Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 8 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Policia e Shtetit - Finalizohet operacioni “Transferta“, për sekuestro preventive të disa pasurive të paluajtshme të cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i tyre. Sekuestrohen pasuri të paluajtshme që kapin shifrën 1 milion Euro. Drejtoria Hetimore Qëndrore, Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, zhvilluan Operacioni Policor “Transferta“, për sekuestro preventive të disa pasurive të paluajtshme të shtetasve A.D, V.D. dhe shtetasit Italian F. C. Operacioni u zhvillua në funksion të procedimit penal të vitit 2018, regjistruar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale “, parashikuar nga neni 287 i Kodit Penal. Bazuar në vendimin e datës 05.07.2019, të Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, u vendos sekuestro preventive mbi pasuritë, si më poshtë: 2 apartamente banimi në Pogradec, me sipërfaqe 175 m2, 4 apartamente banimi në Tiranë, me sipërfaqe 420 m2 dhe 1 njësi shërbimi në Tiranë, me sipërfaqe 106.5 m2. Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 1 milion euro. Shtetasja A.D dhe shtetasi italian F. C. janë proceduar më parë nga Autoritetet Gjyqësore Italiane, nga Guardia di Finanzia e Comos, për veprat penale të mashtrimeve financiare, falsifikimit dhe shitjes së produkteve me shenja false. Nga hetimi ka rezultuar se të dy këtyre shtetasve, Guardia di Finanza, ju ka sekuestruar rreth 2.388.611 Euro në Itali, të cilat dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm i tyre. Nga veprimet hetimore të kryera në funksion të procedimit penal të vitit 2018 të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Pogradec, rezultoi se shtetasja A.D bashkëjeton me shtetasin Italian F. C, dhe banojnë në Itali. Për të fshehur dhe justifikuar këto prona të blera në Shqipëri, i kanë regjistruar në emër të shtetases V.D me banim në Pogradec (nëna e shtetases A.D, pensioniste). Policia e Shtetit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Rrrethit Gjyqësor Pogradec, po vijon punën për dokumentimin e plotë të aktivitetit të paligjshëm të këtyre personave, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Tiranë - Finalizohet operacioni policor "Kasaforta". Operacioni nga Komisariati i Policisë Nr.2. Falë reagimit profesional dhe në kohë, zbulohet dhe goditet një grup që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave. Arrestohen në flgrancë 3 persona, 1 shpallet në kërkim dhe 1 ndiqet në gjendje të lirë. Sekuestrohen bizhuteritë, kasaforta, vlerat monetare, si dhe sendet e përdorura për të kryer vjedhjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr.2, më datë 06.07.2019, rreth orës 19:00, kanë marrë njoftim se në rrugën “Sulejman Pitarka”, është vjedhur banesa e shtetasit Th. Q, ku kanë marrë një kasafortë, brenda së cilës kishte disa bizhuteri të shtrenjta dhe një sasi parash. Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, informacioneve të grumbulluara në rrugë operative për personat e dyshuar, shërbimet e Policisë të Kom. Pol. nr. 2 organizuan dhe finalizuan operacionin policor "Kasaforta", duke bërë të mundur evidentimin, zbulimin dhe goditjen e një grupi që ushtronte veprimtari kriminale në fushën e vjedhjes së banesave. Si rezultat u arrestuan në flagrancë shtetasit: E. J., 37 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, A. Sh., 22 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim, D. P., 33 vjeçe, banuese në Tiranë, për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetes”. Si dhe u shpall në kërkim policor dhe po punohet per kapjen e shtetasit K. P., 30 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Vjedhja me pasoja të rënda”, në bashkëpunim dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.Gjithashtu është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja M. Gj., banuese në Tiranë, për veprat penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale” dhe “Moskallëzim i krimit”. Operacioni ka nisur paraditen e datës 07.07.2019 dhe është finalizuar në orët e para të mëngjesit të sotëm me arrestimin e personave, si dhe me gjetjen dhe sekuestrimin e sendeve të vjedhura. Policia ka bërë të mundur që në lumin Erzen, në afërsi të Shijakut, të gjejë kasafortën që autorët kishin hedhur në lumë për të humbur gjurmët, si dhe gjatë kontrollit të banesave të tyre Policia gjeti dhe sekuestroi në cilesinë e provës materiale sendet si më poshtë: 41 ora të ndryshme të markave të shtrenjta, katër çelesa special për hapje dyersh, një automjet me targa AC 525 T, 11 lima për pastrimin e çelësave special, dy leva për hapje dyersh, një sasi monedhash metalike të llojeve të ndryshme, shtatë telefona celular, një elektrik (elektroshot), një sasi bizhuterish të ndryshme. Nga veprimet hetimore të kryera rezulton se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohen edhe si autorë të vjedhjes së banesës së shtetasit E. Ç., ngjarje e datës 05.04.2019. Vijon puna për dokumentimin e vjedhjeve të tjera, që dyshohet se janë kryer nga ky grup në vende të ndryshme në Tiranë. Materialet iu dërguan Prokurorise së Rrethit Gjyqesor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Belsh - Falë besimit, bashkëpunimit dhe ndërgjegjësimit të komunitetit, u finalizua me sukses operacioni policor i koduar "Liqeni". Operacioni nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan, në bashkëpunim me efektivë të Postës Policore Belsh. Shfrytëzonte për prostitucion vajzat në ambientet e lokalit dhe shpërndante lëndë narkotike, arrestohet në flagrancë nga policia pronari i lokalit, si dhe procedohen penalisht në gjendje të lirë 5 shtetase. Sekuestrohet lëndë narkotike, një automjet dhe celularë. Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike dhe shfrytëzimit të lokaleve për prostitucion, bazuar mbi informacionet e marra nga komuniteti se në ambientet e një lokali u shpërndahej lëndë narkotike e dyshuar kokainë klientëve të ndryshëm, si dhe shfrytëzoheshin vajza të moshave të ndryshme për prostitucion, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor "Liqeni", si rezultat i të cilit u arrestua në flagrancë shtetasi E.Ç., 43 vjeç, banues në Fier, (pronari i lokalit në të cilin zhvillohej veprimtaria e kundërligjshme). Si dhe u proceduan penalisht në gjendje të lirë 5 shtetase për veprën penale "Prostitucioni". U sekuestruan në cilësinë e provave materiale, 14.7 gramë pluhur i dyshuar lëndë narkotike e llojit kokainë, një peshore elektronike, automjeti në pronësi të shtetasit E.Ç., si dhe 6 aparate telefonike celulare. Gjithashtu ky shtetas nuk ishte i pajisur me kasë fiskale gjatë ushtrimit të aktivitetit në lokali, duke bërë të mundur fshehjen e të ardhurave. Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprat penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve", "Shfrytëzimi i prostitucionit", "Mbajtja e lokaleve për prostitucion", dhe "Fshehja e të ardhurave", në ngarkim të shtetasit E.Ç. Policia e Shtetit vijon punën për parandalimin e ngjarjeve kriminale dhe goditjen e paligjshmërisë dhe në këtë kuadër fton qytetarët të telefonojnë falas në numrat 112 dhe 129, ose në aplikacionin "Komisariati Dixhital" kur konstatojnë paligjshmëri, duke i garantuar për reagim të shpejtë dhe të paanshëm.

Tepelenë - Finalizohet operacioni policor i koduar "KANIONET". Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Finalizohet operacioni policor i koduar "KANIONET". Operacioni nga Komisariati i Policisë Tepelenë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër. Sekuestrohet rreth 46 kilogramë lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe disa fidanë kanabis. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre. Në kuadër të luftës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve,në vijim të kontrollit të pandërprerë të territorit, si dhe mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi A.Z. dispononte lëndë narkotike, nga ana e Komisariatit të Policisë Tepelenë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në D.V.P. Gjirokastër është organizuar dhe finalizuar operacioni "KANIONET". Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: A.Z., 42 vjeç, banues në Vlorë. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e tij në fshatin Nivicë, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale rreth 46 kg lëndë narkotike Cannabis Sativa, si dhe në oborr dhe në afërsi të banesës u gjetën disa kubikë ku ishin kultivuar fara kanabis. Materialet për shtetasin e mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprat penale "Kultivim i bimëve narkotike" dhe "Prodhim dhe shitje e lëndëve narkotike",.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 22 janë arrestuar, 4 janë ndalur dhe 69 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndalur 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim: 1 në SPK Port dhe 1 në PKK Morinë, të dënuar për veprën penale “Vjedhja”; 2 të dënuar për veprën penale “Kalim i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Lezhë, me 1 autor të ndaluar dhe 3 autorë të arrestuar në flagrancë; 1 në Elbasan, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Gjirokastër, me autor të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja” 1 në qarkun Tiranë, në Lezhë dhe 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” në Fier dhe 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Vlorë, 1 në Shkodër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, 1 në Gjirokastër, ku autori është arrestuar në flagrancë, si edhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë; 1 në Durrës, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si dhe 11 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, kokretisht: 3 në qarkun Tiranë, 1 në Korçë, 2 në Berat, 1 në Fiër, 1 në Vlorë, ku të gjithë autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 1 rast, në qarkun Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 32 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 12 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 6 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Berat, 2 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Dibër, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 5 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 2 në Shkodër.

Është evidentuar 1 shtetas që drejtonte mjetin pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur, në qarkun Vlorë, i cili është arrestuar në flagrancë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1