Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 15 shkurt 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Gjirokastër – Kundërshtoi punonjësit e Policisë dhe shkatërroi kamerën e sigurisë në dhomën e shoqërimit në Komisariat, vihet në pranga 33-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin O. C., 33 vjeç, banues në lagjen Cfakë, Gjirokastër. Ky shtetas, gjatë një konflikti me një shtetas tjetër, në lagjen “18 Shtatori”, Gjirokastër, ka kundërshtuar punonjësit e Policisë të cilët kanë ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Pasi është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, 33-vjeçari ka shkatërruar kamerën e sigurisë në dhomën e shoqërimit. Materialet në ngarkim të shtetasit O. C. i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkatërrimi i pronës”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Stacioni”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni i zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë. Nga Durrësi për në Tiranë, për të shpërndarë kokainë, vihet në pranga 31-vjeçari.  Sekuestrohen një pako me kokainë me peshë 414 gramë dhe një aparat celular.  Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal në fushën e prodhimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike, pas një pune të mirëfilltë hetimore, bazuar dhe në të dhënat e grumbulluara në rrugë operative, se një shtetas posedonte dhe shpërndante lëndë narkotike kokainë në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Stacioni”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit F. B., 31 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas, pasi siguronte lëndën narkotike në sasi 500 gramë deri në 2 kg, në qytetin e Durrësit, e ndante në porcione të vogla, të cilat më pas i shiste në zonën e “Don Boskos”, në rrugën “Mine Peza” dhe në afërsi të Zogut të Zi, kundrejt vlerës 8000 lekë të rinj një dozë me kokainë. 31-vjeçari, lëvizjet nga Durrësi në Tiranë, i bënte me transport publik, ndërsa brenda Tiranës lëvizte me këmbë, që të ushtronte aktivitetin e tij pa u pikasur nga shërbimet e Policisë. Ndërkohë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Ndërveprimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike.  Operacioni i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Nr. 2. Zbulohet një banesë e përshtatur për kultivim të bimëve narkotike me llamba, si dhe goditet një rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, sekuestrohen një shumë e madhe parash, pajisje për kultivimin e kanabisit, bimë dhe lëndë narkotike, radio si të policisë dhe sende të tjera. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, pas në pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Ndërveprimi”. Në kuadër të këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi  A. K., 38 vjeç, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas u kap brenda në banesën e tij, të cilën e kishte përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike me anë të llambave. Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. K., janë gjetur dhe sekuestruar vazo me fidanë kanabis të kultivuara në to, 31 llamba elektrike, një sasi rreth 140 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, e cila ishte e ambalazhuar në 7 kavanozë qelqi të përmasave të ndryshme, një radio si ato që përdoren nga Policia, një bllokues valësh dhe një detektor për kërkimin e GPS. Operacioni ka vijuar për goditjen e veprimtarisë së shpërndarjes së lëndëve narkotike. Si rezultat u arrestua në flagrancë shtetasi L. Z., 23 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Ky shtetas shpërndante lëndë narkotike në zonën e ish-Parkut. Gjatë kontrollit të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale sasi lënde të dyshuar narkotike të llojit cannabis sativa, e ndarë në doza gati për shitje, 4 kavanozë qelqi me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, një peshore elektronike, një përforcues grushti, sasi farash të dyshuara narkotike cannabis sativa dhe shumat 11150 euro dhe 11.000 paund. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 75 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë dhe 52 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 1 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 6 raste: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Elbasan, 1 në Korçë dhe 1 në Dibër; 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje” në Tiranë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja për gjakmarrje”, në Shkodër, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 9 raste, me 6 autorë të arrestuar/ndaluar dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 4 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 7 raste të ndërtimit pa leje, me 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”. Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në Fier dhe 1 tjetër në Vlorë, për këtë vepër penale.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 2 shtetas për veprën penale “Organzimi i lotarive të palejuara” dhe 1 tjetër për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas ne Durrës dhe 1 tjetër në Elbasan, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mrojtjes në punë”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas në Fier dhe janë proceduar penalisht 2 të tjerë, 1 në Tiranë dhe 1 në Lezhë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas në Elbasan dhe 1 në Lezhë, për prerje të paligjshem të pyjeve.

Në Tiranë janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Pengimi i qarkullimi i mjeteve të qarkullimit”.

Në Korçë është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” .

Në Kukës është proceduar penalisht 1 shtetas, për verpën penale ‘Fshehja e të ardhurave”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 1 viktimë dhe 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 5 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 2 shtetas, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.