Raporti i ngjarjeve për 72 orët e fundit, Policia e Shtetit

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Elbasan – Kontrolle të pandërprera në të gjithë territorin, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë. Sekuestrohen një mjet prerës (thikë), një shkop bejsbolli dhe një përforcues grushti (dorezë hekuri), vihet në pranga poseduesi.  Në vijim të punës për kontrollin e territorit, me qëllim evidentimin dhe kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri apo armë të ftohta, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin K. M., 18 vjeç, banues në lagjen “Haxhias”, Elbasan. Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij tip “Jaguar”, kanë gjetur dhe sekuestruar një përforcues grushti (dorezë hekuri). Në vijim të kontrollit, në ambientet e banesës së këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një shkop bejsbolli dhe një mjet prerës (thikë). Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të metejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor i koduar “Perimetri”. U kapën duke transportuar 57 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 2 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit policor të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve M. L., 36 vjeç; E. D., 28 vjeç, banues në Korçë dhe u shpall në kërkim shtetasi A. O., 38 vjeç, banues në Tiranë. Shërbimet e policisë, në dalje të qytetit të Pogradecit, kanë kapur mjetin kamion tip “Iveco”, në pronësi të shtetasit A. O., me drejtues shtetasin M. L., brenda të cilit u konstatuan 57 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 1000 euro secilit, iu ishte premtuar kalimi drejt vendeve të BE-së.  Nga veprimet e mëtejshme hetimore rezulton se, bashkëpunëtor në këtë veprimtari kriminale ishte edhe shtetasi E. D., i cili kryente kontrollin e rrugës, me mjetin tip “Benz”. Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.

Fier – Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. F., 50 vjeç, banues në Lalar, Fier, pasi për motive të dobëta, ka goditur duke e dëmtuar lehtë me mjet prerës (kosore) vëllain e tij, shtetasin B. F., 45 vjeç, i cili ndodhet në spitalin e Fierit nën kujdesin e mjekëve. Specialistët e Sektorit të Qarkullimit Rrugor në DVP Fier arrestuan në flagrancë shtetasin A. K., 21 vjeç, banues në Patos, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë, duke drejtuar motomjetin pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme.

Tiranë – Vihen në pranga 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. M., 21 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar nga shërbimet e Policisë, iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve: A. S., 21 vjeç, pasi u kap në flagrancë duke tentuar të hapë me forcë një kioskë; O. V., 19 vjeç, pasi gjatë kontrollit fizik të ushtruar iu gjet dhe iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale një armë e ftohtë (dorezë metalike). Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit Xh. T., pasi ka aksidentuar biçiklistin, shtetasin A. Q. (i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën) dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit E. Sh., 29 vjeç, pasi u kap duke drejtuar mjetin, në gjendje të dehur. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Durrës – Policia gjen 17-vjeçaren e larguar nga banesa një muaj më parë. Arrestohet në flagrancë 24-vjeçari që kishte strehuar të miturën. Gjatë kontrollit në banesën e tij, Policia gjeti dhe sekuestroi rreth 400 gramë lëndë narkotike cannabis sativa.  Specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Durrës, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit Operacional të Policisë Kriminale, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së narkotikëve, si dhe të kërkimeve për gjetjen e një 17-vjeçareje që ishte larguar nga banesa një muaj më parë, kanë bërë të mundur lokalizimin e vendndodhjes së saj. Gjatë kontrollit të ushtruar në zonën e plazhit, në një banesë të marrë me qira nga shtetasi Sh. F., 24 vjeç, banues në Durrës, shërbimet e Policisë kanë gjetur të strehuar 17-vjeçaren që ishte larguar nga banesa. Po gjatë kontrollit në këtë banesë, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar rreth 400 gramë lëndë narkotike cannabis sativa, të cilën ky shtetas e shiste me doza në zonën e plazhit në Durrës.  Nga veprimet e para hetimore dyshohet se ky shtetas ka kryer marrëdhënie seksuale me 17-vjeçaren. Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i 24-vjecarit Sh. F. dhe materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 230 shtetas, konkretisht: 11  janë ndaluar, 68 janë arrestuar në flagrancë dhe 151 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 8 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 23 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 3 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Vrasja”, ku autorët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 14 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 8 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 24 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.

Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 16 raste: 6 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 10 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 25 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 24 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 7 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Mashtrimi”dhe 2 të tjerë, për “Fshehja e të ardhurave”.

Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.

Janë proceduar penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve” dhe 5 të tjerë për “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Janë arrestuar në flagrancë 5 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 4 të tjerë, për “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për “Pushtim toke” dhe 2 për “Vetëgjyqësia”.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.

Janë proceduar penalisht 4 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Janë arrestuar në flagrancë 15 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë arrestuar në flagrancë 4 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 13 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 13 aksidente, me 1 viktimë dhe 18 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.