Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 10 Qershor 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.01drejtoria new

Tiranë - Finalizohet operacioni "Poker". Goditen dy raste të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit. Operacioni nga Komisariati i Policisë nr 2. Procedohen penalisht 2 shtetas për veprën penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, kompjuter, monitor, aparate celularë, bizhuteri, çelësa mjetesh dhe vlera monetare. Shërbimet e Policisë të Komisariatit Nr. 2, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative se në dy lokale të ndryshme zhvillohej në mënyrë të kundërligjshme aktiviteti i lojërave të fatit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar "Poker", ku si rezultat u proceduan penalisht shtetasit R. N.,32 vjeç, banues në Tiranë dhe A. S., 55 vjeç, banues në Tiranë. Gjatë kontrollit të ushtruar në rrugën “Irfan Tomini” dhe në rrugën “Ismail Qemali”, në lokalet nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një tavolinë pokeri, kompjuter, monitor, aparate celularë, bizhuteri, çelësa mjetesh, si dhe vlera monetare. Kontrollet kundër aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit do të vijojnë në gjithë qarkun Tiranë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e këtij aktiviteti të kundërligjshëm. Policia e Shtetit fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 ose përmes aplikacionit “Komisariati Dixhital”, çdo veprimtari të tillë të kundërligjshme.

Vlorë - Zbardhet një tjetër rast i "Shkatërrimi i pronës me eksploziv". Kapet dhe ndalohet një shtetas i shpallur në kërkim, si i dyshuar për ngjarje me eksploziv në pronën e babait dhe njëkohësisht për dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij. Në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, Seksioni i Krimeve mbështetur nga shërbimi "Shqiponja" pranë DVP Vlorë, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative, në zonën e Lungomares kanë bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim E. O., 35 vjeç, banues në Vlorë. 35 vjeçari ka qenë i shpallur në kërkim, pasi në datën 30.03.2019, dyshohet se ka vendosur eksploziv në oborrin e banesës së babait të tij, për motive të dobëta. Ndaj këtij shtetasi, rëndon edhe një vepër tjetër penale si "Dhuna në familje", pasi bazuar në kallëzimin e dhënë nga vjehrra e shtetasit E.O, ky i fundit ka ushtruar dhunë fizike ndaj vajzës së saj më datë 09.03.2019. Gjithashtu, Policia ka arrestuar në flagrancë edhe një 54 vjeçar tjetër A.J., për "Dhunë në familje". Arrestimi i tij u bë pasi në fshatin Novoselë, ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij, për motive të dobëta.

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 62 shtetas, konkretisht: 13 janë arrestuar, 3 janë ndalur dhe 46 po procedohen në gjendje të lirë.

Është ndalur 1 shtetas pasi ishte shpallur në kërkim, në qarkun Tiranë, i dënuar për veprën penale “Dhuna në familje”.

Në fushën e narkotikëve është evidentuar 1 rast, në qarkun Korçë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 7 raste, konkretisht: 2 raste të “Kanosja”, 1 në qarkun Elbasan me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast në qarkun Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 3 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 1 në Korçë dhe 2 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 9 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 raste në qarkun Tiranë, me 1 autor të ndalur dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste në qarkun Vlorë, me 1 autor të arrestuar dhe 1 autor që po procedohet ne gjendje të lirë; 1 rast në qarkun Gjirokastër ku autori është arrestuar, si edhe janë plotësuar 4 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 1 rast në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 7 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 4 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 1 në qarkun Tiranë, 1 në Elbasan dhe 2 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës janë evidentuar 2 raste, 1 rast në qarkun Tiranë, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe 1 rast në qarkun Lezhë, ku po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të kalimit të paligjshëm të kufirit, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 10 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 13 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, në qarkun Tiranë, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 2 në qarkun Tiranë dhe 1 në Fier.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.

Arkiva

Gusht 2019
He Ma Me En Pr Sh Di
29 30 31 1 2 3 4
5 6 7 8 9 10 11
12 13 14 15 16 17 18
19 20 21 22 23 24 25
26 27 28 29 30 31 1