Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 14 janar 2021

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Bllatë / Dibër – Kapet dhe ndalohet një 41-vjeçar,  me qëllim ekstradimi drejt shtetit italian. Më datë 13.01.2021, nga Policia Kufitare Bllatë, në bashkëpunim me strukturat e Hetimit të Krimit në DVP Dibër, në  P.K.K Bllatë është bërë kapja dhe më pas edhe arrestimi i përkohshëm me qëllim ekstradimin i shtetasit K. K., 41 vjeç, banues në Bulqizë. Arrestimi i përkohshëm u krye pasi INTERPOL Roma / Itali, më datë 07.01.2021 ka shpallur në kërkim ndërkombëtar shtetasin shqiptar K. K. alias G. H.,  pasi Gjykata e Torinos / Itali, e ka dënuar këtë shtetas me 5 vjet, 5 muaj e 27 ditë burg për kryerjen e veprave penale “Prodhim dhe shitje narkotikësh” , “Vjedhje” dhe “Kundërshtim i punonjësve në detyre shtetërore” (u është larguar me forcë Karabinierëve ne Torino), parashikuar nga nenet 624, 625 dhe 337 të Kodit Penal Italian, si dhe neni 73 i Ligjit nr. 309/1990 “Për drogat”. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur ditën e djeshme në rrugën “Ndre Mjeda”. Vihen në pranga 5 shtetas, procedohet në gjendje të lirë 1 shtetas tjetër.  Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale një sasi municioni, një armë e ftohtë dhe 5 aparate celular.  Specialistët  për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 Tiranë, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore bënë të mundur zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në rrugën “Ndre Mjeda”, ku u plagosën me armë zjarri 2 shtetas dhe u dëmtua me sende të forta një shtetas tjetër.  Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: A. A., 53 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; S. Ll., 46 vjeç, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”; Sh. B., 41 vjeç, për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Moskallëzimi i krimit”;  S. M., 52 vjeç, dhe A. L., 48 vjeç, për veprën penale “Moskallëzim i krimit”; Si dhe u procedua në gjendje të lirë shtetasi K. K., për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës”.  Në përfundim të veprimeve të para hetimore ka rezultuar se shtetasi S. Ll., së bashku me  persona të tjerë, ka shkuar në kompleksin në rrugën “Ndre Mjeda”, ku janë konfliktuar fizikisht me rojet e sigurisë duke përdorur sende të forta dhe armë zjarri.  Policia ka bërë të mundur identifikimin e njërit prej shtetasve (për arsye hetimore nuk bëhen të ditura gjeneralitetet e tij), i cili ka qëlluar me armë zjarri. Po punohet për kapjen e tij.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

DVP Durrës – Gjatë 24 orëve të fundit janë vënë në prangat e Policisë 7 shtetas, 2 prej tyre të shpallur në kërkim. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë, në vijim të punës për zbardhjen e vjedhjeve të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve përpara përgjegjësisë penale, arrestuan në flagrancë shtetasit G. M., 27 vjeç banues në Vlorë dhe Y. A., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë natës kanë tentuar të vjedhin në banesën e shtetasit H. C., banues në Krujë. Gjithashtu, këta shtetas dyshohet se janë autorë së 2 tentativave për vjedhje në banesat e shtetasve M. D. dhe H. H. Specialistët për Hetimin e Trafikut të Paligjshëm dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e DVP Tiranë, ndaluan shtetasin Y. H., 34 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Durrës i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhim dhe shitja e narkotikëve”. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Krujë ndaluan shtetasin A. R., 21 vjeç, banues në Fushë Krujë, pasi ishte i shpallur në kërkim policor nga Komisariati i Policisë Nr. 1, Tiranë, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të pa ligjshme”, “Prishja e rendit dhe qetësisë publike”, “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasit D. L., 45 vjeç dhe D. B., 40 vjeç, banues në Durrës, pasi u konstatuan nga shërbimet e Policisë duke drejtuar mjetet “Ford” dhe “Volkswagen” në gjendje të dehur; N. D., 57 vjeç, banues në Shijak, pasi duke drejtuar pa leje drejtimi dhe në gjendje të dehur motorin tip “Skuter” është përplasur me një mjet tip “Benz” dhe për pasojë është lënduar vetë shtetasi N. D., i cili ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës dhe Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprime të mëtejshme.

