Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 13 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.  Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë.  Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.  Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar P. N., 39 vjeç, banues në Dukat, Vlorë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Lecce-s, Itali, i ka caktuar urdhër-arresti për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 20 vite. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Kukës – Efektivët e Drejtorisë Vendore të Policisë Kukës, në zbatim të planit operacional për kapjen e shtetasit në kërkim Abedin Oruçi, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative, ditën e djeshme kanë organizuar punën dhe shkuar në ambientin e lokalit në pronësi të tij.  Në momentin që punonjësit e Policisë kanë hyrë brenda ambientit, persona të afërm të këtij shtetasi janë konfrontuar fizikisht me punonjësit e Policisë.  Shtetasi Abedin Oruçi, duke përfituar nga ky fakt dhe duke i kanosur me armë zjarri punonjësit e Policisë, ka mundur të largohet. Në përfundim të veprimeve procedurale në lidhje me ketë ngjarje, u arrestuan në flagrancë të shtetasit: E. O., 32 vjeç, G. O., 34 vjeç, B. M., 35 vjeç, E. M., 18 vjeç, Z. Sh., 19 vjeç dhe B. D., 48 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” kryer në bashkëpunim dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. U proceduan në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, shtetasit: R. S., 22 vjeç, A. S., 18 vjeç, G. O., 50 vjeç, I. O., 28 vjeç dhe R. S., 21 vjeç, banues në fshatin Mamez dhe në Kukës. Gjithashtu, janë shpallur në kërkim policor shtetasit Abedin Oruçi, 54 vjeç dhe  P. O., 46 vjeç, banues në Kukës. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Bien në prangat e policisë 8 shtetas, për vepra të ndryshme penale.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Korrupsionit bënë ndalimin e shtetases T. A., 58 vjeçe, banuese në Tiranë. Kjo shtetase i është prezantuar si infermiere shtetases E. S., 30 vjeçe, e cila ka kallëzuar se gjatë muajit dhjetor, kur nëna e saj ka qenë e shtruar në spital, shtetasja T. A. e ka mashtruar duke i marrë rregullisht shuma monetare nga 5.000-6.000 lekë. Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.   Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Sh., 21 vjeç, pasi në mënyrë të vazhdueshme ka përndjekur ish të dashurën, duke i krijuar asaj gjendje frike dhe pasigurie për jetën. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. L., 30 vjeç, pasi në rrugën “Rexhep Jella” ka tentuar të vjedhë mjetin në pronësi të shtetasit P. K. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 3 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. C., 20 vjeç, pasi ka vjedhur produkte të ndryshme në një market.  Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit A. T., 56 vjeç, pasi në fshatin Priskë, Njësia Administrative Dajt, ka kanosur shtetasin A. M., si dhe i ka dëmtuar disa bagëti me mjete prerëse. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve E. M., 36 vjeç dhe A. Z., 19 vjeçe, pasi u kapën duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur; F. A., 57 vjeç, pasi në rrugën “Konferenca e Pezës”, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të policisë të qarkullimit rrugor për të bërë testin e alkoolit. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Më datë 12.01.2021 u referuan materialet në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për shtetasin A. Z., 41 vjeç, pasi në kryqëzimin e rrugës “Jordan Misja”, duke drejtuar mjetin tip “Mercedes Benz”, ka kanosur për shkak të detyrës dhe nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë Bashkiake në detyrë.

Elbasan – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas që posedonin lëndë narkotike dhe e shpërndanin atë në qytetin e Elbasanit. Sekuestrohen 10 doza me lëndë narkotike heroinë. Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla dhe kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale  në DVP Elbasan, arrestuan në flagrancë shtetasit E. K., 38 vjeç dhe F. K., 30 vjeç, banues në Elbasan. Arrestimi i tyre u bë pasi në lagjen “Vullnetari”, Elbasan, gjatë kontrollit fizik iu gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 10 doza me lëndë narkotike heroinë. Vijon puna për identifikimin e personave të tjerë që janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Vlorë – Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Vjedhja”.  Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. D., 49 vjeç, pasi gjatë natës ka tentuar të vjedhë në lokalin në pronësi të shtetasit A. S., në lagjen “24 Maji”, Vlorë. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum kanë arrestuar në flagrancë shtetasin O. H, 62 vjeç, banues në Greqi, pasi dyshohet se ka vjedhur automjetin e markës “Volkswagen” në pronësi të shtetasit B. B., i cili e kishte parkuar mjetin pranë një karburanti në Orikum. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Bien në prangat e Policisë 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak ndaluan shtetasin N. T., 55 vjeç, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme kohore ka ngacmuar seksualisht një shtetase të mitur, si dhe ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me të. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin A. Gj., 33 vjeç, banues në banues në Ishëm, Durrës, pasi u konstatua nga shërbimet e Policisë në aksin rrugor Fushë Krujë-Thumanë, duke drejtuar mjetin tip “Opel”, në gjendje të dehur. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.

Korçë – Specialistët e Sektorit për Policinë Rrugore në DVP Korçë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. D., 19 vjeç, banues në fshatin Udënisht, Pogradec, pasi në aksin rrugor Korçë-Pogradec, pranë kryqëzimit të fshatit Bulgarec, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësorin me iniciale A. G., 63 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, i cili për pasojë ka gjetur vdekjen. Gjithashtu është arrestuar shtetasi K. M., 33 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi në aksin rrugor Bilisht-Korçë, në afërsi të fshatit Belorta, duke drejtuar mjetin tip “Benz”, ka aksidentuar këmbësoren me iniciale R. Q., 66 vjeçe, banuese në fshatin Rov, Korçë, e cila është transportuar për mjekim në spitalin e Traumës Tiranë, në gjendje të rëndë shëndetësore.​ Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 96 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 31 janë arrestuar dhe 59 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 5 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 9 raste: 2 raste të “Kanosja”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë dhe 1 në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Tiranë, 1 në Lezhë, 1 në Elbasan dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të dhunës në familje, në Tiranë, ku autorët po procedohet në gjendje të lirë. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, 2 në Tiranë dhe 2 në Vlorë, ku autorët janë arrestuar në flagrancë ; 1 në Gjirokastër dhe 1 në Berat, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 8 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, në Vlorë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të “Ndërtim i paligjshëm”, 3 në Tiranë dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”,  në Tiranë, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Dibër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Dhunimi banesës”, në Fier, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në Korçë, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse, djegëse apo radioaktive”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Armëmbajtja pa leje”, në Lezhë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Marrja pa të drejtë e fëmijës”, në Elbasan, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Falsifikimi i dokumenteve”, në Fier, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Përndjekja”, në Tiranë, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Është evidentuar 1 rast i “Goditje për shkak të detyrës”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Ngacmimi seksual”, në Durrës, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 7 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 7 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 2 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 3 në Tiranë, 1 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Gjirokastër.

Janë evidentuar dhe proceduar 4 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, në Tiranë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.