Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 Maj 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Policia e Shtetit - Vijon operacioni antidrogë i koduar “BISTRICA 2019”. Shkon në 13 numri i të arrestuarve gjatë këtij operacioni. Kapet dhe ndalohet shtetasi E.M., 37 vjeç, banues në Patos, si pjesëtar i grupit të strukturuar kriminal që merrej me trafikim të lëndëve narkotike. Dy ditë më parë Policia e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda në Tiranë, finalizoi operacionin antidrogë të koduar “BISTRICA 2019”. Në operacion u përfshinë  Drejtoria Hetimore Qendrore në Departamentin e Policisë Kriminale, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, si dhe Drejtoritë Vendore të Policisë Tiranë dhe Fier. Pas një hetimi pro-aktiv, përgjatë një harku kohor disa mujor, duke aplikuar metodat speciale të hetimit gjatë operacionit policor të koduar  “BISTRICA 2019”, u arrestuan dhe u ndaluan 11 persona si dhe u sekuestruan 79 kg Cannabis Sativa, e fshehur në një automjet në vende të krijuara posaçërisht. Po gjatë operacionit, në kontrollet e ushtruara u sekuestruan edhe tre armë zjarri u vu në pranga një 52 vjeçar nga Mallakastra. Më herët në datë 05.04.2019, në funksion të këtij procedimi penal në Kapshticë, u arrestua  edhe një pjesëtar tjetër i këtij grupi kriminal, ku u sekuestrua rreth 68 kg lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa. Gjithsej në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 145.6 kg lëndë narkotike e llojit Cannabis Sativa; 3 armë zjarri dhe municion luftarak, 4 automjete të markave të ndryshme; një sasi vlerash monetare, 14 aparate celularë me kartat Sim të markave të ndryshme. Nën drejtimin e Prokurorisë për Krime të Rënda vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të kryer nga ky grup kriminal.

-Tiranë/Lokalizohet, kapet dhe arrestohet përkohësisht, me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një shtetas italian i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale automjet, aparate celulare dhe dokumente. Seksioni i Forcës së Posaçme të Operacioneve Speciale dhe Kërkimit, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin të Krimit Ekonomik e Financiar dhe ZQK Interpol Tirana, pas një pune të mirë organizuar e profesionale, lokalizuan, kapën dhe arrestuan përkohësisht shtetasin italian, M. N., 43 vjeç, lindur dhe banues në Itali. Ky shtetas është person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Brescia / Itali, me vendimin e datës 22 nëntor 2018, e ka dënuar me 5 vjet e 7 muaj burg për veprën penale “Mashtrimi”. Gjithashtu shtetasi italian M.N., më 26 korrik 2014, është ndaluar me iniciativë për veprën penale “Mashtrimi”, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, si dhe në datat 22 qershor 2016 dhe 15 maj 2018, është proceduar në gjendje të lirë për veprë n penale “Mashtrimi” po nga ky seksion. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan: një automjet, dy aparate celulare dhe dokumente. Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë, do të kryhen nga ZKQ Interpol Tirana.

-Peqin/Policia zbardh ngjarjen, identifikon dhe arreston autorët e dyshuar të vjedhjes së banesës të shtetasit S.Z., ndodhur më datë 08.05.2019. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin, pas një pune të mirë-organizuar hetimore dhe  profesionale dhe në bazë të provave të grumbulluara, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasve: B.H., 30 vjeç, M.Ll., 27 vjeç, të dy banues në Peqin dhe  E.Sh., 27 vjeçe , banuese në Durrës. Si dhe vijon puna intensive për kapjen edhe të një prej autorëve të dyshuar të vjedhjes i cili është shpallur në kërkim, shtetasi S.I., 19 vjeç.  Arrestimi i tyre u bë pasi, dyshohen se në bashkëpunim me njëri- tjetrin, më datë 08.05.2019, kanë vjedhur në banesën e shtetasit S.Z.,  një sasi të konsiderueshme parash. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasve të lartëpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan për veprën penale "Vjedhja".

-Shkodër /Vijon puna për kapjen e personave në kërkim dhe vendosjen e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. I dënuar për armëmbajtje pa leje nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Dibër, vihet në pranga nga policia e Shkodrës. Forcat policore të  Komisariatit të Policisë Shkodër në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, lokalizuan dhe kapen shtetasin në kërkim  M.P. 28 vjeç, banues në Shkodër. Kapja dhe ndalimi i këtij shtetasi u bë për llogari të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër  e cila e kishte shpallur në kërkim kombëtar pasi Gjykata e Shkallës Parë Dibër me vendimin datë 15.02.2018 e ka dënuar me 2 vite burg për  veprën penale “Mbajtje pa leje dhe prodhim i armëve shpërthyese dhe municionit” parashikuar nga neni 278/3 i Kodit Penal.  Ky shtetas ju dorëzua strukturave të D.V.P. Dibër për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, nga këta: 10 janë arrestuar në flagrancë, 69 ndiqen në gjendje të lirë, 9 janë ndaluar.

Janë ndaluar 9 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 1 i arrestuar me qëllim ekstradimi drejt Italisë për “Mashtrim”; 1 i ndaluar për “Drejtim mjeti në mënyrë të parregullt”, 1 i ndaluar për “Vjedhje”, 2 në qarkun Elbasan për “Prodhim dhe shitje narkotikësh”, 2 në qarkun Lezhë për veprën“Vjedhja” kryer në bashkëpunim, 1 në qarkun Vlorë I dënuar për “Vjedhje” dhe 1 në qarkun Dibër i dënuar “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve shpërthyese e municionit”.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 8 raste, konkretisht: 2 raste në Tiranë dhe Elbasan për veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje” me 4 autorë, 3 prej të cilëve të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim. 3 raste në Tiranë, Elbasan dhe Korçë për veprën penale “ Plagosja e lehtë me dashje” me 5 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 3 raste në Durrës dhe Shkodër për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje” ku 4 autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar  9 raste të “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në qarkun Korçë ku autorët po procedohen në gjendje të lirë si edhe janë plotësuar 6 kërkesë - padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 3 raste në qarqet Vlorë, Lezhë dhe Tiranë ku autorët janë ndaluar, 1 rast në Lezhë ku autori është arrestuar në flagrancë, 2 raste në Tiranë dhe Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Për 7 rastet e tjera në gjithë territorin po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 17 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, 2 në Durrës,1 në Berat,1 në Fier,1 në Vlorë,7 në Shkodër, 3 në Dibër, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 3 raste aksidentesh, me 5 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin në gjendje të dehur në qarkun e Tiranës i cili u arrestua në flagrancë.

Janë evidentuar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë të cilët janë arrestuar në flagrancë dhe 1 në qarkun Vlorë i cili u procedua në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 6 raste të veprës “Vjedhja e energjisë elektrike”, 3 raste në qarkun Shkodër ku 2 prej autorëve po procedohen në gjendje të lirë, dhe 1 tjetër është shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Pushtimi i tokës”, 1 në qarkun Durrës,1 në Elbasan dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 3 raste, në qarqet Tiranë, Korçë dhe Berat ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Korrik 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
1 2 3 4 5 6 7
8 9 10 11 12 13 14
15 16 17 18 19 20 21
22 23 24 25 26 27 28
29 30 31 1 2 3 4