Gjirokastër – Kapet dhe ndalohet 1 shtetas i shpallur në kërkim për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Gjirokastër kanë ndaluar shtetasin J. K., 23 vjeç, banues në Gjirokastër, të cilit Gjykata e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, me vendimin e datës 20.08.2020, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Trafikim i lëndëve narkotike”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi, në datën 17.08.2020, në bashkëpunim me shtetasit K. M. dhe Dh. K. (të arrestuar në datën 17.08.2020), ka tentuar që të transportojë drejt shtetit grek, dy çanta me 21 kg lëndë narkotike cannabis sativa. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Pogradec – Finalizohet një tjetër operacion për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Pogradec, në bashkëpunim me Interpol Tiranën. Arrestohet me qëllim ekstradimi drejt Italisë, një 33-vjeçar i dënuar me 5 vjet e 6 muaj burg, për veprën penale “Emigracion i paligjshëm”. Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar Majerdi Meko, 33 vjeç, banues në fshatin Petrushë, Pogradec. Autoritetet gjyqësore italiane kanë lëshuar urdhër-arrestin për këtë shtetas, pasi Gjykata e Udines, Itali, e ka dënuar atë me 5 vjet dhe 6 muaj burg, për veprën penale “Emigracion i paligjshëm”, parashikuar nga Kodi Penal italian. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.

Tiranë – Arrestohen në flagrancë 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale, 3 prej tyre të shpallur në kërkim. Në vijim të punës për kapjen e personave në kërkim kombëtar dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, nga strukturat e DVP Tiranë u bë kapja dhe ndalimi i shtetasve: Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit A. G., 30 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë e ka dënuar me 1 vit burgim, për veprën penale “Mashtrimi”; Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vorë u bë ekzekutimi i vendimit për shtetasin E. L., 38 vjeç, pasi Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 6 bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit L. V., 33 vjeç, i shpallur në kërkim për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Vepra të turpshme”.  Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar bënë ndalimin e shtetasit A. A., 51 vjeç, pasi në vitin 2017, me anë të mashtrimit, i ka përvetësuar shumën 270.000 euro, për të cilat nuk i ka lëshuar as faturë tatimore, shtetases S. B. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. B., 27 vjeç, pasi në rrugën “Shefqet Kuka”, u kap duke drejtuar mjetin pa lejen përkatëse. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Skuraj 2”.  Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën Operacionale në DVP Lezhë dhe Komisariatin e Policisë Kurbin. Sekuestrohen një sasi lëndë narkotike e dyshuar cannabis, një armë zjarri dhe municion luftarak. Vihet në pranga poseduesi i tyre. Në zbatim të planit të masave për shtimin e kontrolleve në të gjithë qarkun Lezhë, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se në fshatin Skuraj, Kurbin, një person posedonte në banesë lëndë narkotike dhe armë zjarri pa leje, u organizua dhe finalizua operacioni policor i koduar “Skuraj 2”.  Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi i shtetasit A. M., 17 vjeç, banues në Skuraj. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën ku jetonte ky shtetas, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike të dyshuar cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, një armë zjarri pushkë dhe 50 fishekë. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 17-vjeçari ka çuar në banesë lëndën narkotike, municionin luftarak dhe armën e zjarrit, pa dijeninë e të atit të tij. Materialet iu referuan për veprime të mëtejshme, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Pogradec – Goditet një rast i veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së drogave të forta. Sekuestrohen 47 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë, gati për shitje. Arrestohet në flagrancë poseduesi i tyre.  Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme të prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike, goditën një rast të shpërndarjes së tyre në doza të vogla, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. K., 35 vjeç, banues në Pogradec. Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se ky shtetas shpërndante lëndë narkotike të forta në qytet është ushtruar kontroll në banesën e tij, në lagjen nr. 2, Pogradec, ku u gjetën 47 doza me lëndë të dyshuar narkotike heroinë gati për shitje dhe një sasi lekësh, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Elbasan – Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Ç. Z., 38 vjeç, banues në Elbasan. Në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi Ç. Z dyshohet nën efektin e alkoolit, u ka hedhur në trup lëndë djegëse duke u shkaktuar dëmtime fqinjëve të tij shtetasve S. Sh. dhe K. Sh, të cilët ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Nga specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi B. P., 50 vjeç, banues në fshatin Katund i Ri, Elbasan, pasi është konstatuar nga shërbimet e Policisë Rrugore duke drejtuar mjetin në gjendje të dehur.  Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Ndërkohë, gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 54 shtetas, konkretisht: 6 janë ndaluar, 10 janë arrestuar dhe 28 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 4 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Durrës dhe 2 në Vlorë; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës, 1 në Berat dhe 1 në Fier; 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në Elbasan, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, 1 në Tiranë, 2 në Durrës dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 3 raste: 1 në Durrës, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të “Mashtrimi”, në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Fshehja e të ardhurave”, 1 në Durrës dhe 1 në Kukës, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Pushtim toke”, në Lezhë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”, në Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Shpërdorimi i detyrës”, në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin janë evidentuar 2 raste aksidentesh, me 2 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe arrestuar 4 shtetas që drejtonin mjetet në gjendje të dehur, 2 në Durrës, 1 në Elbasan dhe 1 në Fier.

Janë evidentuar dhe proceduar 3 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 1 në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Gjirokastër.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.