Tiranë - Finalizohet operacioni antidrogë i koduar "Fresku", arrestohet poseduesi i lëndës narkotike
Tiranë
Finalizohet me sukses operacioni antidrogë i koduar "Fresku".
Sekuestrohen 70 doza lëndë narkotike e dyshuar "Kokainë"
Arrestohet në flagrancë poseduesi i lëndës narkotike
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike të forta në doza të vogla, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative arrestuan në flagrancë shtetasin:
• E.D, 25 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për veprën penale “Shfrytëzim Prostitucioni”.
Në bazë informacioneve që dispononte Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, të marra në rrugë operative, ka rezultuar se ky shtetas kryente aktivitet të kundraligjshëm të shitjes së lëndëve narkotike të forta të llojit “Kokainë” në doza të vogla personave të ndryshëm në zonat e Freskut, Xhamllikut dhe Porcelanit.
Shtetasit të lartpërmendur në momentin e ndalimit nga shërbimet e Policisë në rrugën e "Dibrës" pranë një lokali, gjatë kontrollit fizik dhe në banesë i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale rreth 70 doza lëndë narkotike e dyshuar Kokainë.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”, parashikuar nga neni 283 i Kodit Penal.