1 në PKK Rinas, për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Është arrestuar 1 shtetas në kërkim ndërkombëtar, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, konkretisht: 3 në qarkun Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Dibër, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Vlorë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 11 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 2 në Korçë, 1 në Lezhë, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Korçë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, 1në Fier dhe 1 në Lezhë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 10 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 10 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë dhe 1 në Durrës, ku autorët janë arrestuar në flagrancë; 1 në Lezhë, 1 në Dibër, 1 në Elbasan, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në PKK Port, ku autori është ndaluar, si edhe 4 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 12 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 4 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës, 4 në Elbasan, 1 në Korçë, 1 në Shkodër, 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 5 raste, 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 3 në Berat, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Vjedhja e energjisë elektrike”, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prishja e qetësisë publike”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, ku 1 është ndaluar dhe 1 po procedohet në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 16 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë dhe 1 në Korçë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1