Lajmet e Fundit te Kufiri & Migracioni

Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 Korrik 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Krujë - Finalizohet operacioni policor “Ndëshkimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Operacioni nga DVP Durrës, Policia e Krujës, SHÇBA-ja, me mbështetjen e Forcave të Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë. Arrestohen dhe ndalohen 9 persona, si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Ekzekutohen edhe 3 masa sigurie “Detyrim paraqitje”. Sekuestrohen 3 armë zjarri, 5 armë gjahu dhe municion luftarak. Asgjësohen fidanë kanabis të kultivuar, në një zonë të pyllëzuar të fshatit Shqezë të Krujës. Në vijim të punës për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, të kontrollit të pandërprerë të territorit, si dhe pas një hetimi 2 mujor me metoda speciale të hetimit, Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, si dhe në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë dhe SHÇBA - ja, e mbështetur nga Forcat e Lëvizshme Operacionale në Policinë e Shtetit, finalizuan me sukses Operacionin Policor të Koduar “Ndëshkimi”. Në funksion të procedimit penal të vitit 2019, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” për shtetasit: V. B., 50 vjeç, banues ne fshatin Mafsheq, Krujë, R. B., 53 vjeç, banues në Fushë Krujë, Sh. X., 48 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë, M. K., 28 vjeç, banues në fshatin Shqezë të rrethit Krujë, K. K., 46 vjeç, banues në fshatin Selitë të rrethit Kurbin, B. I., 26 vjeç, banues në fshatin Malbardhë të rrethit Kurbin, H. P., 52 vjeç, banues në Krujë, me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Krujë. U bë arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K. , 58 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Shqezë, Krujë, kapja dhe ndalimi me iniciativë i shtetasit F. B., 35 vjeç, banues në fshatin Halile, Fushë Krujë, të dy për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë". U bë shpallja në kërkim e shtetasit A. B., banues në fshatin Halile, Fushë Krujë, për veprën penale “Kultivimi të bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”. U bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Detyrim paraqitje” për tre shtetas Y. K., Xh. B dhe A. B., për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armeve luftarake dhe municioneve”. Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se këta shtetas në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kanë kultivuar bimë narkotike në një zonë të pyllezuar të fshatit Shqezë të rrethit Krujë. Gjithashtu, gjatë operacionit, si rezultat i kontrollit të banesave të këtyre shtetasve dhe ambienteve përreth tyre, Policia gjeti dhe sekuestroi 3 armë zjarri "pushkë", 5 armë gjahu, municion luftarak dhe 17 aparate celulare. Vazhdon puna për dokumentimin ligjor të kësaj veprimtarie kriminale.

Berat - Finalizohet me sukses operacioni "Drenovica". Reagimi i shpejtë i Shërbimeve të Policisë vë në prang tre persona të cilët vodhën në dy banesa një shumë të konsiderueshme parash. Shpallet në kërkim autori i katërt që mundi të largohej. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Berat, në kuadër të operacionit "Drenovica", arrestuan në flagrancë shtetasit: F.J., 23 vjeç, S.S, 33 vjeç, K.M, 25 vjeç, si dhe u shpall në kërkim shtetasi A.L, 26 vjeç, të katërt banues në Vlorë. Këta shtetas gjatë natës kanë vjedhur në banesat e shtetasve U.V dhe R.V banues në fshatin Drenovicë, Berat, një shumë të konsiderueshme parash por janë konstatuar nga pronarët e banesës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë. Falë reagimit të menjëhershem të shërbimeve të policisë Rrugore, të cilët pas marrjes se njoftimit, bënë të mundur kapjen dhe arrestimin në flagrancë të shtetasve të lartpërmendur të cilët ishin fshehur në një kanal. Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat për veprat penale “Vjedhja, në bashkëpunim".

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 52 shtetas, konkretisht: 16 janë arrestuar, 5 janë ndalur dhe 31 po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, konkretisht: 2 në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 2 në Durrës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste të “Kanosja”, 2 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, në qarkun Tiranë, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 8 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 13 raste, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Vlorë dhe 1 në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Berat, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë, si edhe 9 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Korçë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, në qarkun Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 8 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 11 të lënduar jashtë rrezkut për jetën.

Janë evidentuar 4 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 2 në Tiranë, 1 në Elbasan, 1 në Vlorë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në qarkun Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1