Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 25 maj 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Mirditë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Domgjoni”.Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast i mbajtjes së lëndëve shpërthyese.Sekuestrohen kallëpë me lëndë plasëse dhe bimë narkotike të kultivuara.Vihet në pranga 1 shtetas.Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, si dhe të mbajtjes së municioneve luftarake e lëndëve shpërthyese, bazuar në informacione policore të administruara në rrugë operative për një shtetas që kishte kultivuar bimë narkotike në afërsi të banesës së tij, si dhe mbante lëndë plasëse shpërthyese, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Mirditë është finalizuar operacioni policor i koduar “Domgjoni”.Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar në flagrancë shtetasi D. L., banues në fshatin Domgjon, Mirditë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municionit”.Arrestimi i shtetasit D. L. u bë pasi gjatë kontrollit të ushtruar në tokën në pronësi të tij, në afërsi të banesës, janë gjetur të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient tjetër në afërsi të banesës, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 4 kallëpë me lëndë të dyshuar plasëse.Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Kukës-Efektivët e Komisariatit të Policisë Kukës ndaluan shtetasin Ismail Morinaj, 40 vjeç, banues në fshatin Shikaj, Kukës, i shpallur në kërkim për llogari të DVP Durrës.Ky shtetas u ndalua pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës.Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës ka vendosur revokimin e vendimit penal të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për lirimin e tij me kusht dhe ka caktuar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, 5 muaj e 12 ditë burgim, për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”.Procedurat e mëtejshme për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Durrës.

Lushnjë-Kapet 1 shtetas i shpallur në kërkim.Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë policore për vendodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Nr. 3 Tiranë, shërbimet e Policisë Lushnjë bënë kapjen e shtetasit E. T., 36 vjeç, banues në Fier.Ky shtetas, ka kanosur në mënyrë të përsëritur shtetasen G. V., nëpërmjet thirrjeve telefonike.Në datën 17.05.2022, në Rrugën e Barrikadave, Tiranë, në ambientet e biznesit të kësaj shtetaseje, me anë të kanosjes dhe dhunës fizike, i ka kërkuar asaj një shumë parash.Shtetasi E. T. iu dorëzua shërbimeve të Policisë Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, mbetur në tentativë dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”.

Shkodër/Informacion paraprak-Gjatë natës, në lagjen “Ndoc Mazi”, ka rënë zjarr në banesën e shtetases Ll. V., 79 vjeçe, në katin e tretë të një pallati.E moshuara ka mbetur e bllokuar për rreth 1 orë në ballkonin e pallatit.Nga shërbimet e Policisë, në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse, u bë e mundur nxjerrja nga ballkoni e 79-vjeçares, e cila u dërgua për mjekim më të specializuar në Spitalin e Traumës Tiranë.Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të rënies së zjarrit.

Morinë, Kukës-Kapet një shtetas i shpallur në kërkim nga DVP Vlorë.Shërbimet e Policisë Kufitare në Morinë, në zbatim të planit të masave për krijimin e lehtësirave gjatë përpunimit të shtetasve, në rast fluksi, si dhe në zbatim të planit të masave për kapjen e personave në kërkim, parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në pikat e kalimit kufitar, ndaluan shtetasin E. K., 19 vjeç, banues në Vlorë.Ky shtetas u ndalua pasi gjatë procedurave në hyrje të PKK Morinë, rezultoi person në kërkim nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me dhunë me të mitura të moshës 14-18 vjeç”, pasi ka bërë kallëzim një shtetase 15 vjeçe, banuese në Vlorë, se shtetasi E. K. ka kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të.Veprimet e mëtejshme procedurale për këtë shtetas do të kryhen nga DVP Vlorë.

Pogradec-Vijon puna për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.Goditen 4 raste, nga të cilët 1 për prerje të paligjshme të pyjeve dhe 3 për ndërtime të paligjshme.Procedohen penalisht në gjendje të lirë 4 shtetas.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë në fushën e krimeve mjedisore, kanë goditur 4 raste të tjera.Si rezultat u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. M., 36 vjeç, banues në fshatin Çërravë, Pogradec; A. Sh., 50 vjeç, banues në fshatin Lin, Pogradec; R. Ç., 43 vjeç, banues në Pogradec dhe E. J., 39 vjeç, banues në fshatin Blacë, Pogradec.Shërbimet e Policisë kanë kapur në fshatin Dardhas, Pogradec, shtetasin E. M., duke transportuar me mjetin kamion tip “Ifa”, 15 m3 lëndë drusore, pa leje.Gjithashtu, gjatë kontrollit të pandërprerë të territorit, në fshatin Lin, Pogradec, shtetasi A. Sh. u kap duke kryer punime pa leje, ndërsa në lagjen nr. 1, Pogradec, u konstatuan shtetasit R. Ç. dhe E. J., duke kryer punime pa leje, në bizneset e tyre.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 8 janë ndaluar, 15 janë arrestuar, 74 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe është shpallur në kërkim 1 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të arrestuar.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 12 raste: 1 rast i veprës penale “Vrasja me dashje”, me 1 shtetas të ndaluar; 1 rast i veprës penale “Plagosja e rëndë me dashje”, me 1 shtetas të ndaluar; 3 raste të veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, dy prej tyre me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rasti tjetër rezulton me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 4 raste të veprës penale “Kanosja”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Dëmtime të tjera me dashje”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 1 rast i veprës penale “Shpifja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale  “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 shtetas të ndaluar; për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të arrestuar, ndërsa për veprën penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe është evidentuar 1 rast i veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 1 shtetas të ndaluar.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Pengime për ekzekutimin e vendimeve të gjykatës”, me 1 shtetas të arrestuar; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprës penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 1 shtetas të arrestuar.

Janë evidentuar 9 raste të dhunës në familje, me 3 shtetas të arrestuar dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Keqtrajtimi i të miturit”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i veprës penale “Ndotja e ajrit, e ujërave dhe e tokës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të zjarrvënieve, për 2 prej tyre vijon puna, me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë aksidentale.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar në total 10 raste, prej këtyre janë 6 raste janë me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale me objekt mashtrimin, me 3 shtetas të ndaluar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë; është evidentuar 1 rast i veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, me 6 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 8 shtetas, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 14 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.